Përfaqësuesit e sektorit të agrobiznesit, anëtar të Dhomës Amerikane, kanë patur një diskutim aktiv me ekipin e Departamentit të Shteteve të Bashkuara për Bujqësinë (USDA), Zyrën e Shërbimit të Bujqësisë për Vendet e Huaja të USDA (FAS) në Romë, ku është folur mbi zgjerimin e tregjeve të lëndëve të para në sektorin e agrobiznesit dhe ekspansionin eksportues të produkteve made in USA në Rajon dhe Shqipëri.
Atasheu Bujqësor Rajonal, Zoti Charles Rush, ka shpjeguar për anëtarët e AmCham qëllimin e qeverisë amerikane për të zgjeruar tregun, dhe për të prezantuar potencialin e prodhimit amerikan si dhe mundësitë që vijnë nga bashkëpunimet me ta. Ndërsa bizneset shqiptare, frekuentojnë tregjet europiane dhe ato globale për të siguruar lëndën e parë, takimi ka synuar t’i informojë për furnizues më potencialë dhe ekonomik nga tregu amerikan të cilët janë duke parë rrugët e bashkëpunimit dhe ekspansionin e produkteve të tyre në këtë treg. Por si mund të bëhet i mundur ky kryqëzim informacioni dhe interesi?
Këtij qëllimi i ka shërbyer takimi ku anëtarët e AmCham, kanë folur jo vetëm për specifikat e biznesit të tyre, por dhe tregjet ku operojnë problematikat që hasin dhe interesin e tyre për të patur alternativa dhe tregje të reja më të favorshme. Të gjithë anëtarët e AmCham kanë qënë mjaft të interesuar të dinë më shumë për mënyrën se si mund të bashkëpunojnë me homologë dhe prodhues amerikan në sektorët ku operojnë. Një nga format e propozuara është dhe organizimi i grupeve të biznesit në Panairet Tregtare në Amerikë, prezantimi në tregun shqiptar i këtyre produkteve përmes takimeve B2B apo eventeve promocionale si dhe shkëmbim informacioni.
Presidenti i AmCham Albania Enio Jaço vlerësoi kapacitetet e sektorit dhe benefitet që mund të vijnë nga zgjerimi i tregjeve dhe ngritja e urave të bashkëpunimit transantlantik me partnerin strategjik duke sjellë në vëmendje se zhvillimet në sektorin e turizmit e rrisin edhe më shumë këtë potencial bashkëpunues. Drejtori Ezekutiv Neritan Mullaj inkurajoi anëtarët të mbajnë lidhje të drejtpërdrejta me Dhomën e cila në rolin e koordinatorit mund të bëhet një influencuese e mirë në zhvillimin e partneriteteve mes bizneseve të dy vendeve.