- Banka e Shqipërise ka bërë të ditur se në 2021 u shënua niveli më i lartë që prej 2009 i reminetancave, me një vlerë prej 761 milion euro. Si e vlerësoni ju nga ecuria juaj e punës?
Të dhënat operacionale të UFT tregojnë se gjatë viteve të fundit, fluksi i dërgesave/remitancave në drejtim të Shqipërisë ka njohur rritje të rëndësishme.
Në opinionin tim janë një numër faktorësh që kanë çuar në këtë tendencë të remitancave. Një nga arsyet kryesore patjetër ka të bëjë me rikthimin e trendeve migratore të shqiptarëve drejt vendeve të zhvilluara në vitet e fundit, gjë që ka ndikuar në rifreskimin e diasporës shqiptare në vendet perëndimore dhe rrjedhimisht ka reflektuar në një efekt pozitiv në flukset e remitancave në Shqipëri.
Nevoja e shtuar për mbështetje financiare ndaj familjeve të tyre në Shqipëri gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, gjatë viteve 2020-2021 ka qenë një nga arsyet e rritjes së fluksit të remitancave në vend!
Kjo tendencë gjatë pandemisë çoi në reduktimin e përdorimit të kanaleve informale, si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjeve mes shteteve, duke sjellë rritje të ndjeshme të kanalizimit të remitancave nga rrugët joformale në ato formale/zyrtare tek i gjithë rrjeti i operatorëve financiarë në vend.
Gjatë periudhës së pandemisë, transfertat online shënuan rritje eksponenciale, duke ndikuar direkt në rritjen e volumit të transfertave drejt Shqipërisë. Kjo u favorizua padyshim, edhe nga tarifat shumë të ulëta të ofruara në shërbimet online të operatorëve të transfertave të parave.
Ajo që kemi konstatuar gjatë viteve të fundit është rritja e ndjeshme e mënyrës së transferimit të parave, duke përdorur kanalet online dhe ruajtja e niveleve të transaksioneve që kryhen në agjenci fizike. WESTERN UNION prej vitesh ka hedhur në treg shërbimin e transfertave online të parave, duke mundësuar dërgesat e parave me tarifa shumë të ulëta, pa pasur nevojën e pranisë fizike, gjë që ka sjellë rritjen e volumeve të transfertave.
Gjithashtu aplikohen nivele mjaft ekonomike tarifash edhe për transaksionet që kryhen në rrjetin fizik të agjencive Western Union, duke bërë të mundur ofrimin e shërbimit për një pjesë shumë të madhe të klientelës, që ndihet komode me këtë mënyrë shërbimi.
Prania fizike në Shqipëri, me një rrjet tejet të gjerë pikash shërbimi, duke mbuluar edhe zonat më rurale, si dhe ofrimi i një shërbimi cilësor, ka ndikuar në aksesin edhe më të gjerë të popullsisë në shërbimet financiare, duke ndikuar automatikisht pozitivisht edhe në flukset e remitancave.
- Çfarë produktesh dhe shërbimesh ofron tregu financiar për kategorinë e emigrantëve dhe konkretisht si i shërben kësaj kategorie Western Union?
Western Union është lider global në transfertat e parave dhe shumë shërbime të tjera pagesash kudo në botë. Me 170 vite eksperiencë, platforma e Western Union mundëson lëvizjen e parasë në mbi 200 shtete dhe territore kudo në botë duke lidhur kështu jo vetëm emigrantët me familjet e tyre, por edhe bizneset, institucionet financiare, etj. nëpërmjet rrjetit gjigand të pikave të shërbimit kudo në botë, aksesit të llogarive bankare, e-wallets dhe kartave.
Me rritjen e përdorimit të shërbimeve online Western Union ka përshtatur edhe shërbimet e tij për t’iu përshtatur zhvillimeve teknologjike dhe për t’iu ofruar emigrantëve më shumë lehtësi e diversitet. Edhe në Shqipëri ne kemi vite tashmë që mundësojmë ofrimin e shërbimeve dixhitale online, sikurse dhe shërbime të tjera të cilat lançohen në mënyrë të vazhdueshme për klientët tanë shoqëruar gjithmonë me tarifa edhe më ekonomike, duke mundësuar që Western Union të jetë lider në tregun e remitancave.
- Mendoni se ekonomia e vendit dhe tregu financiar në vend do të vazhdojë të mbështetet tek reminetancat?
Në parim, si fenomen i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me emigracionin, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi, ku nivelet e larta të emigrimit të popullsisë shoqërohen me flukse remitancash, të cilat dërgohen nga emigrantët për të mbështetur familjarët në vendet e origjinës. Me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar, vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe rënie e tyre dhe zakonisht ky është një cikël 10-15-vjeçar. Në këtë kontekst, edhe në Shqipëri, trendi i remitancave “ka ndjekur” parimin e mësipërm.
Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve drejt vendeve të Europës perëndimore, kanë sjellë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim. Si rrjedhojë, vërehet një prirje pozitive e remitancave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto tendenca migratore dhe mbështetjen e emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri.
Referuar edhe përvojave të tregut, mendoj se edhe në vitet e ardhshëm, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm, do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend. Këto fonde janë të domosdoshme për jetesën e shumë familjeve dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi.
Remitancat, ndër vite, kanë pasur një peshë mes 8% – 13% të PBB-së, gjë që e bën të qartë ndikimin shumë të madh që kanë në ekonominë shqiptare. Vlerësohet se, afërsisht një e katërta e familjeve shqiptare kanë varësi të plotë nga remitancat.
- Si e vlerësoni kuadrin ligjor për zhvillimin e tregut financiar në vend?
Në perceptimin personal, Banka e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë penguese/frenuese për të licencuar aktorë të rinj që plotësonin kërkesat ekzistuese ligjore dhe rregullative. Në këtë kuptim, mendoj se Banka e Shqipërisë ka luajtur rol pozitiv në drejtim të nxitjes së konkurrencës në tregun e shërbimeve financiare në vend.
Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” përafron direktivën e dytë europiane të pagesave PSD2 dhe është një hap i rëndësishëm, sepse u krijon më shumë mundësi kompanive fintech për të depërtuar dhe për të zgjeruar aktivitetin në treg. Ai rrit njëkohësisht bashkëpunimin me bankat e nivelit të dytë, është një dritare më tepër për institucionet financiare. Mendoj se kjo është një hallkë e domosdoshme dhe shtytëse në këtë industri, edhe për faktin se bankat tradicionalisht janë më të ngurta kur bëhet fjalë për bashkëpunime apo integrime sistemesh, edhe për shkak të profilit dhe fokusit të tyre.
- Çfarë do të sugjeronit ju të përmirësohej?
Implementimi i Ligjit të Pagesave mund të sjellë impakt pozitiv në tregun e shërbimeve financiare. Ndërkohë, thelbësore mbetet rritja e përpjekjeve për të patur një ambient ku mbizotëron konkurrenca e ndershme dhe eleminimi i informalitetit. Përmirësimi i kapaciteteve profesionale të administratës publike është gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme dhe me ndikim të madh në ecurinë e procesit.
Sa më sipër janë ngritur si shqetësime edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.