Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka riafirmuar angazhimin e saj për promovimin e një klime investimesh transparente, të parashikueshme dhe konkurruese, duke kërkuar një qasje të plotë dhe gjithëpërfshirëse në hartimin e Ligjit të ri të Unifikuar të Investimeve në Shqipëri.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Investimeve, Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane, Neritan Mullaj, dhe Nënkryetari, Rexhino Cekrezi, prezantuan qëndrimin e Dhomës lidhur me këtë nismë të rëndësishme ligjore, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike për klimën e biznesit në vend, si dhe potencialin për të forcuar besimin e investitorëve dhe për të garantuar siguri më të madhe juridike për investitorët vendas dhe të huaj.
Duke përshëndetur dhe mbështetur këtë nismë, Dhoma Amerikane theksoi se hartimi i legjislacionit të ri duhet të shoqërohet me një proces të plotë dhe të mirëfilltë konsultimi publik. Mbështetur në angazhimin e saj të vazhdueshëm për promovimin e një kuadri ligjor të qëndrueshëm, modern dhe favorizues për investimet, AmCham nënvizoi rëndësinë e sigurimit të kohës dhe hapësirës së mjaftueshme për palët e interesuara, në mënyrë që ato të mund të shqyrtojnë legjislacionin e propozuar dhe të japin kontributin e tyre.
Në mënyrë të veçantë, Dhoma Amerikane kërkoi që projektligji të paraqitet për konsultim publik si një paketë e plotë ligjore, e cila të përfshijë jo vetëm ligjin bazë, por edhe rregulloret përkatëse të zbatimit dhe aktet nënligjore. Kjo është thelbësore për t’u mundësuar bizneseve dhe palëve të tjera të interesuara të vlerësojnë në tërësi ndikimin rregullator të kuadrit të propozuar dhe të paraqesin komente e rekomandime të informuara dhe të argumentuara.
Ekspertët e Dhomës Amerikane po kryejnë aktualisht një analizë të thelluar të projektligjit dhe po përgatisin rekomandime të detajuara, që synojnë përmirësimin e dispozitave të tij dhe garantimin që kuadri përfundimtar ligjor të reflektojë nevojat dhe realitetin praktik të komunitetit të investitorëve.
Ndër elementet pozitive të projektligjit është përfshirja e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve të huaja, një fushë në të cilën Dhoma Amerikane ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme.
Njëkohësisht, AmCham theksoi domosdoshmërinë që legjislacioni i ri të jetë plotësisht i harmonizuar me ligjet ekzistuese dhe rregullimet specifike sektoriale që lidhen me investimet. Garantimi i përputhshmërisë së kuadrit ligjor dhe shmangia e mbivendosjeve rregullatore, dispozitave kontradiktore dhe pasigurisë juridike do të jenë vendimtare për koherencën, zbatueshmërinë dhe zbatimin efektiv të ligjit.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për Dhomën Amerikane që të prezantonte punën e saj të vazhdueshme në sektorin e turizmit, përfshirë hartimin e një Dokumenti të Bardhë (White Paper) nga ekspertët e Dhomës.
Ky dokument do të shërbejë si bazë për dialogun dhe konsultimin me Ministrinë e Turizmit, me synimin për të paraqitur rekomandime që plotësojnë prioritetet e Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit dhe kontribuojnë në hartimin e kuadrit të ri ligjor të sektorit.
Përmes angazhimit të saj në këto diskutime mbi politikat dhe kuadrin rregullator, Dhoma Amerikane vijon të mbështesë hartimin e një legjislacioni që jo vetëm të jetë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, por edhe t’u përgjigjet nevojave të komunitetit të biznesit dhe të krijojë kushte të favorshme për investime të qëndrueshme dhe rritje ekonomike.



