Forcimi i marrëdhënieve ekonomike SHBA–Shqipëri
Një delegacion i stafit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, organizuar nga Atlantic Council në kuadër të programit Balkans Forward Congressional Fellowship, vizitoi rajonin e Ballkanit gjatë ditëve të fundit. Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, së bashku me përfaqësues të Bordit të Drejtorëve, përfshirë Zëvendëspresidentin Rexhino Cekrezi, Thesarin Kledi Kodra dhe Anëtarin e Bordit Elton Çollaku.
Takimi u fokusua në klimën e biznesit në vend dhe mundësitë për të nxitur bizneset amerikane të investojnë në Shqipëri. Drejtuesit e Dhomës prezantuan përpjekjet e organizatës në fushën e advokimit, të orientuara drejt krijimit të një mjedisi biznesi të mbështetur në sundimin e ligjit, transparencën dhe parashikueshmërinë – tregues kyç që ofrojnë siguri dhe besim për investimet amerikane.
Vëmendje e veçantë iu kushtua pozicionit në zhvillim të Shqipërisë në ekonominë më të gjerë rajonale. Delegacioni i Atlantic Council shprehu interes për të kuptuar më në thellësi potencialin investues të vendit, duke shqyrtuar si mundësitë që Shqipëria ofron për investitorët ndërkombëtarë, ashtu edhe sfidat që vijojnë të ndikojnë në peizazhin ekonomik të vendit.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e vijimit të angazhimit ndërmjet komunitetit të biznesit, institucioneve amerikane dhe aktorëve rajonalë për avancimin e prioriteteve të përbashkëta ekonomike dhe shfrytëzimin e potencialit të Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investimet amerikane.






