Dhoma Amerikane e Tregtisë, në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, z. Besmir Beja, zhvilloi takimin e përvitshëm të konsultimit me komunitetin e biznesit, një iniciativë që tashmë është konsoliduar si traditë e rëndësishme në marrëdhëniet institucionale mes palëve. Këto takime kanë shërbyer si një mekanizëm efektiv për ruajtjen e një dialogu të vazhdueshëm, duke u mundësuar kompanive anëtare të Dhomës Amerikane të adresojnë sfidat kryesore që hasin në ndërveprimin e tyre me administratën doganore.
“Kemi një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi dhe mund të them se ka qenë mjaft efektiv, pasi në vite kemi adresuar çështje dhe kemi gjetur përballë gatishmërinë e administratës jo vetëm për t’u përgjigjur, por edhe për të dhënë zgjidhje”, – tha gjatë fjalës së tij Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj, duke vlerësuar rolin e dialogut efiçent me administratën.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z.Besmir Beja, informoi pjesëmarrësit mbi progresin e bërë në procesin e përafrimit të legjislacionit doganor shqiptar me standardet dhe acquis communautaire të Bashkimit Evropian, si dhe mbi investimet e vazhdueshme për modernizimin dhe avancimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit. Mes të tjerave, z. Beja përmendi ndërtimin e sistemit të tranzitit, për të cilin biznesi duhet të fillojë ta njohë dhe të mësojë të ndërveprojë, pasi kjo është mënyra se si punohet edhe në vendet e BE-së.
“Doganat kanë një rol mjaft të rëndësishëm, pasi ne do te jemi porta hyrëse në BE dhe mënyra se si operojmë ne do të tregojë se si vendi po integrohet me tregun evropian”, – tha z. Beja gjatë fjalës së tij.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kuadrit të ri rregullator që lidhet me funksionimin e tregut të përbashkët evropian dhe ndryshimeve që pritet të ndikojnë aktivitetin tregtar në vitet në vijim. Në këtë kontekst, u theksuan gjithashtu përfitimet konkrete që sjell statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar, si një instrument kyç për lehtësimin e tregtisë, rritjen e sigurisë së zinxhirit të furnizimit dhe forcimin e besueshmërisë së operatorëve ekonomikë në raport me administratat doganore.
Më tej, znj. Alketa Uruçi, Kryetare e Komitetit të Taksave dhe Doganave pranë Dhomës Amerikane, e cila ka qenë në vite pjesë e takimeve të Dhomës Amerikane me Drejtorinë e Doganave, vlerësoi doganën si një model funksional të administratës dhe dialogun e vendosur si mjeti më efikas i zgjidhjes së problemeve që kalon biznesi. Znj. Uruçi paraqiti një përmbledhje të çështjeve kryesore të ngritura nga kompanitë anëtare në kuadër të punës së Komitetit.
Qëllimi i këtyre diskutimeve ishte identifikimi i zgjidhjeve konkrete që kontribuojnë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, rritjen e transparencës dhe efikasitetit të proceseve doganore, si dhe forcimin e partneritetit mes sektorit publik dhe atij privat.
Dhoma Amerikane dhe Drejtoria e Doganave do të vazhdojnë bashkëpunimin institucional për të adresuar në kohë çështjet që vijnë nga komuniteti i biznesit të AmCham.
















