Ditët e Hapura tek Fakulteti Gjuhëve të Huaja, Vizioni AmCham për formimin profesional të forcave të punës

Ditët e Hapura tek Fakulteti Gjuhëve të Huaja, Vizioni AmCham për formimin profesional të forcave të punës

Dhoma Amerikane ka patur hapësirën e vet në eventin “Ditët e Hapura” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja duke përcjellë përmes biznesit të saj anëtar eksperiencën dhe pritshmërinë që kanë për forcat e punës mbështetur në nevojat e tregut.

Një diskutim praktik mes të gjithë pjesëmarrësve ka vendosur theksin në mënyrën se si shkolla i përgatit studentët me aftësi për të gjetur veten në një treg që ndryshon çdo ditë dhe mënyrat se si biznesi duhet t’i përqaset sistemit universitar për ta orientuar në organizimin e kurrikulave.

Takimi është përshëndetur nga Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha e cila ka theksuar qëllimin e eventit për të krijuar ura të bashkëpunimit me biznesin si e vetmja formë për të ndikuar në mënyrë efiçente në formimin e studentëve. Shkolla nuk mund t’i pajisë me të gjitha njohuritë të rinjtë por është praktika e punës tek biznesi ku ata do të tregojnë mbi aftësinë që kanë dhe si ti zhvillojnë ato.

Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj e ka cilësuar si një nga objektivat që ka Komiteti i Punës dhe Etikës, rritjen profesionale dhe lidhjen e biznesit me sistemin universitar. Ky objektiv është nxitur nga një kërkesë themelore e biznesit pasi në dy vitet e fundit anëtarët e Dhomës përmes Indeksit të Biznesit kanë shprehur shqetësimin për mungesën e një fuqie punëtore profesionale në treg.

Bizneset anëtare të Dhomës nga sektori i Turizmit IT, konsulencës e arsimit kanë folur për eksperiencat e tyre në treg, aftësitë që presin të gjejnë tek punëmarrësit, ndryshimet e mëdha teknologjike dhe përshtatjen me aftësi në epokën digjitale. Ata kanë ofruar modele të cilat janë stimuluese për të rinjtë dhe i shtyjnë ata të gjejnë pozicionin e duhur në bazë të aftësive që kanë në treg. Elite Travel, PwC, DM Consulting, Kolegji Turgut Ozal, Maxbrand Albania, Shtëpia Botuese “Life”, etj kanë sjellë eksperiencën e tyre duke komunikuar drejt për drejt me studentët.

Takimi nuk do të jetë një rast sporadik por do të vazhdojë si një formë konkrete bashkëpunimi mbi format e internshipit dhe angazhimit të biznesit në ndërtimin e kurrikulave konkrete.