Në kuadër të Misionit Door-Knock të AmCham Albania në Washington, D.C., Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, organizoi një Business Reception ekskluziv, duke mbledhur përfaqësues të delegacionit shqiptar, institucioneve amerikane, biznesit dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm.
Ky pritje shërbeu si një platformë e rëndësishme për rrjetëzim, dialog dhe krijimin e marrëdhënieve të reja të biznesit mes kompanive shqiptare dhe amerikane, duke promovuar njëkohësisht potencialin në rritje të Shqipërisë si destinacion për investime dhe partneritete strategjike.
Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham Albania, Grant Van Cleve, President i AmCham Albania, si dhe Ervin Bushati, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.
Eventi mirëpriti një grup të larmishëm pjesëmarrësish nga sektori publik dhe privat, përfshirë përfaqësues të kompanive amerikane, organizatave mediatike, kompanive të teknologjisë dhe inovacionit, institucioneve financiare dhe aktorëve rajonalë. Ndër të pranishmit ishin përfaqësues të kompanive që operojnë në fushën e inteligjencës artificiale, me interes për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, kompani të specializuara në teknologji aeroportuale dhe të lidhura me sektorin e mbrojtjes, si dhe përfaqësues të sektorit bankar.
Gjatë mbrëmjes, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi mundësitë e investimit, inovacionin, teknologjinë, bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Një komponent i rëndësishëm i aktivitetit ishte edhe prezantimi i detajuar i mundësive të investimit në Shqipëri në sektorë strategjikë, duke ofruar një panoramë të potencialit ekonomik dhe mundësive për bashkëpunim. (Klikoni këtu për të parë prezantimin e plotë)
Ky Business Reception përfaqësoi një nga momentet më të rëndësishme të misionit, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe duke forcuar lidhjet mes komuniteteve të biznesit shqiptar dhe amerikan.
AmCham Albania mbetet e përkushtuar në nxitjen e dialogut, promovimin e investimeve dhe krijimin e platformave që mbështesin bashkëpunimin ekonomik afatgjatë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.



















