Vodafone lidh AI me sektorin e bujqësisë

Vodafone lidh AI me sektorin e bujqësisë

Vodafone Albania ka organizuar eventin “Agrokultura dhe Inteligjenca Artificiale pjesë e të cilit ishin aktorët të rëndësishëm të ekosistemit si qeveria, OJF-të, bizneset e sektorit të bujqësisë dhe ekspertë të agrobiznesit, etj. Vodafone Albania ndau me të pranishmit shembuj konkretë se si teknologjitë e reja dhe Agrokultura Inteligjente janë implementuar në Shqipëri dhe në botë. Bujqësia mbetet jo vetëm një nga drejtimet kyçe në zhvillimin e vendit, por edhe një sektor ku aplikimi i teknologjisë nga kompani lider, si Vodafone Albania, ka rezultuar mëse i suksesshëm.

CEO i Vodafone Albania, z. Balazs Revesz gjatë fjalës së tij u shpreh se bujqësia është një sektor prioritar për investime në inovacion dhe teknologji, identifikuar edhe nga qeveria shqiptare si një fushë kyçe, ku digjitalizimi i saj mund t’i shtojë vlerë të konsiderueshme ekonomisë. ”Platformat digjitale lehtësojnë një lidhje më të mirë midis fermerëve, furnizuesve dhe klientëve, duke përshpejtuar transparencën dhe praktikat më të drejta të tregut. Ata pajisin fermerët shqiptarë me kapacitetin për të aplikuar për certifikimin e nevojshëm nga BE për qasje më të lehtë të produkteve të tyre në tregjet e BE-së”  – u shpreh gjatë takimit z. Balazs Revesz

I certifikuar nga “Gartner” si lider botëror në menaxhimin e shërbimeve IoT, Vodafone përdor teknologjinë më të fundit të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale për të ofruar një përvojë të personalizuar e të diferencuar të klientit nëpërmjet platformave dixhitale me kapacitet të lartë. Partneriteti strategjik me “Microsoft” do të përshpejtojë transformimin digjital të klientëve të biznesit të Vodafone Albania dhe do të rrisë cilësinë e përvojës së klientit për konsumatorët. Digjitalizimi i agrokulturës përmes zgjidhjes Vodafone Smart Agriculture siguron infrastrukturën për industrinë bujqësore, duke mundësuar monitorimin, analizimin dhe automatizimin e operacioneve.

Gjatë takimit Ministrja e Bujqësisë znj. Anila Denaj ka informuar se integrimi europian në sektorin e bujqësisë ka filluar me hapa shumë konkrete. Janë tre kapituj të cilët do të sjellin një ndikim të madh sepse po e përgatisin sektorin e bujqësisë për tregun e madh europian në 2030 duke filluar nga karakteristikat e fermave, investimi, shërbimi e cilësia e produktit final.

Jonida Lakuriqi, Drejtoreshë e Departamentit Ligjor dhe Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Jashtë theksoi se  Agrokultura dhe Teknologjia janë pjesë integrale e jetës sonë, ndërkohë që dixhitalizimi është një prej shtyllave kryesore drejt Integrimit Evropian. Revolucioni dixhital në Shqipëri reflektohet në treguesit pozitivë të Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Dixhitale (DESI) në 4 fusha shumë të rëndësishme: në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, integrimin e teknologjive dixhitale, rrjetin e lëvizsshëm e fiks dhe shërbimeve publike dixhitale.

Në fund të eventit, pjesëmarrësit plotësuan një pyetësor 5 minutësh për të matur nivelin e tyre të dixhitalizimit.