Komiteti i Punës dhe Etikës
Kryetar – Roden Pajaj Deloitte
Nënkryetar – Endri Çela Duda shpk- Hotel Adriatik


Burimet njerëzore dhe roli i tyre në veprimtarinë e përditshme të biznesit, kanë marrë një vlerë më të madhe sidomos gjatë pandemisë. Trajnimi i fuqisë punëtore për t’iu përshtatur realiteteve të reja dhe roli i lidershipit në ndryshimet strategjike, ishin në fokus të mbledhjes së Komitetit të Punës dhe Etikës. Komiteti po përgatitet t’u ofrojë anëtarëve të Dhomës Amerikane një program trajnimi të detajuar mbi zhvillimin profesional dhe ndryshimet e fundit të ligjit të punës. 

Komiteti, i kryesuar nga Roden Pajaj, do të punojë me anëtarët për të vazhduar në vitin 2022 trajtimin e çështjeve që prekin tregun e punës, si ndryshimet në fuqinë punëtore, veçanërisht rolin që luajnë millennials në treg. Temat që prekin etikën e biznesit do të promovohen sërish përmes organizimit të konferencave me kontribute të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare. 

Anëtarët e komitetit ishin të mendimit që drejtorët ekzekutivë të korporatave anëtare të Dhomës Amerikane të bëhen pjesë e këtyre konferencave, për të ndarë përvojat e tyre me anëtarët e tjerë. 

Komiteti propozoi zhvillimin e një aktiviteti të Rrjetit të Burimeve Njerëzore, si një mënyrë jo vetëm e rrjetëzimit midis ekspertëve në fushën e burimeve njerëzore, por edhe e shkëmbimit të përvojës dhe informacionit që vjen nga ajo zonë.