Dhoma Amerikane flet me ekspertët në Javën Globale të Sipërmarrjes mbi: Siguria kibernetike dhe format e mbrojtjes

Dhoma Amerikane flet me ekspertët në Javën Globale të Sipërmarrjes mbi: Siguria kibernetike dhe format e mbrojtjes

Java Globale e Sipërmarrjes” e organizuar nga Ministria e Sipërmarrjes, ka angazhuar  Dhomën Amerikane në organizimin e forumit me temën “Siguria kibernetike – Me çfarë të mbrohen bizneset shqiptare”.  Paneli i përbërë nga ekspertë të fushës ligjore dhe teknologjisë së informacionit, është moderuar nga Kryetarja e Komitetit të Biznesit Digjital Linda Shomo, e cila e ka orientuar diskutimin në ndërthurjen mes legjislacionit dhe teknikave, në ndërtimin e sistemeve mbrojtëse kundër sulmeve kibernetike.

Duke përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit, Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj u shpreh se Dhoma Amerikane e ka filluar këtë proces përmes Konferencës Rajonale Smart City ku gjigandë të teknologjisë referuan mbi format më të mira të mbrojtjes së biznesit. Forumi është  hapi i dytë për të sjellë bashkë ekspertët më të mirë të fushës në informimin e biznesit.

Një pasqyrë interesante të ndryshimeve ligjore që po sjell ligji i ri i cili pritet të miratohet së shpejti në Parlament, është përcjellë nga specialistja e AKCESK, Anxhela Brahimi, e cila e ka vendosur theksin në zhvillimet kryesore të ligjit dhe çfarë duhet të kenë në konsideratë bizneset.  Një informacion të përditësuar mbi trendet globale dhe kulturën organizative në investimin mbi mbrojtjen kibernetike e ka sjellë në fjalën e saj znj. Albana Karapanço, Kryetare e Komitetit Ligjor. Dinamikat gjeopolitike kanë patur ndikimin e vet dhe kanë kushtëzuar një rritje të vëmendjes së CEO-ve tek kompanitë e mëdha. Disa nga raportet e fundit nga Forumi Ekonomik Botëror provojnë zhvillimin e një trendi ku kompanitë e mëdha kanë jo vetëm CEO por dhe drejtues për teknologjinë e informacionit që po marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi në mbarëvajtjen e kompanisë.  

Për anën teknike të informacionit mbi sigurinë kibernetike ka folur Besmir Skënderi, specialist për sigurinë kibernetike, i cili ka trajtuar mjetet që bizneset duhet të dinë dhe të njohin. Z. Skënderi ka shpjeguar taktika dhe teknikat të cilat përdoren gjatë sulmeve kibernetike dhe ka treguar për mënyrat se si mund të mbrohen duke zbatuar protokollet e përcaktuara për mbrojtjen kibernetike.

Ekspertët në panel kanë ndërvepruar me pjesëmarrësit mbi pyetjet e shumta që kanë dalë gjatë diskutimit por që ravizojnë qartë nevojën e krijimit të një infrastrukture të fortë ligjore për të investuar në sisteme adekuate mbrojtjeje. Duke folur për këtë çështje Ministrja e Sipërmarrjes Delina Ibrahimaj është shprehur se ligji i ri synon të mbrojë infrastrukturat kritike dhe është e nevojshme që të punohet për ndërgjegjësimin e bizneseve të vogla e të mesme që janë pjesë e ekosistemit dhe duhet të jenë të informuar.