Ekspertët në Komitetin Digjital kanë bërë një analizë të thellë të rezultateve të pyetësorit mbi Inteligjencën Artificiale i organizuar me anëtarët e AmCham. Pyetësori ka patur interesin e mbi 60 përqind të anëtarëve, përgjigjet e të cilëve kanë ndihmuar Komitetin të kuptojë sa njihet dhe përdoret Inteligjenca Artificiale nga biznesi në vend.
Linda Shomo, Kryetare e Komitetit Digjital duke prezantuar gjetjet e pyetësorit, ka orientuar diskutimin mbi çështjet që dalin nga rezultatet dhe tregojnë sa janë të familjarizuar bizneset e Dhomës Amerikane me format e inteligjencës artificiale, sa i përdorin në biznesin e tyre dhe kualifikimet që kanë stafet përkatëse. Rezultatet e pyetësorit do të jenë guida me të cilën Komiteti do të ndërtojë planin e punës gjatë këtij viti, duke i dhënë peshën e duhur çështjeve që lidhen me trajnimin, me zhvillimet digjitale por dhe organizimin e forumeve ku flitet për inovacionin dhe sfidat e aplikimit duke përfshirë ekspertë lokale dhe ndërkombëtare.
Mbledhja e zhvilluar në ambjentet e Shkollës Holberton, i dha mundësinë anëtarëve të Komitetit të ndajnë eksperiencat e tyre në ndërtimin e aplikacioneve inteligjente që po i vijnë në ndihmë biznesit në sektorë të ndryshëm duke revolucionarizuar proceset e punës. Kriimi aplikacioneve dhe zgjidhjeve teknologjike që i ndihmon CEO-të të drejtojnë edhe në distancë biznesin e tyre, po përbën bazën e produktit që ata krijojnë dhe po kërkon gjithnjë e më shumë stafe të kualifikuara. Kjo e lidh ngushtë biznesin me sistemin edukues dhe kurrikulat që duhet të përfshihen në të dhe kjo u theksua edhe gjatë eventit, duke kërkuar më shumë bashkëpunim shkollë – biznes -Ministri Arsimi për të adoptuar njohuritë e reja në kohë reale tek forcat e reja të punës.
“Mendoj se aplikimi i Inteligjencës Artificiale është një diskutim global dhe Dhoma Amerikane ka potencialin ta orientojë këtë diskutim në komunitetin e biznesit dhe t’i ndihmojë të niohin të rejat e fundit dhe avantazhet e përdorimit” – u shpreh Linda Shomo gjatë takimit.
Anëtarët kanë folur edhe për “efektet anësore” të përdorimit të Inteligjencës Artificiale, rrisqet që ajo mbart, rrezikun e përdorimit të pajisjeve dhe programeve të pacertifikuara, sulmeve kibernetike dhe mënyrën si duhet të trajnohen bizneset për të qënë të sigurtë.
Drejtori i AmCham Albania Neritan Mullaj ka kërkuar nga Komiteti të draftojë një listë prioritare çështjesh që duhen trajtuar gjatë vitit për ti përfshirë në kalendarin e eventeve. Pjesë e këtij kalendari do të jetë jo vetëm trajnimet për sulmet kibernetike dhe format e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, por dhe procese lobuese që synojnë ngritjen e kuadrit ligjor në përputhje me atë të BE-së dhe rregullimin e veprimtarisë së sektorit.
Një tjetër element interesant i punës së këtij Komiteti gjatë 2024 do të jetë edhe puna me institucionet e krijuara së fundi si Agjencia e Inovacionit dhe angazhimet në Forume Ndërkombëtare ku flitet për teknologjinë dhe inovacionin.