AmCham Forum mbi Etikën në Biznes, Dilemat në vendimarrje, si ndihmojnë modelet të bazuara në vlera

AmCham Forum mbi Etikën në Biznes, Dilemat në vendimarrje, si ndihmojnë modelet të bazuara në vlera

Etika në biznes në një botë që ndryshon – Aspekte praktike ” ishte tema e forumit të organizuar nga Komiteti i Etikës në Biznes në Dhomën Amerikane. Një grup panelistësh të përbërë nga Kryetari i Komitetit Roden Pajaj, zv Presidentja e AmCham Edlira Muka, Presidenti i Fondacionit Abraham Linkoln, Paul Lofquist, dhe drejtuesi i Grupit të Shoqatave mbi të drejtat tregtare, bankare dhe keq-shitjet, financiare në Angli, David Mcilroy,kanë ndërvepruar me anëtarët e Dhomës në një diskutim interesant mbi konceptin e etikës në vendimarrjet në biznes.

Vlerat që lidershipi zhvillon nëpërmjet vendimarrjes në biznes duke ruajtur balancën mes qëllimit për të rritur fitimet dhe krijuar raporte të drejta dhe të ndershme me punonjësit, klientët dhe partnerët, është sfida me të cilën përballet biznesi sot.  Rreth kësaj sfide dhe mënyrës praktike se si krijohen modelet që të udhëheqin përmes vlerave dhe etikës, është folur jo vetëm nga panelistët por dhe nga anëtarët prezent në takim.

Duke referuar mbi sfidat me të cilat përballen bizneset në mjedisin kompleks ku operojnë, Roden Pajaj, ka theksuar faktin se të vepruarit me integritet nuk është një ëndërr utopike por një realitet që mund të arrihet duke zbatuar një plan afatgjatë.

“Sjellja etike jo vetëm që mbron reputacionin dhe qëndrueshmërinë e një kompanie, por gjithashtu nxit besimin midis palëve të interesuara, duke çuar në partneritete të qëndrueshme, mbajtjen e talenteve dhe besnikërinë e klientit” – u shpreh gjatë fjalës së tij z. Pajaj.

Mbi praktika të drejta dhe etike që drejtojnë biznesin dhe ndihmojnë për të forcuar reputacionin e brandit, ka folur edhe zv.Presidentja e AmCham Albania znj. Edlira Muka e cila ka sjellë në vëmendje faktin se etika të shpërblen në planin afatgjatë. Vendimet që merren mbi bazën e saj të ndihmojnë të ndërtosh raporte të forta e të sinqerta që sjellin produktivitet dhe besnikëri në punë.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit gjatë Forumit ka qënë dhe fjala e Paul Lofquist, President i Fondacionit Abraham Lincoln në Shqipëri, një institucion i përkushtuar ndaj respektimit të parimeve etike në praktikat e biznesit. Z. Lofquist, ka sjellë eksperiencën amerikane në krijimin e institucioneve të qëndrueshme që mbështeten në vendime etike për të krijuar një histori afatgjatë të tyre. Këto parime të etikës dhe integritetit, etërit e Amerikës i kanë përfshirë në kushtetutën amerikane por edhe sot pas 200 vjetësh ato vazhdojnë të punojnë për ti përsosur ato. Çështjet që kërkojnë vendimarrje në biznes mund të jenë komplekse dhe të përballin me dilema etike, dhe pikërisht atëherë bëhen të dukshme vlerat që një lider aplikon në biznes.

Prakticitetin e përdorimit të etikës në biznes dhe në vendimarrje, e ka ilustruar qartë dhe Dr. David McIlroy, përmes shembujve të mënyrës se si bankat u përfshinë në krizën financiare të viteve 2008-09. Për z. Mcilroy është i rëndësishëm modeli që një biznes aplikon dhe vlerat që përfshin në të. Ato do ta drejtojnë në vendimarrje dhe do të pëcaktojnë dhe vlerat mbi të cilat udhëhiqet një biznes dhe që e orientojnë atë në dilemën mes fitimit apo vendimeve të drejta.

Anëtarët e Dhomës kanë shkëmbyer mendime dhe opinione me panelistët mbi sfidat me të cilat përballen sot në objektivin për ta bërë një biznes të suksesshëm duke u udhëhequr nga vlerat në një shoqëri që ndryshon dhe që po bëhet gjithnjë e më konkurruese.