Ligji Tatimit mbi të Ardhurat miratohet në Parlament, reflektohen disa nga rekomandimet e AmCham

Ligji Tatimit mbi të Ardhurat miratohet në Parlament, reflektohen disa nga rekomandimet e AmCham

Ligji  “Për Tatimin mbi të Ardhurat” që sapo u miratua në Parlament ka patur vëmendjen e veçantë të strukturave të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Nëpërmjet ekspertëve të Komitetit të Taksave dhe Doganave janë përcjellë pranë të gjitha instancave, komentet dhe argumentat për përmirësimin e draftit të propozuar nga Qeveria, me qëllim krijimin e një sistemi tatimor të qendrueshëm dhe të drejtë. 

Për vite me radhë, Dhoma ka lobuar për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të ri për Tatimin mbi të Ardhurat, i cili do të të sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit. Mbështetur në politikën e dialogut dhe konsultimit, Dhoma ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me institucionet qeveritare dhe parlamentare, në mënyrë që ky proces të ishte sa më transparent. Kjo i dha mundësi grupeve të interesit të ishin të përfshirë gjatë hartimit të këtij projekt-akti, i cili është vital në aktivitetin ekonomik të biznesit dhe mirëqënien e individit.

Megjithëse procesi i konsultimit publik pati problematika, Dhoma insistoi në vijimësi për të trasmetuar zërin e anëtarëve të vet. Organizimi i një takimi me ekspertët fiskalë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mundësoi prezantimin e shqetësimeve dhe komenteve të biznesit.

Konsultimi i këtij akti vijoi edhe gjatë shqyrtimit të tij në seancat e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, si rezultat i së cilës, u mundësua reflektimi i disa komenteve mes të cilave të rëndësishme për t’u përmendur janë:

  1. Heqja e tatimit mbi dividentin për degët e shoqërive të huaja;
  2. Përmirësimi i parashikimeve per njohjen e borxhit të keq;
  3. Reflektimi në ligj i Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike;
  4. Aplikimi i dispozitave aktuale, që lidhen me borxhin e keq për bankat si dhe përdorimi i metodës lineare të amortizimit për të gjitha kategoritë e aseteve.

Pavarësisht reflektimit të një pjese të rekomandimeve, konstatojmë se disa çështje shumë të rëndësishme të sistemit tatimor nuk adresohen në ligj, siç mund të përmendim barazinë fiskale apo luftën kundër informalitetit. 

Mbështetur në të njëjtën frymë bashkëpunimi, Dhoma do të vazhdojë ofrimin e ekspertizës fiskale, në ndërtimin e akteve nënligjore, të cilat janë një hap tjetër i rëndësishëm për të përsosur zbatimin e Ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”.

Në thelb të këtij procesi, konfirmohet rëndësia e konsultimit publik gjatë hartimit të projekt-akteve. Falë bashkëpunimit institucional dhe vullnetit pozitiv të palëve, u arriten disa ndryshime në Ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *