• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • Reforma në shëndetësi: AmCham dhe Ministria e Shëndetësisë nxisin dialogun për një sistem shëndetësor modern

Reforma në shëndetësi: AmCham dhe Ministria e Shëndetësisë nxisin dialogun për një sistem shëndetësor modern

Blogu, Slaidet
11 June 2026
Gerta

Aktiviteti “Mëngjes Pune” me Ministren e Shëndetësisë Evis Sala zhvilloi diskutim konstruktiv mbështetur në prioritetet e përbashkëta për reformimin e një sistemi shëndetësor që investon tek shëndeti i njeriut dhe e arrin këtë përmes partneritetit privat – publik.

Prioritetet e Komitetit të Shëndetësisë në Dhomën Amerikane ishin të njëjta me ato që Ministrja Evis Sala ka vendosur të adresojë. Një rritje e nivelit të buxhetit për sektorin e shëndetësisë që do të targetojë nga barnat cilësore dhe inovative tek pajisjet mjekësore, deri tek funksionimi i një sistemi të integruar digjital i informacionit në këtë sektor. Një tjetër objektiv i rëndësishëm i Ministres Sala ishte dhe transformimi i kujdesit onkologjik në vend i cili do të realizohet përmes krijimit të Institutit Kombëtar të Onkologjisë, që  pritet të nisë funksionimin e plotë dhe të pavarur nga janari i vitit të ardhshëm, pas miratimit të VKM-së për ngritjen e tij. Në një diskutim të hapur dhe transparent, Ministrja Sala kërkoi vëmendjen dhe bashkëpunimin e Dhomës Amerikane për të bashkuar forcat për atë që ajo e konsideroi si qëllim të përbashkët në këtë proces reformimi.

Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj theksoi se falë dialogut me Ministrinë e Shëndetësisë janë arritur disa objektiva siç është rinovimi i listës së rimbursueshme të barnave, vendosja e një sistemi më të arsyeshëm të referencës në përcaktimin e çmimeve të barnave që sollën një ndryshim të ndjeshëm për bizneset e këtij sektori. Por Dhoma Amerikane vazhdon të ketë në agjendën e saj çështje që kërkojnë vëmendjen e Ministrisë dhe për të cilat është e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj.

Një fotografi të situatës së sektorit të shëndetësisë dhe projeksioneve që duhet të ketë vendi në rrugën e integrimit në BE, e paraqiti eksperti ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë z. Slaveyko Djambazov.

Në prezantimin e tij z. Djambazov shpjegoi se Shqipëria përballet me një nivel të ulët të financimit të shëndetësisë krahasuar me vendet e BE-së dhe ato të Europës Qendrore e Lindore. Përqindja e investimit në shëndetësi është vetëm 2.9 për qind e PBB nga 4 për qind që e kanë vendet e Rajonit dhe 6 për qind vendet e BE-së. Është kjo arsyeja që shqiptarët kanë një nivel të lartë të pagesave nga xhepi për shpenzime mjekësore, akses të kufizuar në shërbime dhe trajtime të vonuara. Duke ofruar praktikat më të mira evropiane, z. Djambazov ofroi projeksione optimiste për një vend me një popullsi 2.4 milion banorë me mundësi unike për të ndërtuar një sistem modern investimi në shëndetësi, duke rritur gradualisht shpenzimet publike dhe duke krijuar njëkohësisht mekanizma më të mirë për marrjen e vendimeve.

Sipas prezantimit të z. Djambazov, një kornizë moderne investimi duhet të përfshijë barnat, diagnostikimin, programet e depistimit, pajisjet mjekësore, shëndetin digjital, modelet e integruara të kujdesit dhe parandalimin. Kjo qasje rrit transparencën, parashikueshmërinë dhe efikasitetin në përdorimin e burimeve, duke forcuar dialogun me institucionet financiare dhe vendimmarrësit.

Përmirësimi i rezultateve shëndetësore kontribuon në rritjen ekonomike, e cila krijon më shumë hapësirë fiskale për investime të mëtejshme në shëndetësi, theksoi në fjalën e saj Kryetarja e Komitetit të Shëndetësisë në AmCham Anna Savinkina. Kjo është një moto me të cilën bien të gjithë dakord, dhe konkluzioni i një takimi produktiv mes Dhomës Amerikane dhe Ministrisë së Shëndetësisë ishte se reformat e suksesshme arrihen kur qeveria, profesionistët e shëndetësisë, pacientët, industria dhe akademia bashkëpunojnë rreth një vizioni të përbashkët.

Anëtarja e Bordit të Dhomës Amerikane Rovena Dhroso u shpreh se ka një platformë konkrete pune ku ekspertët e Dhomës Amerikane dhe ata të Ministrisë së Shëndetësisë mund të punojnë mbi çështje afatshkurtra si rritja e buxhetit për vitin në vijim, por edhe në terma afatgjatë siç është reformimi i ligjit të barnave.

You may also like