Dhoma Amerikane diskuton me zv. Ministren e Financave mbi përmirësimin e legjislacionit fiskal

Dhoma Amerikane diskuton me zv. Ministren e Financave mbi përmirësimin e legjislacionit fiskal

Drejtuesit e Dhomës Amerikane, Presidenti Grant Van Cleve, Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj dhe Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave Alketa Uruçi kanë patur një takim konstruktiv me zv. Ministren e Financave Vasilika Vjero dhe Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale, me fokus rekomandimet e Dhomës Amerikane mbi përmirësimin e legjislacionit tatimor.

Aplikimi i TVSH-së për tatimpaguesit e huaj në vendet ku nuk zbatohet TVSH dhe në veçanti ata amerikanë ka angazhuar ekspertët e Dhomës Amerikane të cilët i janë drejtuar përmes një letre Ministrisë së Financave me disa propozime për ndryshime në udhëzim. Gjatë takimit të grupit të punës, Zv. Ministrja e Financës, Znj. Vjero, shprehu gadishmërinë dhe dakortësinë për të bërë ndryshimet përkatëse brenda 3 mujorit të parë të 2024.

Edhe në lidhje me çështjen e aplikimit të marrëveshjeve për tatimin e dyfishtë zv Ministrja u shpreh e gatshme për t’i gjetur zgjidhje bashkërisht me DPT.

Diskutime ka patur edhe për procedurën e rivlerësimit tatimor nga zyra, pa i njoftuar paraprakisht subjektet me draftin e rivlerësimit. Lidhur me legjislacionin për procedurat tatimore, konkretisht me rivlerësimet e kryera nga inspektorët e drejtorive rajonale dhe të zyrave tatimore të qeverisjes vendore pa vënë në dijeni paraprakisht tatimpaguesin, zv Ministrja Vjero u shpreh se do të rishikohen procedurat e rivlerësimit dhe do të sugjerohet vendosja e një afati të caktuar për ti mundësuar tatimpaguesve të drejtën për të dhënë përgjigje, sqarime apo argumenta në lidhje me konstatimet.

Një tjetër cështje e rëndësishme për ekspertët e AmCham në përgjigje të shqetësimeve që vijnë nga anëtarët, ishte dhe procedura e kontrollit pas cregjistrimit të biznesit. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave u shprehen se do punohet për të përmirësuar procedurën për të lehtësuar bizneset.