Java e Hapur e Burimeve Njerëzore në AmCham, Gjenerata Z, zhvillimi i potencialit rinor në dobi të biznesit

Java e Hapur e Burimeve Njerëzore në AmCham, Gjenerata Z, zhvillimi i potencialit rinor në dobi të biznesit

Ka nisur Java e Hapur e Burimeve Njerëzore  ku për tre ditë, tre kompani janë bashkuar në AmCham me ekspertë të Burimeve Njerëzore për të ndarë praktikat më të mira në zhvillimin e kapitalit njerëzor në tre tema të ndryshme. U fillua me një temë mjaft interesante mbi tërheqjen dhe mbajtjen në punë  të punonjësve të Gjeneratës Z.

Spartak Alibali, Menaxher i Burimeve Njerëzore në Deloitte Albania & Kosovo, i ka referuar për anëtarët e Dhomës Amerikane, mbi karakteristikat e kësaj gjenerate dhe veçoritë që duhet të njihen nga departamentet e Burimeve Njerëzore për t’i ndihmuar të zhvillohen dhe të bëhen një aset i çmuar për kompaninë.

Krijimi i një klime të përshtatshme për ta trajtuar punonjësin si aseti më me vlerë i kompanisë, është sfida me të cilën përballen departamentet e burimeve njerëzore. Raporti i fundit i Deloitte, ka hedhur dritë mbi prirjet dhe vlerat që kompanitë po përqafojnë për të qënë të suksesshëm përmes kapacitetit të stafeve të tyre.

“Burimet njerëzore po bëhen të rëndësishme për kompanitë. Nga departamente operacionale ato po kthehen në departamente këshilluese për lidershipin dhe objektivat që duhet të vendosë kompania duke u mbështetur në kapacitetet njerëzore” – tha gjatë trajnimit Spartak Alibali.   

Vlerësimi i talenteve, krijimi i një formë të hapur të komunikimit, vendosja e objektivave të drejta, përqafimi i një kulture bashkëpunuese, janë elementë që Burimet Njerëzore  këshillojnë si forma të nevojshme për të arritur suksesin.

Objektivat e organizatës bëhen më të arritshme kur ato përputhen me objektivat personale. Si mund t’ia arrijnë Burimet Njerëzore të krijojnë këtë ndërveprim me Gjeneratën Z dhe të përfitojnë nga potenciali i tyre, ka qënë dhe fokusi i diskutimit mes z. Alibali dhe anëtarëve të AmCham. Gjenerata Z e cila po pushton sot intervistat e punës, reflekton me karakteristikat e saj një prirje të re të sjelljes.

Spikasin si biznesmenë, telefoni është mjeti që nuk harrojnë kurrë, vlerësojnë pavarsinë financiare, mësojnë shpejt dhe pëlqejnë të jenë të vlerësuar. Një gjeneratë që i pëlqen të ketë ndikim pozitiv tek ambjenti dhe vendosin  një balancë mes punës dhe jetës. Ndërsa menaxherët e burimeve njerëzore punojnë për t’i zhvilluar si kapacitete, sfida që po shfaqet është mbajtja e tyre në punë. Matja e produktivitetit përmes disa indikatorëve dhe metrikave të cilat duhet të organizohen në bashkëpunim me punonjësit në mënyrë që të jenë objektive, apo përdorimi i inovacionit dhe formeve të AI për të lehtësuar punën e tyre, janë të këshillueshme, kur ndërvepron me këtë gjeneratë.

Anëtarët e Dhomës Amerikane kanë bërë një diskutim të hapur mbi përvojat që ata kanë me këtë gjeneratë, dhe mendimin e tyre se si duhet të trajtohen për të përfituar potencialin e plotë të tyre.