Dhoma Amerikane feston me anëtarët dhe bashkëpunëtorët festat e fund vitit

Dhoma Amerikane feston me anëtarët dhe bashkëpunëtorët festat e fund vitit

Dhoma Amerikane ka festuar në një atmosferë të ngrohtë festat e fund vitit në shoqërinë e anëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe partnerit të saj strategjik, Ambasadës Amerikane. Ndërsa vlerëson bashkëpunimin e të gjithë aktorëve në arritjet e organizatës, dhe sheh përpara për planet ambicioze të së ardhmes, Dhoma ka shfrytëzuar atmosferën festive për të falenderuar secilin prej tyre për kontributin e cmuar përmes Drejtorit Ekzekutiv Neritan Mullaj.

“Ndihem i emocionuar sot dhe dëshiroj të bëj një falenderim nga zemra për të gjithë ata anëtarë, Kryetarë Komitetesh, Bord e bashkëpunëtorë, miqtë tanë në Ambasadën Amerikane, për punën e palodhur e kontributin të cilit i dedikojmë suksesin tonë”

Të ftuarit i ka përshëndetur edhe Presidenti i Dhomës Amerikane Grant Van Cleve duke vendosur theksin tek kultura amerikane e optimizmit për të përballuar sfidat që sjell koha si një formë e mirë e arritjes së suksesit.  

“Unë besoj se përpjekjet tona janë jo thjesht për të mbijetuar por për të ndërtuar një të ardhme interesante që kërkon energji, aftësi dhe punën tonë për të sjellë ato ndryshime pozitive në ekonomi dhe në jetët tona” – u shpreh Presidenti i AmCham Grant Van Cleve.

Një përshëndetje miqësore dfhe një falenderim të veçantë për anëtarët e Dhomës ka patur  edhe i Ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane z. David Wisner i cili  ka theksuar faktin se marrëdhëniet tregtare janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe ky sukses i dedikohet edhe punës së Dhomës.

“Ka sfida në Shqipëri ashtu sikurse ka kudo. Por edhe unë e vlerësoj sensin amerikan të optimizmit dhe jam i lumtur ta shikojë këtë optimizëm në mënyrën se si ju po bashkëpunoni me partner amerikanë për të sjellë këtu produkte dhe shërbime duke i nxitur këto marrëdhënie ekonomike”

Z. Wisner ka theksuar se Ambasada Amerikane e shikon Dhomën si një partnere mjaft të rëndësishme për të arritur objektivat e saj në Shqipëri dhe e vlerëson këtë bashkëpunim të frytshëm.

Mbrëmja i ka mundësuar anëtarëve zhvillimin e networkut në shoqërinë e muzikës dhe elementëve të tjerë festivë.