• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Dhoma Amerikane prezanton anketën për aftësitë në tregun e punës dhe mesazhin që ajo përcjell

Dhoma Amerikane prezanton anketën për aftësitë në tregun e punës dhe mesazhin që ajo përcjell

Blogu, Publikimet, Slaidet
30 September 2026
Gerta

Përgatitja e fuqisë punëtore në bankat e shkollës, një nevojë e tregut të punës

AmCham Albania ka bashkuar punëdhënës, punëmarrës dhe profesionistë të rinj për të nxitur krijimin e një rrjeti aktiv që promovon dialogun mes aktorëve dhe kontribuon në formësimin e së ardhmes së fuqisë punëtore.

Eventi u organizua në kuadër të programit të Komitetit për te Rinjtë, Sipërmarrjen dhe Inovacionin dhe u përqendrua te hendeku i krijuar në tregun e punës si pasojë e mungesës së aftësive të kërkuara, duke e konkretizuar diskutimin përmes gjetjeve kryesore të Anketës për Aftësitë në Tregun e Punës, të zhvilluar me 65 kompani anëtare të Dhomës Amerikane.

“Komiteti i të Rinjve” po i jep zë një prej objektivave të AmCham për të ndërtuar një rrjet efikas mes komunitetit të biznesit dhe institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim adresimin e hendekut të njohurive dhe aftësive të krijuar në tregun e punës dhe që reflektohet drejtpërdrejt në aktivitetin e biznesit”, u shpreh gjatë fjalës së tij përshëndetëse Z. Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës Amerikane.

Kryetari i Komitetit për Rinjtë, Sipërmarrjen dhe Inovacionin, Z. Klint Berdica, përcolli mesazhin e qartë mbi punën që po zhvillojnë ekspertët e këtij komiteti për të orientuar të rinjtë drejt aftësive që kërkon sot tregu i punës, si dhe për t’i përgatitur ata për ndryshimet e rëndësishme teknologjike që po ndikojnë në formësimin e profesioneve dhe të ardhmes së punës.

Duke shpjeguar rezultatet e pyetësorit dhe mesazhet që ato përcjellin, Znj. Pranvera Guxho, nënkryetare e Komitetit, e drejtoi diskutimin te mënyra se si dy aktorët kryesorë, punëmarrësit dhe punëdhënësit,  e shohin situatën në tregun e punës dhe pritshmëritë e tyre për përmirësimin e saj.

Znj. Guxho solli këndvështrimin e saj, të mbështetur si në eksperiencën si punëmarrëse, ashtu edhe në atë si punëdhënëse, duke theksuar nevojën në rritje për përfshirjen e kërkesave të tregut të punës në hartimin e programeve të arsimit profesional. Sipas saj, një qasje e tillë do të ndihmonte në pajisjen e të rinjve me aftësitë dhe kompetencat e nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.

Anisë Abazi, Menaxhere për Zhvillimin dhe Aftësimin te Deloitte Albania, u përfshi në një diskutim aktiv mbi mënyrën se si po ndryshojnë kërkesat për aftësi në tregun e punës. Përveç aftësive teknike, zhvillimet teknologjike po e bëjnë gjithnjë e më të nevojshme pajisjen me njohuri mbi inteligjencën artificiale, krahas aftësive njerëzore si komunikimi, të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve.

Kryetarja e Komitetit të Punës dhe Etikës Znj. Valbona Dode, ka sjellë një mendim konkret për mënyrën se si të rinjtë duhet ti përqasen mundësive për trajnime dhe programe zhvillimi që ka tregu duke frekuentuar kanalet e duhura të komunikimit dhe burimet zyrtare.

Diskutimi gjatë eventit përcolli mesazhin se një bashkëpunim më i ngushtë mes bizneseve dhe institucioneve arsimore mund të luajë një rol të rëndësishëm në përgatitjen e të diplomuarve me kualifikimet dhe aftësitë e nevojshme për tregun e punës. Ky bashkëpunim do të jetë një faktor i rëndësishëm në formësimin e së ardhmes së fuqisë punëtore.

Gjetjet kryesore të anketës

56.4% e punëdhënësve i konsiderojnë të sapodiplomuarit të papërgatitur për punësim.

Vetëm 8% besojnë se të diplomuarit janë kryesisht ose plotësisht të gatshëm për vendin e punës.

Sfida kryesore në rekrutim është mungesa e qëndrimit profesional dhe gatishmërisë për punë (56.9%).

Mangësi të tjera të rëndësishme janë pritshmëritë për pagën (55.4%), aftësitë teknike (50.8%) dhe të menduarit kritik/zgjidhja e problemeve (47.7%).

Pozicionet drejtuese dhe menaxheriale janë ndër pozicionet më të vështira për t’u plotësuar (40%).

Mbi 70% e organizatave përballen me një nivel të caktuar të qarkullimit të punonjësve të lidhur me emigracionin.

77.5% e të anketuarve raportojnë pak ose aspak bashkëpunim domethënës mes universiteteve dhe industrisë.

You may also like