Drejtuesit e AmCham gati një plan pune për të nxitur investimet e huaja, Klima e investimeve, kryefjala e takimit me AIDA

Drejtuesit e AmCham gati një plan pune për të nxitur investimet e huaja, Klima e investimeve, kryefjala e takimit me AIDA

Drejtues dhe anëtarë të Komitetit të Investimeve dhe Tregtisë në Dhomën Amerikane janë takuar me Drejtoren e AIDA znj. Laura Saro, për të folur mbi rrugët më të mira të bashkëpunimit institucional në funksion të përmirësimit të klimës së investimeve të huaja. Dy institucionet e kanë në bazë të veprimtarisë së tyre thithjen e investimeve të huaja dhe AmCham beson se për të rritur prezencën e investitorëve amerikanë në vend, bashkëpunimi me AIDA merr një rëndësi të vecantë.

Gjatë takimit Drejtorja e AIDA, Laura Saro, informoi për punën që është duke bërë  institucioni që funksionon si një koordinator mes qeverisë dhe biznesit për të informuar dhe influencuar praktikat më të mira që tërheqin investimet e huaja në vend. AIDA është një nga aktorët e përfshirë në grupin e  punës për të hartuar një ligj të ri të Investimeve Strategjike i cili duhet të reflektojë nevojat e kohës. Shumë sfida janë përpara AIDA-s e cila përballet me cështje të mprehta makro ekonomike që ka vendi dhe e bëjnë më sfidues promovimin.  Përballë kësaj situate drejtorja e sapozgjedhur e AIDA ka vendosur të reagojë me një plan konkret që synon të listojë të gjithë projektet e rëndësishme sektoriale dhe ti bëjë të njohura ato për investitorët  përmes takimeve promovuese jashtë Shqipërisë. 

Për të nxitur një bashkëpunim me interes dy palësh Kryetari i Komitetit të Investimeve Adrian Shehu ka nxitur organizimin e një plani pune i cili do të përfshijë ekspertët e të dy institucioneve në një marrëdhënie afatgjatë por që duhet të ketë në fund një impakt të ndjeshëm mbi klimën e investimeve.

Zv.Presidentja e Dhomës Amerikane znj. Edlira Muka në një diskutim konstruktiv me pjesëmarrësit ka evidentuar disa problematika që duhet të shtrohen për zgjidhje përpara AIDA-s për  sa i takon potencialit dhe kapacitetit të institucionit në mënyrë që ai të jetë në një nivel të barabartë me homologët në Rajon. Znj Muka ishte e mendimit se Shqipëria nuk mund të promovohet në arenën globale si një vend i vogël por si pjesë e një tregu të madh rajonal dhe kjo duhet të jetë tashmë përqasja për investitorët. Eshtë e rëndësishme që promovimi të bëhet në mënyrë specifike tek markat e njohura të cilat janë prezent në vendet e tjera të Rajonit por nuk kanë hyrë akoma në Shqipëri. Një koordinim më i mirë dhe eficent i informacionit duhet bërë për investitorët të cilët jo domosdoshmërisht kanë nevojë statusin strategjik apo kanë në investimin e tyre cështje të pronës. Ata duhet të jenë të mbrojtur nga burokracitë, vonesat dhe duhet të drejtohen në instancat përkatëse.

Drejtori Ekzekutiv i AmCham z.Neritan Mullaj, në përgjigje të idesë për të skanuar nevojat e  bizneseve, ka përmendur shqetësimet që kanë marrë nga takimet me investitorë potencialë që vijnë në Shqipëri. Themelore në perceptimin e  tyre është  zbatimi i ligjit dhe respektimi i  afateve kohore në dhënien e licencave, lejeve apo dhe statusit të investitorit strategjik. Kompanitë përballen me burokraci që pengojnë investimin e tyre pa folur për cështjet e tjera fiskale apo rregullatore që hasin rrugës. Problematika në nivel makro, Dhoma Amerikane i ka materializuar në Axhendën e Investimeve për të cilën pret reflektim më të madh të rekomandimeve.

Takimi me përfaqësuesit e AIDA ka shërbyer për të shkëmbyer mendime dhe ide mbi mënyrën se si munden të dy institucionet ta bëjnë  eficente bashkëpunimin e tyre. Kryetari i Komitetit të Investimeve z. Adrian Shehu ka qënë mjaft konkret kur ka propozuar një plan të përbashkët aktivitetesh midis AIDA dhe AmCham në mënyrë që të identifikojmë nevojat e biznesit. Me interes është dhe organizimi i një eventi ku aktorë lokalë dhe rajonalë mund të organizohen nga AmCham dhe AIDA në atë që mund të quhet “Forumi i Investimeve” dhe do të ndihmojë për të ndërtuar një udhërrëfyes të investimeve në rajon.

Z. Shehu ka theksuar rëndësinë e organizimit të një eventi në USA, “Study Visit in USA”, ku pjesëmarrës do të jenë AmCham-et në rajon të ndihmuar edhe nga Departamenti i Komercit të Ambasadës Amerikane dhe AIDA. Kjo do të jetë një formë shumë e mirë për të prezantuar benefitet dhe oportunitetet që ofron rajoni për investitorët amerikan.