Në edicionin e dytë të Future2Tech, AmCham Albania solli në qendër të vëmendjes rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke sjellë pranë komunitetit të biznesit përvojën dhe praktikat më të avancuara amerikane. Me këtë event, AmCham konfirmoi rolin e saj si promotor i modeleve inovative amerikane në favor të zhvillimit të biznesit.
Përmes ekspertizës së panelistëve, AmCham solli një qasje të gjithanshme mbi AI, duke trajtuar jo vetëm përfitimet praktike që ofron kjo teknologji, por edhe dimensionet ligjore dhe etike që lidhen me përdorimin e saj. Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane, z. Neritan Mullaj, theksoi rolin e veçantë të Komitetit të Biznesit Digjital në promovimin e praktikave më të mira, duke u fokusuar sidomos tek përvoja dhe modelet amerikane.
Në fjalën e tij, Presidenti i AmCham, z. Grant Van Cleve, nënvizoi se kompanitë amerikane udhëheqin zhvillimin global në fushën e AI dhe se përvoja e tyre po shpërndahet me komunitetin shqiptar të biznesit përmes forumeve të AmCham. Sipas tij, ky transferim njohurish do të ndihmojë bizneset shqiptare të rrisin kapacitetet, të përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe të përshtaten më shpejt me standardet europiane në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Sesioni u moderua nga z. Gerti Boshnjaku dhe u pasurua me kontributet e panelistëve: z. Genti Daci, CEO i MADCOM dhe Kryetar i Komitetit Digjital të AmCham; znj. Adriana Myftari nga InfoSoft, dhe z. Alban Avdulla nga Halimi Law & Tax.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte prezantimi nga znj. Adriana Myftari, nga InfoSoft mbi aplikimet avangarde të AI në disa departamente kritike të biznesit si Burimet Njerëzore dhe Siguria Kibernetike. InfoSoft, si partner lokal i gjigantit amerikan Microsoft, shfrytëzon platforma si Microsoft Copilot në Power BI për të ndërtuar module AI që lehtësojnë ndjeshëm proceset e biznesit dhe rrisin efikasitetin. Ky është një shembull i qartë se si bashkëpunimi me kompanitë amerikane sjell praktika të avancuara që mund të adoptohen me sukses edhe në Shqipëri.
Po ashtu, z. Alban Avdulla nga Halimi Law & Tax solli një analizë të thelluar ligjore mbi përdorimin e AI në praktikat e biznesit, duke bërë një analizë të dy praktikave evropiane dhe atë amerikane. Ai theksoi se Bashkimi Evropian po përqendrohet kryesisht në krijimin e një kuadri rregullator për të zbutur rreziqet, përmes akteve të posaçme si Akti për AI, Akti për të Dhëna dhe Akti për Qeverisjen e të Dhënave. Kjo qasje synon të garantojë transparencë dhe siguri por sjell edhe kufizime.
Në krahun tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin një model më fleksibël dhe avangard. Përmes instrumenteve si AI Blueprint dhe AI Action Plan, SHBA po ndërton një strategji të qartë dhe të orientuar drejt industrisë, duke kombinuar vetë-rregullimin me rregulla të përshtatura sipas sektorëve. Ky model, siç nënvizoi Avdulla, krijon një terren të favorshëm për inovacion, duke u bërë udhërrëfyes për atë se si AI mund të përdoret në mënyrë të përgjegjshme pa frenuar zhvillimin.
Gjatë Forumit Kryetari i Komiteti Digjital z. Genti Daci prezantoi edhe rezultatet e një pyetësori të zhvilluar me 155 kompani shqiptare, i cili ofron një panoramë të qartë mbi perceptimin dhe nivelin aktual të përdorimit të AI në vend.
Gjetjet kryesore të studimit:
- 46.7% e bizneseve shqiptare po ndërtojnë strategji për përdorimin e AI, duke dëshmuar një trend të fortë drejt integrimit të teknologjive të reja.
- 56.1% e shohin AI si mundësi dhe jo si rrezik, çka tregon një transformim domethënës të mendësisë së biznesit shqiptar.
- AI tashmë po përdoret gjerësisht në fusha praktike si burimet njerëzore, marketingu dhe analizat e avancuara, duke sjellë rezultate konkrete në rritjen e efikasitetit.
- Bizneset theksojnë mungesën e një kuadri ligjor dhe etik të qartë si një nga sfidat kryesore për përdorimin e qëndrueshëm dhe transparent të AI.
Përmes forumeve si Future2Tech, AmCham synon të ndërtojë ura bashkëpunimi mes sektorit privat, institucioneve dhe ekspertëve, duke i pajisur bizneset me njohuri, ide dhe orientime konkrete mbi përfitimet dhe sfidat që sjell Inteligjenca Artificiale.