Kur teknologjia ndihmon për sigurinë e mjeteve rrugore

Kur teknologjia ndihmon për sigurinë e mjeteve rrugore

AmCham Albania, DPSHTRR dhe Infosoft Systems dhe Motorola Solutions prezantojnë projektin e eMonitorimit

Automatizimi i proçeseve të monitorimit, sidomos kur vjen fjala për sigurinë e automjeteve në rrugë, është i rëndësishëm. Për ta sofistikuar këtë proçes nëpërmjet teknologjisë, DPSHTRR po angazhon në programet e veta dhe një prej zgjidhjeve inteligjente të ofruar nga kompania amerikane Motorola Solutions.

Për të prezantuar risinë që sjell ky projekt, Dhoma Amerikane organizoi në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Transportit Rrugor, Infosoft Systems shpk, dhe partner kompaninë amerikane Motorola Solutions, eventin me temë “Digjitalizimi i Shërbimeve me Teknologji Avangardë”

Projekti është një platformë që konsiston në monitorimin e mjeteve në qarkullim, duke përdorur teknologji amerikane të ndërtuara nga Motorola Solutions përmes analizës së të dhënave dhe implementimit të kamerave të dedikuara për të fotografuar targa automjetesh në mjete lëvizëse. Ky projekt që vjen si një realizim i përbashkët i Infosoft Systems dhe Motorola Solutions i vjen në ndihmë DPSHTRR -së me synimin për të rritur sigurinë dhe patur një zhvillim të qëndrueshëm si dhe për të ulur impaktin në ndotjen e mjedisit duke identifikuar dhe bllokuar mjetet që nuk kanë një kontroll teknik aktiv.

Angazhimi i Dhomës Amerikane vjen në kuadër të Konferencës Smart City, konferencë e cila mblodhi gjigandët e teknologjisë, drejtuesit e qyteteve më të mëdha në Rajon dhe akademikë nga Amerika e Europa për të folur për rëndësinë e madhe të përfshirjes së teknologjisë në shërbimet që zhvillojnë qytetet tona si dhe ndërgjegjësimit për tërheqjen e investimeve tech në qytetet e Ballkanit

“Ne vazhdojmë të mbështesim implementimin e zgjidhjeve inteligjente prej biznesit sidomos kur ato janë në shërbim të publikut duke realizuar kështu një prej qëllimeve të projektit të Smart City në promovimin e zgjidhjeve teknologjike që zhvillojnë qytetet inteligjente. Këtë mund ta shohim sot të konkretizuar nga Motorola në projektin e Monitorimit Interaktivë Digjital” – tha gjatë fjalës së tij Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane z. Neritan Mullaj.  

Duke folur gjatë takimit z. Blendi Gonxhja, Drejtor i DPSHTRR -së theksoi faktin se projekti “eMonitorim” do të jetë një vlerë e shtuar për përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët e këtij vendi.

“Përmes analizës së të dhënave, ky sistem do të mundësojë zvogëlimin e konfuzitetit të trekëndëshit të hetimit ndërmjet individit që nget mjetin, targës dhe vendndodhjes. Realizimi me efektivitet i këtij procesi të vazhdueshëm do të kryhet përmes bashkëpunimit të stafit të trajnuar të specializuar dhe sistemit të ofruar nga Motorola Solutions.” – u shpreh z. Blendi Gonxhe.

Qëllimi kryesor i projektit është evidentimi transparent i situatës reale mbi mjetet rrugore që qarkullojnë edhe pse duhet të ishin çregjistruar (aktet e amnistive të mëparshme pa kthyer targat), që kryejnë informalitet në transportin rrugor të mallrave ose udhëtarëve (pa licensa ose jashtë afateve apo linjave të caktuara), analizimi në funksion të masave dhe raportimi i menjëhershëm në organet e kontrollit rrugor (Polici Rrugore, Polici Bashkiake dhe Task Forca e Transportit Rrugor) paralel me informimin e qytetarit/subjektit posedues të mjetit rrugor përmes platformave online. Synim urgjent është ndërgjegjësimi publik mbi përgjegjësitë e detyrimet periodike që burojnë nga posedimi/përdorimi i mjetit rrugor dhe rritjen e besimit të publikut tek shërbimet e transportit rrugor, duke ngushtuar lakun ndaj abuzivizmit dhe pandëshkueshmërisë së spekulantëve.

Nëpërmjet këtij monitorimi synohet të përmirësohet situata e mjeteve rrugore në qarkullim:

  • Duke përdorur teknologji amerikane për të rritur sigurinë rrugore;
  • Duke bllokuar mjetet që nuk kanë kryer kontrollin teknik të mjetit ;
  • Duke rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të paguar taksat dhe detyrimet e mjeteve;
  • Duke rritur transparencën e duke përcjellë mesazhin që çdo zotërues mjeti është i barabartë para taksave dhe detyrimeve të mjetit;
  • Duke rritur monitorimin dhe mbledhjen e gjobave të mjeteve në kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *