Presidenti i AmCham, Enio Jaco: Dy investimet Amerikane, Shqipëria do testohet vazhdimisht. Shqipëria, mundësi të fitojë garën rajonale.

Presidenti i AmCham, Enio Jaco: Dy investimet Amerikane, Shqipëria do testohet vazhdimisht. Shqipëria, mundësi të fitojë garën rajonale.

Presidenti i AmCham, Enio Jaco: Dy investimet Amerikane

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço foli për klimën e biznesit si dhe perspektivën e investimeve amerikane në Shqipëri në një intervistë me gazetarin Neritan Sejamini në emisionin “Me Pak Fjalë”.  

Presidenti Jaço tha se “Kapacitetet e Shqipërisë do testohen në mënyrë të vazhdueshme ndoshta gjatë viteve të ardhshme, në lidhje me bërjen realitet të këtyre investimeve (HEC i Skavicës dhe Tec-i Vlorës). Potenciali është shumë i madh sepse janë të dyja investime në energji dhe është e mundur që Shqipëria të bëhet një forcë rajonale energjetike dhe mund të bëhet një lojtar interesant në një lëvizje që ka të bëjë me furnizimin e energjisë nga Rusia apo vende të tjera nga Lindja. Kjo e bën Shqipërinë interesante edhe si një lojtar në aspektin gjeopolitik. 

Neritan Sejamini: Dhoma Amerikane e Tregtisë është dhoma më e madhe e tregtisë në Shqipëri, ka 222 anëtarë, me një xhiro vjetore prej 3.1 miliardë Dollarë, që është marramendëse për një dhomë tregtie, gati 1/5 e ekonomisë së Shqipërisë. Duhet të jetë përgjegjësi drejtimi i një Dhome të tillë 

Enio Jaço: Dhoma Amerikane ka një peshë të rëndësishme. Para një viti, ne vjet festuam 20 vjetorin. Dhoma ka pasur një shtrirje të gjerë dhe më vjen shumë mirë që gjithmonë e më tepër bizneset kërkojnë ti bashkëngjiten Dhomës. Kemi kompani multinacionale që janë pjesë e Dhomës, kompani shqiptare që duan të krijojnë lidhje tregtare me Amerikën. Jemi të kënaqur me vëmendjen që Dhoma ka.  

Neritan Sejamini: Kush mund të bëhet anëtar i Dhomës, çdo lloj sipërmarrjeje? Apo sipërmarrje që duhet të kenë me patjetër një lloj lidhjeje me SHBA? 

Enio Jaço: Duhet të kenë një lidhje me SHBA por në të njëjtën kohë ka dhe anëtarë që nuk e kanë një lidhje por që aspirojnë të ndërtojnë lidhje komerciale me Amerikën. Ne kemi kriteret tona, jo kushdo mund të bëhet anëtar i Dhomës. 

Neritan Sejamini: Ju si Dhomë Amerikane keni qenë shumë aktiv për të matur veçanërisht opinionin e anëtarëve tuaj. A mund të na bëni një pasqyrë të sentimentit të anëtarëve dhe ekonomisë në përgjithësi 

Enio Jaço: Vitin e kaluar ne kemi pasur disa zhvillime, të cilat na e kanë ndryshuar edhe ne, edhe anëtarëve sentimentin. Në radhë të parë, kemi pasur një investitor amerikan, i cili erdhi për të investuar në aeroportin e Rinasit. Pati një incident, një përfundim negativ, ai u kthye mbrapsht dhe ndoshta tani është nëpër gjyqe ndërkombëtare. Kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e të gjithëve sepse u përballëm me pafuqinë e një investitori, qoftë edhe investitor amerikan për të bërë një investim këtu. 

Ngjarja e dytë, e cila na tërhoqi vëmendjen ishte rënia e Shqipërisë në renditjen e raportit të Bankës Botërore “Doing Business”. Ai është një raport që klasifikon të njëjtat vende, me të njëjtën metodologji dhe rënia ishte serioze por edhe klasifikimi. Edhe më parë ne ishim ndër vendet e fundit në renditjen e këtij raporti dhe vazhdojmë të jemi ndër vendet e fundit për sa i përket konkurrueshmërisë. 

Dhe e treta, dhe me rëndësishmja ishte Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili mat ndërgjegjen e anëtarëve në lidhje me klimën e biznesit. Ishte një rënie shumë e madhe me 5 %, sepse zakonisht lëviz nga 0 në 1 %.  

