Shqyrtimi i Investimeve të Huaja, biznesi kërkon qartësi për rregullat e reja
Dhoma Amerikane, në bashkëpunim me CIPE, ka organizuar raundin e dytë të Fokus Grupit, duke thelluar vëmendjen dhe informacionin në zbatimin praktik të mekanizmit të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte, pas miratimit të VKM-së në prill 2026.
Takimi, i moderuar nga Albana Karapanço, ishte një diskutim i hapur me bizneset pjesëmarrëse mbi paqartësitë që kishin mbi mënyrën se si do të funksionojë në praktikë kuadri i ri rregullator. Takimi i dha mundësi kompanive pjesëmarrëse të bënin pyetjet e nevojshme mbi kriteret, procedurat, dokumentacionin dhe afatet që duhet të kenë parasysh investitorët dhe kompanitë shqiptare.
Albana Karapanço sqaroi gjatë takimit se mekanizmi i shqyrtimit nuk synon kufizimin e investimeve të huaja, por identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që investime të caktuara mund të paraqesin për sigurinë kombëtare, rendin publik, infrastrukturën dhe teknologjitë kritike, furnizimin me inpute kritike apo aksesin në informacion të ndjeshëm. Çështje të prakticitetit të zbatimit të kësaj VKM-je u bënë objekt i diskutimit dhe shembujve praktikë të ofruar gjatë takimit. Diskutimi u përqendrua në çështje si përcaktimi i llojeve të investimeve dhe transaksioneve, si edhe mënyra e identifikimit të origjinës dhe kontrollit përfundimtar të investitorit.
Kompanitë pjesëmarrëse në takim ngritën çështjen e qartësisë se kur duhet të nisë procedura e shqyrtimit dhe afatet për marrjen e një përgjigjeje nga Komiteti Ndërministror, të cilat duhet të jenë të qarta në VKM. Diskutimi preku gjithashtu nivelin e verifikimit që duhet të kryejnë vetë kompanitë për investitorët potencialë, si dhe dokumentacionin që mund të kërkohet nga autoritetet gjatë procesit.
Në vijim të diskutimeve, Dhoma Amerikane e Tregtisë synon të përgatisë një guidë praktike për biznesin, me synim orientimin e kompanive mbi fushën e zbatimit të mekanizmit, detyrimet që burojnë prej tij dhe hapat që duhet të ndjekin gjatë një investimi apo transaksioni. Ky proces vjen në një moment kur Shqipëria po vijon përafrimin e kuadrit të saj me zhvillimet evropiane në fushën e shqyrtimit të investimeve të huaja direkte.







