Dhoma Amerikane organizon Asamblenë e Përgjithshme, Zgjidhen drejtuesit e rinj në Bord

Dhoma Amerikane organizon Asamblenë e Përgjithshme, Zgjidhen drejtuesit e rinj në Bord

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri organizoi Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë, një nga eventet më të rëndësishme, e cila mbledh bazën e gjerë të anëtarësisë dhe zgjedh drejtuesit e rinj në Bord. Takimi u përshëndet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete dhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. David Wisner. Votimi në Asamble shërbeu për të zgjedhur Presidentin, Sekretarin dhe dy anëtarë Bordi.

Dhoma Amerikane është rritur dhe sofistisikuar si organizatë dhe është e gatshme për sfida të reja. Ishte ky mesazhi i Presidentit në largim, z. Enio Jaço, i cili bëri në prezantimin e tij një rezyme të punës së Dhomës, ndikimit në klimën e biznesit dhe sfidave që e presin në të ardhmen.

Z. Mullaj theksoi në fjalën e tij se Dhoma Amerikane e reflekton në statistikat e saj impaktin e punës, duke shënuar nivelin më të lartë të mbajtjes së anëtarësisë në gjithë historinë e Dhomës, një bazë e fortë kompanish amerikane dhe procese të suksesshme lobimi. Drejtori Ekzekutiv, z. Neritan Mullaj, e falenderoi z. Enio Jaço për gjithë kontributin dhe angazhimin aktiv në zhvillimin organizatës gjatë këtyre gjashtë viteve të punës në Bord.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, shpreu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Dhomën Amerikane në funksion të përmirësimit të klimës jo vetëm për anëtarët e Dhomës, por për gjithë komunitetin e biznesit dhe për të zhvilluar parametra të qëndrueshëm makroekonomikë.

I ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. David Wisner, vlerësoi miqësinë mes dy popujve si baza më e qëndrueshme e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale ekonomike dhe e punës për të rritur investimet amerikane në vend. Z. Wisner falenderoi Dhomën Amerikane për punën që po bën në këtë drejtim, në promovimin e iniciativave të reja siç ishte dhe Konferenca “Smart City” dhe siguroi për një bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

Anëtarët zgjedhin Drejtuesit e rinj në bord

Asambleja e Përgjithshme është edhe momenti i zgjedhjes së drejtuesve të rinj në Bord. Pozicionet vakante për të cilat u konkurrua, ishin Presidenti, Sekretari dhe dy anëtarë Bordi. Gjatë sesionit të dytë, të gjithë kandidatët u prezantuan përpara anëtarëve, duke shpallur platformat e tyre për mënyrën se si mendojnë se mund të kontribuojnë në Bordin e Dhomës Amerikane.

Në përfundim të procesit të votimit, u shpallën fitues z. Grant Van Cleve, si President i AmCham, z. Dritan Nako si Sekretar, z. Ilir Rudi dhe z. Reshard Këlliçi, si Anëtarë Bordi.