Neritan Sejamini: Çfarë mat indeksi 

Enio Jaço: Indeksi mat mënyrën se si bizneset mendojnë sa e përshtatshme është klima e biznesit në Shqipëri. Është një matje nga 0 deri në 100, mbi 50 futet në zonën pozitive, nën 50 futet në një zonë problematike. Varionte nga 43, 44 apo 45 %, tani ka rënë në 38 %. Ka qenë një rënie serioze, ndaj dhe na dëgjoni shpesh të flasim për klimën e biznesit dhe diskutojmë aspektet e saj.  

Neritan Sejamini Duke nisur nga indeksi i vitit të shkuar, klima politike e brendshme, është ajo e cila ka pasur përkeqësimin më të madh, dhe duket është faktor për pengimin e zhvillimit të biznesit, janë monopolet dhe konkurrenca e padrejtë, pastaj vjen mungesa e stafit të kualifikuar vendas, performanca e ekonomisë dhe klima e biznesit. E gjitha kjo tremb biznesin e huaj. 

Enio Jaço: Edhe biznesin e brendshëm. Të gjitha këto faktorë krijojnë një klimë të pafavorshme, një klimë pasigurie. Është interesante se për herë të parë klima politike ka dalë si çështja e parë e anëtarëve të Dhomës. Monopolet dhe konkurrenca është një çështje e vazhdueshme, ka të bëjë me vendosjen e rregullave të lojës. Në shumë fusha kemi disa monopole, është mirë të mos jenë. Kur ke një monopol është shumë vështirë të hysh në atë sektor dhe ta konkurrosh. Ka të bëjë me rregullat e lojës, të cilat duhet të jenë transparente dhe të barabarta për të gjithë, ku bizneset të mund të fokusohen tek zhvillimi i shërbimeve dhe produkteve të tyre. Pra, një klimë e ndershme ku ata mund të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me njëri tjetrin.  

Neritan Sejamini: Nëse flasim për mungesën e personelit vendas të kualifikuar? Për çfarë bëhet fjalë? 

Enio Jaço: Bëhet fjalë për të gjitha hallkat e krahut të punës. Kemi një fokus më të lartë për klasën punëtore, e cila kërkon dije më të avancuara. Teknologjia ndryshon shpesh, nga viti në vit, kjo duhet shoqëruar me dije të reja, shpesh herë bizneset i bëjnë këto investime por shpesh duhet t’i drejtohen tregut të punës.  

Flasim për teknikë, për arsim të lartë nuk po flasim për Artificial Intelligence edhe pse në botën digjitale kërkohen dije që janë të avancuara. Por bizneset në të gjitha fushat kërkojnë të avancojnë, kemi një numër të lartë biznesesh që kanë mundësi të rriten dhe nuk e kanë mundësinë të gjejnë një staf të kualifikuar që mund të konkurrojë jashtë Shqipërisë. Kur i pyet bizneset, ata thonë që ky është një nga problemet kryesore.  

Neritan Sejamini: Ekonomia dhe struktura e saj sa ndikon tek klima e biznesit.. 

Enio Jaço: Sa më e shpejtë të jetë rritja ekonomike aq më shumë mundësi kanë bizneset të rriten. Nëse bëjmë një krahasim me Ballkanin Perëndimor, të ardhurat e PBB të Shqipërisë janë ndër më të ulëtat. Kjo është një nga mangësitë e ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër, është struktura e ekonomisë shqiptare, edhe sa konkurruese është kjo strukturë. Çfarë ofron për investitorët e huaj? Çfarë ofron për investitorët e brendshëm? 1 milionë dollarë janë më të vlefshme të investohen në Shqipëri? Apo janë më të vlefshme të investohen në Maqedoninë e Veriut? Këto janë pyetje shumë të mprehta për bizneset.  

Neritan Sejamini: Duket sikur këtë lloj konkurrence në rajon Shqipëria e ka humbur? 

Enio Jaço: Duhet të jemi realist. Në 20-30 vitet e fundit Shqipëria ka pasur një zhvillim të madh ekonomik, por në të njëjtën kohë pozicioni që ne kemi në këtë moment është jo i favorshëm. Një nga mangësitë kryesore që ne shikojmë por që edhe investitorët botërorë shikojnë është raporti “Doing Business” i Bankës Botërore.  

Në të njëjtën kohë, personalisht unë mendoj por edhe shumë njerëz mendojnë që potenciali i Shqipërisë është shumë i madh, është më i madh ndoshta edhe nga sa ne mendojmë dhe perceptojmë në punën tonë të përditshme.  

