• Kreu
  • >
  • Blog
  • >
  • 250 vjet liri, Dhoma Amerikane feston me madhështi përvjetorin historik të SHBA-së

250 vjet liri, Dhoma Amerikane feston me madhështi përvjetorin historik të SHBA-së

Blogu, Slaidet
2 July 2026
Gerta

Dhoma Amerikane ka festuar me madhështinë që meriton 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës. Ky përvjetor historik ka një domethënie të veçantë edhe për organizatën, e cila prej 25 vitesh kontribuon në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke promovuar vlerat amerikane të të bërit biznes.

Në fjalën e tij, Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj ka cituar shprehjen e famshme të Presidentit Ronald Reagan, “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes.” Kjo filozofi që ka udhëhequr kombin amerikan është udhërrëfyese edhe për AmCham në përpjekjet për të aplikuar vlera të lirisë dhe transparencës në ndërtimin e një klime solide për biznesin dhe sisteme rregullatore që stimulojnë konkurrencën e ndershme.

Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, ka vlerësuar punën që bën Dhoma Amerikane për të promovuar një model të sipërmarrjes së lirë, vlera që kanë ndërtuar suksesin amerikan dhe që frymëzojnë inisiativën e lirë. Z. Van Cleve ka kujtuar simbolikën e rikthimit të Dhomës Amerikane pikërisht atje ku ka filluar veprimtarinë 25 vite më parë, tek ambientet e shkollës Harry Fultz, që është dhe shkolla e parë amerikane në Shqipëri. “Festimi i 250-vjetorit këtu është një simbolikë e bukur për Dhomën Amerikane”, tha z. Grant Van Cleve.

Festa është përshëndetur edhe nga zv.Shefja e Misionit në Detyrë të SHBA-së në Tiranë znj. Kathryn Hammond e cila ka vlerësuar ambientin miqësor dhe mikpritjen shqiptare duke theksuar se festa nuk është vetëm një nderim për 250 vjetorin por konfirmon bashkëpunimin  mes dy popujve dhe promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Znj. Hammond kujtoi se punonjësit e trupit diplomatik që e festojnë 4 Korrikun jashtë Shteteve të Bashkuara e përjetojnë edhe më fort emocionin dhe rëndësinë e kësaj dite, e cila përcjell ndër breza vlerat e lirisë dhe demokracisë që etërit themelues të Amerikës vendosën në themel të Kushtetutës amerikane.

Në frymën e këtij jubileu historik, mbetet aktual edhe mesazhi i Presidentit Donald Trump për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara: “The best is yet to come”. Një mesazh që pasqyron besimin se partneriteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, me kontributin e komunitetit të biznesit, do të vijojë të forcohet dhe të hapë rrugë për mundësi të reja bashkëpunimi.

Festa ka vazhduar me programin që parashikonte muzikë, ushqimin tipik amerikan, spektaklin nga grupi folklorik i fëmijëve, për të kulmuar me fishekzjarret e festës.

Dhoma Amerikane falënderon të gjithë sponsorat që me bujarinë e tyre e bënë të mundur këtë event.

You may also like