Konferenca ”Ristrukturimi Ekonomik për një Perspektivë të Re” e AmCham dhe Revista Monitor

Konferenca ”Ristrukturimi Ekonomik për një Perspektivë të Re” e AmCham dhe Revista Monitor

Konferenca Ekonomike

Konferenca e AmCham dhe Revistës Monitor ”Ristrukturimi Ekonomik për një Perspektivë të Re” zhvilloi një platformë të shkëmbimit të ideve mbi mënyrën më të mirë të rrugëtimit të ekonomisë shqiptare. Konferenca ekonomike kishte për qëllim të ofronte informacion të përditësuar përmes raporteve nga AmCham dhe Monitor mbi çështjet kyçe që prekin klimën ekonomike dhe propozimet inovative për një perspektivë të re.

Diskutimet u përqëndruan rreth Indeksit të Biznesit dhe gjetjeve të tij, duke u fokusuar në mënyrën se si bizneset identifikojnë dhe japin përparësi çështjeve që ndikojnë në klimën ekonomike. Prioritetet e vendosura nga perceptimi i tyre u bënë objekt i diskutimit mes përfaqësuesve të qeverisë, Parlamentit, organizatave ndërkombëtare dhe analistë ekonomikë, ku secili në këndvështrimin e vet ndërtuan një mozaik të perspektivës ekonomike.

“Kemi pasur një përmirësim te Indeksit, por ende jemi nën kufirin prej 50 pikë. Ka gjëra për të cilat duhet të shqetësohemi si fuqia punëtore, praktikat monopol apo informaliteti  etj”, – tha në përshëndetjen e tij Presidenti i AmCham Albania Grant Van Cleve i cili vendosi theksin në punën që bën organizata përmes Komiteteve dhe ekspertizës së tyre për të diagnostikuar fenomene dhe për të propozuar zgjidhje.

Në përshëndetjen e tij Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh se ”Ndonëse Indeksi tregoi përparime, problemet si mungesa e fuqisë punëtore infrastruktura jo optimale, korrupsioni, burokracitë, mbeten në krye të axhendës sonë te punës”, deklaroi Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit” – duke përmendur në të njëjtën kohë se ka zhvillime pozitive në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve të cilat kanë arritur nivelin më të lartë ndonjëherë, duke i kaluar 100 milionë dollarë, me një bilanc në favor të Shqipërisë. ”Këto konfirmojnë momentin e mirë të ekonomisë shqiptare me rritjen më të lartë në rajon. Shqipëria është bërë një vend që po tërheq investitorët e huaj. Por jo çdo gjë që shkëlqen është flori. Jemi në dijeni për shqetësimet e bizneseve” – u shpreh z.Gonxhja.

Dy sesionet e konferencës të drejtuara nga Arlinda Çausholli, kanë patur si kryefjalë të diskutimit tema që përfshijnë informalitetin, fuqinë e kualifikuar punëtore, monopolet dhe nivelet e taksave, të cilat vazhdojnë të kufizojnë mundësitë për rritje dhe ndikojnë negativisht tek bizneset.

Në sesionin e parë Zv.Ministri i Ekonomisë Sokol Duma, Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Jorida Tabaku, Përfaqësuesja e BERZH Ekaterina Solovova, Akademiku Arben Malaj, nxitën një diskutim të stimuluar nga Indeksi Biznesit i AmCham i prezantuar nga Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj. Për herë të parë në 11 vjet është arritur niveli më i lartë prej 47.57 pikë dhe e rëndësishme është që trendi vazhdon pozitiv. Por jemi ende në zonën e nxehtë pasi indeksi është ende nën 50 pikë”, deklaroi z.Mullaj.

Duke komentuar rezultatin z. Arben Malaj ekspert i ekonomisë, ish-ministër i Financave komentoi se “Koncepti nën 50 pikë nënkupton që është një element shtypës që nuk e lejon ekonominë të zhvillohet. Tre problemet kryesore të Shqipërisë kanë qenë pronat, gjyqësori, korrupsioni”.

Opinionin e vet në lidhje me indikatorin e fuqisë punëtore dhe impaktin e saj në ekonomi, e ka dhënë dhe parlamentarja znj. Jorida Tabaku e cila u shpreh se “Shqetësimet e biznesit në 10 vitet e fundit janë të njëjta që do të thotë që diçka nuk shkon. Shqetësimi kryesor lidhet me problemin e fuqisë punëtore që është i lidhur me largimin e shtresës së mesme”, tha znj. Jorida Tabaku.

Mjaft konstruktiv ka qënë edhe diskutimi i përfaqësues së BERZH znj. Ekaterina Solovova e cila ka shprehur qëndrimin e institucionit duke thënë se ”Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim përdor mekanizmat financiarë për të mbështetur tranzicionin drejt një ekonomie të qëndrueshme që mbështetet në politika që nxisin inovacionin”

Diskutimi vazhdoi në sesionin e dytë ku Ornela Liperi, Kryeredaktore e Revistës Monitor, prezantoi gjetjet e Pyetësorit për Infomalitetin duke hapur një diskutim mes ekspertëve mbi ndikimin e tij në ekonomi dhe zgjidhjet që vijnë prej politikave adekuate. Rreth 61% të anketuarve thanë se informaliteti në ekonomi është rritur gjatë vitit të fundit, përkundrejt 29% që pohuan se nuk ka ndryshuar dhe vetëm 9% që pohuan se është ulur. Pjesë e këtij paneli diskutimi ishin z.Grant Van Cleve, President i AmCham, znj.Diana Leka (Angoni) nga Këshilli i Investimeve, dhe z.Adrian Shehu Kryetar i Komitetit të Investimeve në AmCham.

Çfarë tregoi Indeksi i AmCham këtë vit

Indeksi Biznesit ka shënuar një tjetër rritje të rëndësishme në 2023 prej 4.16 pikësh duke vendosur rezultatin më të lartë në 11 vitet e fundit prej 47.57 nga 100 pikë të mundshme. Ka reflektuar një perceptim optimist të komunitetit të AmCham, por që në vlerësimin e tyre objektiv nuk e ka kaluar nivelin e 50 për qindshit duke mbetur në zonën e nxehtë që simbolizon ngjyra e kuqe.

Indeksi i Biznesit mat perceptimin e biznesit për 27 indikatorë makro. Në tabelën e përgjithshme çdo vit vihen re disa indikatorë që marrin vlerësim pozitiv në rritje.

E veçanta e këtij viti është se anëtarët e AmCham kanë vlerësuar me një rritje të madhe indikatorin e performancës se ekonomisë shqiptare +13.99 pikë. Ky rezultat bëhet edhe më i qartë kur vë re korrelacionin për klimën e biznesit që ka shënuar një rritje prej +5.02 pikë.

Ndërkaq anëtarët kanë shprehur përmes vlerësimit shqetësimin për “Siguria per financime ne zhvillimin e biznesit” i cili ka shënuar një ulje prej 0.02 pikë apo “Kërkesa per mallra e shërbime për Eksport” që ka pësuar një ulje -3.29 pikë. Vihet re se pas dy viteve me një vlerësim pozitiv në marrëdhëniet me institucionet, ’’Marrëdhëniet me Tatimet’’ ka pësuar një ulje të lehtë prej -0.31.

Janë pesë çështje themelore që vazhdojnë të mbeten në zonën e nxehtë të Indeksit të Biznesit. Gjetja e forcave të kualifikuara, monopoli dhe konkurrenca e pandershme, informaliteti, burokracia qeveritare dhe niveli i taksave, janë pesë çështjet në krye të listës së shqetësimeve të anëtarëve të AmCham.

Indikatori i “Gjetjes së forcave të kualifikuara të punës” ka një përmirësim të lehtë këtë vit me dy pikë. Por 74 për qind e të anketuarve e kanë vlerësuar si të vështirë gjetjen e punonjësve. Ndërkaq Informaliteti ka një vlerësim të ulët vetëm 35.71 pikë nga 100 të mundshme.