Neritan Sejamini: Pse e thoni këtë 

Enio Jano: Në rradhë të parë kemi një pozicion gjeografik të favorshëm, një nga më të favorshmit në Ballkanin Perëndimor. Jemi një vend, aleat i fortë me SHBA, aspirojmë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, vend i NATO-s, një vend me siguri të lartë, me popullsi të re, investitorët që vijnë gjejnë një terren jashtëzakonisht shumë miqësor, forcë punonjëse të re, e gatshme dhe e prirur për të marrë dije të reja. Duket si një vend, pothuajse ëndërr për të investuar.  

Neritan Sejamini: Pra, çfarë na ka dhënë natyra dhe zoti jemi të avancuar, mungon ajo që kemi krijuar vet… 

Enio Jaço: Duhet të përmirësojmë rregullat. Klima e biznesit është komplekse, ka të bëjë me ligjet, me incentivat që duhet t’u ofrohen investitorëve, rregulla transparente dhe të barabarta, të mos ketë favoritizëm.  

Personalisht mendoj se në 10  vitet e ardhshme, Shqipëria ka një mundësi të artë për të avancuar dhe për t’u bërë konkurrent, nga vendi i fundit dhe i parafundit që është në renditjen e Ballkanit Perëndimor, për t’u bërë vendi i parë ose i dytë në rajon.   

Neritan Sejamini: Cilat do ishin disa nga reformat…. 

Enio Jaço: Dhoma Amerikane ka bërë një punë të madhe 9 muajt e kaluar në lidhje me klimën e biznesit, tashmë jo për të ndërgjegjësuar palët sepse e kemi kaluar fazë por për të bërë rekomandime specifike, të cilat do t’i publikojmë pas zgjedhjeve dhe tashmë i kemi ndarë tashmë me forcat politike.  

Në rradhë të parë ne mendojmë se Shqipërisë i duhet një platformë e qartë, strategji investimesh. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për investime të huaja por edhe investime të brendshme. Bëhet fjalë për një strategji mbi sektorët ku mund të investohet, incentivat, infrastruktura që planifikon të ndërtojë qeveria qendrore apo bashkitë.  

E dyta, është shumë e rëndësishme që të luftohet korrupsioni, ne do të prezantojmë një program specifik antikorrupsion. Konsultimet publike, një problem personal i Dhomës, sepse një pjesë e rëndësishme e punës që ne bëjmë është ajo që ne e quajmë advocacy, lobimi, pra ne bëjmë propozime dhe rekomandime të ndryshme për përmirësimin e klimës së biznesit apo përmirësimin e ligjeve me të cilat bizneset punojnë. Konsultimi publik është i rëndësishëm jo vetëm për bizneset por edhe për qytetarët. Ne kemi ligjet, por nuk funksionojnë siç duhet, nuk zbatohen në mënyrën e duhur dhe mendojmë se konsultimi është pjesë integrale e përfshirjes së të gjitha grupeve sociale në vendimmarrje. Janë gjithashtu sektorë të tjerë me rëndësi, siç është ekonomia digjitale apo eksportet shqiptare, modernizimi i sistemit të taksave edhe kualifikimi i fuqisë punëtore.  

Neritan Sejamini: Ju thatë që duhet lobuar por duhet bërë edhe trysni që forcat politike ti reflektojnë këto shqetësime 

Enio Jaco: Më duhet të jem pjesërisht dakord me ty, në sensin që nuk kemi vënë re reflektim, kemi pritur dhe kemi pasur një pritshmëri për hir të së vërtetës, për të parë programe specifike për reformën ekonomike që duhet të ndërmerret. Programet nuk kanë qenë thellësisht të detajuara. Megjithatë unë jam optimist. Optimizmin e gjej tek ndërgjegjësimi që ka ndodhur vitet e fundit në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit. Kur ne bisedojmë me drejtues të forcave të ndryshme politike gjejmë një dakordësi në lidhje me rëndësinë që reforma ekonomike ka dhe dëshirën për ta bërë këtë reformë. Dua të jem optimist në këtë sens. 

Neritan Sejamini: Flasim për investimet amerikane në Shqipëri, të cilat kanë qenë të pakta vitet e fundit. Krahas pengesave objektive si tregu i vogël, kanë ndikuar faktorë të tjerë për ti mbajtur larg këto investime. 

Enio Jaço: Po e ndaj përgjigjen në dy pjesë. Së pari, tregu i vogël, është e vërtetë që nuk tërheq investime, sidomos investime të mëdha. Por duhet ta vendosim veten në gjetjen e një pozicioni të favorshëm në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor po bëhet një rajon interesant për investitorët e huaj, ka një orientim drejt Europës dhe si e tillë konsiderohet që risku politik do vijë duke u ulur dhe për rrjedhojë investimet në këto vende do jenë interesante.  

Në këtë moment, duhet të vendoset një pozicion i rëndësishëm në Ballkan dhe besoj se Shqipëria e ka këtë mundësi. Të gjitha vendet janë të vogla, por Shqipëria është një nga vendet më të mëdha, e dyta pas Serbisë, është një nga vendet që ka influencë të rëndësishme, mund të ketë influencë edhe më të madhe. Katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor flet shqip. Mund të kemi një ekonomi më të integruar se sa kjo që kemi sot. Mënyra se si investitorët e mendojnë është se duan të vendosen në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të mbulojë gjithë rajonin. Ky vend mund të jetë Shqipëria. Pra, është shumë e rëndësishme që ta bëjë këtë reformë dhe të mendojmë më gjerë se sa fakti që Shqipëria është një vend i vogël. Kjo është njëra pengesë që duhet të adresohet duke përmirësuar konkurrueshmërinë. 

Shpesh herë dëgjoj kolegë të ndryshëm që thonë pse nuk vijnë investitorë të huaj. Ata që merren me investimet e trajtojnë këtë çështje si një magnet. Duhet të bëhesh si një magnet në mënyrë që të tërheqësh, nuk mund të presësh që dikush të vijë në Shqipëri vetëm se është koha e bukur dhe njerëzit janë miqësorë dhe flasin anglisht. Duhet të krijojmë këtë magnetin dhe nëse nuk e krijojmë asnjëherë investitorë të huaj nuk do vijnë.  

Neritan Sejamini: Kohët e fundit ka pasur dy zhvillime pozitive, një marrëveshje me kompaninë ExxonMobile për të eksploruar prodhimin e gazit në Vlorë dhe një tjetër marrëveshje për hecin e Skavicës me kompaninë Behtel. Sa gjasa ka që këto dy marrëveshje të konkretizohen në vitet në vijim.. 

Enio Jaço: Janë marrëveshje shumë të rëndësishme dhe ka gjasa reale, interesa reale tashmë të vendosura në nivel marrëveshjeje. Një meritë për këto marrëveshje ka ambasada e SHBA në Shqipëri ashtu si edhe qeveria shqiptare, sepse të dyja kanë punuar shumë mirë me njera tjetrën për t’i mundësuar këto investime. Janë të dyja investime shumë të mëdha por janë në fazat e para.  

Kapacitetet e Shqipërisë do testohen në mënyrë të vazhdueshme ndoshta gjatë viteve të ardhshme, në lidhje me bërjen realitet të këtyre investimeve. Potenciali është shumë i madh sepse janë të dyja investime në energji dhe është e mundur që Shqipëria të bëhet një forcë rajonale energjetike dhe mund të bëhet një lojtar interesant në një lëvizje që ka të bëjë me furnizimin e energjisë nga Rusia apo vende të tjera nga Lindja. Kjo e bën Shqipërinë interesante edhe si një lojtar në aspektin gjeopolitik. 

Neritan Sejamini: Dhe një pyetje aspektin personal, ju keni punuar sektorin bankar Shtetet e Bashkuara Amerikës, sektorin bankar këtu, keni përvojë vendet zhvillim, keni qenë Afganistan me projekte zhvillimore, keni njohuri sektorin e biznesit nga një pikëpamje tjetër, ajo e AmCham. Personalisht nga vendet e zhvilluara, vendet e pazhvilluara si e shihni Shqipërinë, dekadën e ardhshme nga pikëpamja ekonomike 

Enio Jaço: Shumë komplekse. Unë vet jam një optimist i kujdesshëm. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm. Deri tani kemi pasur një progres ekonomik por që na ka çuar në nivelin e avancuar të vendeve në zhvillim, në këtë moment duhet të kalojmë në një kategori tjetër.  

Kemi qenë në kategorinë e tretë tani duhet të kalojmë në kategorinë e dytë. Për të dalë në kategorinë e dytë duhet të ndryshojmë disa gjëra, siç janë rregullat e lojës, strukturën në të cilën ne punojmë. Mendoj se i kemi të gjitha kushtet për t’i bërë. Shumë i rëndësishëm është vullneti politik. Ndërgjegjësimi është gjithashtu shumë i rëndësishëm, aftësitë teknike gjithashtu. Kemi aleatë të cilët mund të na ndihmojnë dhe do jetë interesante për të parë në katër apo pesë vitet e fundit se ku do mbërrijë Shqipëria. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *