Anëtarët e AmCham flasin me përfaqësuesin e Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA, Potenciali i DFC dhe mundësitë e bashkëpunimit me biznesin në Shqipëri

Anëtarët e AmCham flasin me përfaqësuesin e Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA, Potenciali i DFC dhe mundësitë e bashkëpunimit me biznesin në Shqipëri

Dhoma Amerikane ka organizuar në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane një sesion informues mjaft interesant me z.Walter Jones,  Drejtorin e Investimeve në Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA (DFC), për Evropën dhe Euroazinë  i cili ka prezantuar për anëtarët e AmCham potencialin  që ofron bashkëpunimi me një prej institucioneve financiare më të fuqishme në botë.

Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA (DFC) është institucioni financiar Amerikan  i cili ofron mundësi të qëndrueshme financimi për projekte në të gjithë sektorët duke përfshirë energjinë, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën kritike dhe teknologjinë. DFC është gjithashtu një mbështetëse financiare  për bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse në mënyrë që të krijojnë vende pune në tregjet në zhvillim duke respektuar parimet themelore të të bërit biznes dhe standardet mjedisore dhe të drejtat e punonjësve.

Detaje më të hollësishme mbi strukturën e DFC-së  dhe mënyrën se si operon, i ka sjellë përmes prezantimit z. Jones duke shpjeguar për të gjithë anëtarët e pranishëm në takim, cilat janë format e financimit dhe kriteret që DFC aplikon. DFC ka potencialin të ofrojë kredi dhe garanci deri në 1 miliard dollarë për periudha kohore deri në 25 vjet, me programe specifike të synuara për biznese të vogla dhe të mesme në Shtetet e Bashkuara. Në instrumentat e saj financiare bëjnë pjesë edhe financimi i borxhit dhe fonde të kapitalit privat për tregjet në zhvillim për të ndihmuar në situatat e mungesës së kapitalit të investimeve.

DFC ndërmerr nisma në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për të identifikuar partnerë potencialë që mund të përdorin mjetet e financimit të DFC për të arritur dhe zgjeruar biznesin e tyrë në tregjet në zhvillim.Takimi me anëtarët e AmCham i shërben pikërisht qëllimit për të njohur biznese potenciale në tregje në zhvillim. Anëtarët e Dhomës Amerikane që përfaqësojnë biznese të mëdha në vend, kanë qënë mjaft të interesuar të bashkëpunojmë me DFC si një mënyrë eficente e financimit të planeve të tyre zhvillimore dhe diversifikimit të biznesit në projekte që kanë nevojë për kapital investues.

“ AmCham mund të jetë koordinator i mirë për të ndërlidhur mundësitë që ofron DFC me nevojat dhe interesat tuaja për të zhvilluar biznesin” – tha gjatë takimit Neritan Mullaj. Takimi ka vazhduar me network-un ku drejtues të AmCham, anëtarë Bordi  përfaqësues nga USAID dhe Ambasada Amerikane kanë ndërvepruar me njëri- tjetrin duke shkëmbyer informacion dhe mundësi të bashkëpunimit.