Dhoma lobon mbi Aktet nënligjore që rregullojnë Ligjin e të Ardhurave Tatimore

Dhoma lobon mbi Aktet nënligjore që rregullojnë Ligjin e të Ardhurave Tatimore

Aktet nënligjore të ligjit të Tatimit mbi të Ardhurat kanë patur vëmendjen e ekspertëve në Dhomën Amerikane, të cilët kanë diskutuar me intensitet ndryshimet e nevojshme që e bëjnë praktik dhe të qartë udhëzimin, përmes komenteve në cdo nen të Udhëzimit. Sugjerimet kanë për qëllim të krijojnë qartësi që nuk lë shteg për keqinterpretime gjatë kontrolleve tatimore, ashtu sikurse e bëjnë udhëzimin praktik dhe të kuptueshëm për bizneset.

Komentet e përpunuara nga ekspertët e Dhomës kanë targetuar marrëdhëniet e punës, trajtimin dhe kontabilizimin e shpenzimeve, marrëdhëniet financiare me punonjësit jo rezidentë, përllogaritjen e saktë të fitimit kur në zbatim janë marrëveshjet e dyfishta,  deri tek llogaritjet e amortizimeve dhe humbjeve gjatë procesit të punës.

Lobimi për aktet nënligjore të ligjit vjen pas një pune të madhe mbi vetë ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat mbi të cilin Dhoma Amerikane punoi për hartimin e një ligji të ri për të ardhurat të harmonizuar me standartet ndërkombëtare dhe që do të sillte  një ristrukturim efektiv të sistemit tatimor dhe do të siguronte mekanizmat e nevojshëm në luftën kundër informalitetit dhe barazinë e individëve pavarësisht statusit të tyre të regjistrimit

Anëtarët e Dhomës kanë qënë aktiv për të kontribuar me komente dhe sugjerime konkrete në lidhje me Draftudhëzimin dhe Anekset për të sjellë një impakt në zbatim korrekt të tij. Kështu komentet kanë kërkuar qartësi në përcaktimin e entiteteve tatimore të huaja dhe marrëdhënien financiare me ta duke sqaruar përkufizimin mbi entitetet e huaja dhe kontrollin e tyre e cila ka sjellë vazhdimisht paqartësi për subjektet tatimore.

Gjithashtu ndërhyrje ka patur dhe për të vendosur mbi baza të qarta  trajtimin e të ardhurave nga punësimi sidomos në rastet kur bëhet fjalë për punonjës që nuk janë rezidentë duke specifikuar qartë në udhëzim mënyrën e trajtimit dhe llogaritjen e tatimit mbi pagën. Komentet mbi aktet udhëzuese janë munduar të hedhin dritën e qartësisë për mënyrën se si do të paguhen tatimi në burim për jo rezidentët por dhe mënyrën se si do të trajtohen personat fizik për taksat që do të paguajnë.

Kontabilizimi i shpenzimeve të zbritshme në sektorin e ndërtimit, ka qenë një tjetër pikë që ka marrë vëmendjen e ekspertëve. Industria e ndërtimit dhe real estate ka pësuar ndryshime të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, duke sjellë transaksione të shumëllojshme ndërmjet pronarëve të truallit, ndërtuesve dhe investitorëve. Mungesa e këtyre dispozitave në ligjin tatimor lë vend për interpretim duke qenë se personat juridik, ndryshe nga individët, përgatisin pasqyrat financiare sipas ligjit të kontabilitetit dhe Standarteve Kombëtare të Kontabilitetit ose Standarteve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Një pikë e rëndësishme për sektorin e ndërtimit ka qenë dhe saktësimi në udhëzim i nenit për shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit të punonjësve të cilët alokohen në projekte të ndryshme larg vendit të tyre të banimit. Kontabilizimi i këtij shpenzimi gjithashtu ka kërkuar vëmendjen e ekspertëve.

Anëtarët e Dhomës Amerikane kanë bërë mjaft komente edhe mbi pjesën në udhëzim që trajton të ardhurat nga qeraja financiare duke respektuar standartet ndërkombëtare dhe kombëtare kontabël.  Bizneset në fushën e hidrokarbureve dhe gazit kanë patur vend gjithashtu për sqarime të aktivitetit të tyre përmes akteve udhëzuese. Dhoma ka lobuar për hartimin e Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat si dhe udhëzimet në zbatim të këtij ligji, në linjë me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit duke shprehur interes shumë të lartë gjatë draftimit të këtyre projektakteve në fushën e tatimit mbi të ardhurat, të cilat kanë një impakt shumë të thellë tek tatimpaguesit shqiptarë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *