Organizohet edicioni i 21-të i Asamblesë së Përgjithshme në AmCham

Organizohet edicioni i 21-të i Asamblesë së Përgjithshme në AmCham

Neritan Mullaj Drejtor Ekzekutiv

Anëtarët zgjedhin Presidentin, Sekretarin dhe dy anëtarë të Bordit Drejtues

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri organizoi Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë, nëpërmjet së cilës u zgjodhën Presidenti, Sekretari dhe dy anëtarë të Bordit Drejtues. Takimi më i madh dhe më i suksesshëm i vitit, pati prezencën e Ministres së Financave, znj. Delina Ibrahimaj, Ambasadores Amerikane në Tiranë, znj. Yuri Kim, Përfaqësueses së Bechtel, znj. Entela Ruçi dhe u moderua nga Drejtori i ri i AmCham Albania, z. Neritan Mullaj.

Presidenti i Dhomës bëri një përmbledhje të punës një vjeçare dhe falenderoi në mënyrë të veçantë në fjalën e tij të gjithë aktorët që kanë ndihmuar Dhomën Amerikane gjatë këtij viti. Ai falenderoi Drejtorin në ikje, z. Ilir Trimi dhe i uroi mirëseardhjen Drejtorit të ri, z. Neritan Mullaj.

Gjatë fjalës së tij në Asamble, Presidenti Jaço kërkoi nga qeveria më shumë përpjekje në krijimin e praktikave të drejta, konkurruese dhe të ndershme.

“Ne përgëzojmë qeverinë për nismat në reduktimin e informalitetit të ekonomisë gri përmes faturimit elektronik të detyrueshëm, por ne e inkurajojmë atë, që të bëjë më shumë përpjekje për të ç’rrënjosur ekonominë e zezë, duke pranuar programet perëndimore mbi praktikat kundër pastrimit të parave. Këto masa do të rrisnin interesin e investitorëve seriozë drejt Shqipërisë”- u shpreh Presidenti Jaço.

Duke u ndalur tek investimet amerikane në Shqipëri, z. Jaço i uroi mirëseardhjen kompanisë amerikane Bechtel, si anëtari më i ri i Dhomës Amerikane dhe shprehu optimizëm se me klimën e duhur, të tjera investime amerikane do të bëhen realitet në Shqipëri.

Z. Jaço ka përmendur gjithashtu faktin se Axhenda e Investimeve ka konkretizuar vizionin e AmCham, për një ekonomi konkurrente dhe atraktive për investimet e huaja. Ambasada Amerikane gjithashtu e ka vendosur biznesin në një nga tre shtyllat themelore të punës dhe qeveria shqiptare është duke ngritur mbi këtë objektiv një strategji afatgjatë të zhvillimit.

“Shpresoj që Axhenda e Investimeve do të implementohet. Ne presim të bashkëpunojmë me Qeverinë, Ministrinë e Financave dhe Parlamentin për ta kthyer atë në realitet. Ka ardhur koha që të ndalojmë së diskutuari problemet e Klimës së Biznesit dhe të nisim ndërhyrjet konkrete ligjore për përmirësimin e saj, duke ofruar mundësi dhe zhvillim për të gjithë” tha z. Jaço. 

Lidhur me Axhendën e Investimeve u shpreh edhe Ambasadorja Amerikane, znj. Yuri Kim, e cila tha: “Mbetet ende më shumë punë për t’u bërë dhe ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare t’i japë përparësi përmirësimit të klimës së biznesit, për të zhbllokuar me të vërtetë potencialin që të gjithë e dimë se ekziston këtu. Qeveria duhet ta marrë seriozisht Axhendën e Investimeve të Dhomës Amerikane të publikuar së fundmi dhe ta shikojë atë si një udhërrëfyes se si të përmirësojë klimën e biznesit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, ka konfirmuar se qeveria shqiptare është duke implementuar reforma që do të sjellin një tjetër përqasje për klimën e biznesit, duke synuar të bëhet një vend atraktiv në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimi me Dhomën në këtë drejtim do të ketë një rol të madh.

Zgjedhjet në Bordin Drejtues

Zgjedhjet në AmCham janë një moment i përzgjedhjes së liderve të rinj, të cilët do të drejtojnë Dhomën me një mandat dy vjeçar. Pesë kandidatë kanë konkurruar për pozicionet e Presidentit, Sekretarit dhe të dy anëtarëve të Bordit.

Në përfundim të votimit nga anëtarët, Presidenti i AmCham Albania u zgjodh z. Enio Jaço nga CBS Creative Business Solutions, Sekretar i Bordit, z. Reshard Këlliçi nga Instituti Harry Fultz, dhe Anëtarë Bordi z. Ilir Rudi nga ABI Bank dhe z. Shkumbin Muçolli nga Burger King Albania.

Të gjithë kandidatët patën mundësi të prezantohen përpara anëtarëve të AmCham, të cilët e kanë ndjekur virtualisht eventin, dhe të shpjegojnë vizionin e tyre mbi mënyrën se si do ta zhvillojnë organizatën për të arritur objektivat që ka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *