Dita e dytë në Javën e Hapur të Burimeve Njerëzore, Praktikat e punës si formë e bashkëpunimit mes biznesit dhe sistemeve universitare

Dita e dytë në Javën e Hapur të Burimeve Njerëzore, Praktikat e punës si formë e bashkëpunimit mes biznesit dhe sistemeve universitare

Dita e  dytë e Javës së Hapur në AmCham ka mirëpitur z.Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Grupin Balfin, i cili ka drejtuar diskutimin mbi format e praktikës së punës dhe bashkëpunimin me sistemet universitare.

Praktikat e punës është një proces që shoqërohet me sfida nga të dy palët, pasi të rinjtë vijnë me ide dhe energji sfiduese për kompaninë, ashtu sikurse kompania teston nivelin e tyre të njohurive dhe aftësive që kanë. Kompanitë çdo ditë e më shumë po përqafojnë kulturën e  praktikave mësimore dhe janë të vetëdijshme për përfitimet që sjell ky proces, duke e standartizuar si një proces rekrutimi.

Z. Nosi ka sjellë përvojat e Grupit Balfin kur ka folur për një rritje të ndjeshme të nivelit të kërkesave për praktika mësimore dhe jo vetëm nga sisteme universitare brenda vendit.

”Ne marrim rreth 1300 aplikime në vit dhe mundemi të pranojmë rreth 170 praktikantë, pasi ata kalojnë në procesin e përzgjedhjes dhe integrimit të tyre në kompani, duke përfshirë edhe trajnimin” – tha gjatë takimit Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëziore në Grupin Balfin.

Takimi ka patur diskutime shumë intensive që lidhen me mënyrën e trajtimit të praktikantëve, benefitet dhe format e shpërblimit për orët e tyre të punës. Kompanitë anëtare në takim, shprehën opinionin se format e rekrutimit dhe të trajtimit të praktikantëve janë pothuajse të njëjta me ato të stafeve, mbështetur në filozofinë se nesër ata mund të jenë punonjësit e ardhshëm të kompanisë.

Lidhja me sistemet universitare dhe zyrat e karrierës, është një tjetër sfidë me të cilën përballen bizneset. Eshtë e nevojshme një rritje e bashkëpunimit biznes – universitete, jo vetëm për zhvillimin e praktikave mësimore, por edhe për ndikimin e programeve dhe kurrikulave të cilat i pajisin studentët me njohuri që i shërbejnë tregut të punës.