• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • AmCham Engages Experts on the Evolution of AI at Future2Tech 2026

AmCham Engages Experts on the Evolution of AI at Future2Tech 2026

Blogu, Lajme, Publikimet, Slaidet
28 September 2026
Gerta

AmCham Albania shfrytëzoi hapësirat e panairit të përvitshëm Future2Tech 2026 për të mbledhur drejtues të biznesit dhe ekspertë të teknologjisë nën temën “Ndryshimi i AI , AI ka evoluar, po siguria juaj?”. Paneli, i moderuar nga Gert Boshnjaku, u fokusua në mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen bizneset ndërsa Inteligjenca Artificiale po integrohet gjithnjë e më shumë në operacionet e përditshme, me vëmendje të veçantë te siguria, besimi, mbrojtja e të dhënave dhe përdorimi i përgjegjshëm i AI. Rreth kësaj teme u zhvillua i gjithë paneli, ku folësit kryesorë ishin Tine Lenarčič, Applications Regional Sales Manager në Oracle, dhe Admir Malaj, Administrator i Trifolium.

Duke përshëndetur aktivitetin, Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, u shpreh se ndryshimet e mëdha që po ndodhin në botë dhe në Amerikë kanë jehonën e tyre edhe në Shqipëri. Sipas tij, Dhoma Amerikane është e pozicionuar për të drejtuar këtë diskutim në treg dhe për të krijuar një platformë të sigurt për dialogun mes ekspertëve dhe komunitetit të biznesit.

Kryetari i Komitetit të Biznesit Dixhital, Genti Daci, theksoi gjithashtu rolin e Komitetit në krijimin e një platforme ku bizneset dhe ekspertët e teknologjisë mund të shkëmbejnë njohuri dhe të adresojnë së bashku mundësitë dhe sfidat që shoqërojnë zhvillimin e ekonomisë dixhitale në Shqipëri.

Tine Lenarčič nga Oracle u fokusua te siguria e AI në kontekstin e sektorit financiar, duke trajtuar rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave dhe të përdorimit të teknologjisë në një mjedis ku siguria dhe besueshmëria janë kritike. Përmes shembujve dhe perspektivës së Oracle, ai solli në diskutim sfidat që shoqërojnë përdorimin gjithnjë e më të gjerë të AI, veçanërisht në sektorë që menaxhojnë të dhëna sensitive dhe operojnë nën kërkesa të larta sigurie.

Ndërkohë, Admir Malaj, Administrator i Trifolium, e solli diskutimin më pranë përdorimit të përditshëm të AI në vendin e punës, duke demonstruar se si mund të ndërtohen dhe përdoren AI agents për të mbështetur detyra dhe procese të ndryshme. Një nga mesazhet kryesore të prezantimit ishte se përdorimi i AI nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e departamenteve të IT-së: profesionistët në çdo funksion të biznesit duhet të kuptojnë dhe të mësojnë se si t’i përdorin këto mjete në punën e tyre të përditshme.

Takimi krijoi mundësinë për një platformë diskutimi, por edhe për networking mes përfaqësuesve të AmCham, biznesit dhe ekspertëve të teknologjisë. Pjesë e kësaj platforme, por edhe e Media Zone në panairin Future2Tech, ishte edhe intervista e Presidentit të Dhomës, Grant Van Cleve, i cili shtjelloi më në detaje angazhimin e Dhomës Amerikane për të kontribuar, përmes ekspertizës së saj, në proceset legjislative dhe rregullatore, si dhe në edukimin e biznesit mbi ndryshimet teknologjike.

You may also like