Krijohet grupi punës së sektorit shëndetësor në AmCham, fokusi në adresimin e çështjeve sektoriale të biznesit

Krijohet grupi punës së sektorit shëndetësor në AmCham, fokusi në adresimin e çështjeve sektoriale të biznesit

Sistemi shëndetësor dhe çështjet që përcjell për biznesin që operon në këtë sektor në degën e farmaceutikës, shërbimit spitalor, pajisjeve mjekësore etj, kanë mbledhur bashkë një grup pune në AmCham, fokusi i të cilit do të jetë diagnostikimi dhe ndjekja e problemeve që ka sektori.

Presidenti Grant Van Cleve dhe Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj kanë ofruar mbështetjen që mund të japë Dhoma Amerikane përmes eksperiencës më të mirë të punës lobuese të strukturuar në Komitete duke ofruar ekspertizë dhe logjistikë për çështjet e biznesit. Grupi i punës do të jetë hapi i parë për të organizuar këtë pjesë të biznesit në  sektorin e shëndetësisë që përballet me sfida dhe çështje të ndryshme dhe kanë nevojë të analizojnë në mënyrë zyrtare problemet e tyre.

Përfaqësues të njohur të kompanive farmaceutike dhe kujdesi shëndetësor kanë folur për çështje makro që kalon sektori duke vendosur theksin në reformimin e sistemeve rregullatore dhe zhvillimin e politikave që e ndihmojnë sektorin të zhvillohet dhe pacientët të marrin shërbim më të mirë shëndetësor. E parë në këtë këndvështrim përfaqësuesit e biznesit ishin të mendimit se rritja e buxhetit do të ndihmonte në investimin jo vetëm në infrastruktura por dhe në indikatorët e tjerë që duhet të ofrojë shërbimi shëndetësor. 

Statistikat e prezantuara nga kompania IQVIA sollën të dhëna nga Shqipëria dhe rajoni dhe forma krahasuese mes tyre mbi nivelin e shpenzimeve për banorë në sektorin e shëndetësisë  në përdorimin e medikamenteve, kurave individuale dhe pajisjeve mjekësore në vend.

Grupi punës ka dakortësuar të organizohet përmes ekspertëve të fushës në draftimin e një strategjie pune për të adresuar në institucionet shtetërore përkatëse problematikat që has biznesi dhe për të propozuar zgjidhje konkrete që mund të arrihen vetëm përmes dialogut konstant. Ata kanë shprehur besimin në potencialin avokues të AmCham dhe në format profesionale të dialogut dhe lobimit që ofron dhe që e bëjnë rezultative këtë proces.