Enio Jaço: Çdo nismë që kompromenton luftën ndaj parave të pista duhet të frenohet

Enio Jaço: Çdo nismë që kompromenton luftën ndaj parave të pista duhet të frenohet

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço foli sot për ndikimin e fenomenit të parave të pista në klimën e biznesit duke theksuar me rëndësi “intensifikimin e ndjeshëm të luftës ndaj pastrimit të parave dhe frenimin e inisiativate që kompromentojnë daljen e Shqipërisë nga lista gri”.

Jaço i bëri deklaratat në Konferencën Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave organizuar nga IDM, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ku solli në vëmendje apelin kritik të Bashkimit Europian dhe FMN ndaj Shqipërisë.

“Prej dy vitesh Moneyval mban Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave. Vetëm 14 vende në botë janë pjesë e listës Gri.  Asnjë vend në Europë ose i Ballkanit Perëndimor nuk është pjesë e kësaj liste.  Ndaj është me një rëndësi themelore frenimi absolut i çdo lloj inisiative e cila do kompromentonte luftën ndaj pastrimit të parave dhe prioritetin e plotësimit të kushteve për të dalë nga lista Gri.  FMN dhe BE kërkojnë pikërisht këtë”. 

Duke renditur disa nga ndikimet se si pastrimi i parave dëmton mënyrën e të bërit biznes, Jaço vuri theksin tek “Depërtimi i botës së krimit apo organizatave kriminale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë,  pabarazisë përmes përvetësimit të privatizimeve dhe koncesioneve të dyshimta me procedura abuzive, rritja e ekonomisë së informale dhe përhapja e korrupsionit në çdo degë të tij”. 

Të gjitha këto – tha Jaço – cënojnë lirinë e tregut dhe konkurrencës duke bërë që bizneset e ndershme të pësojnë rrudhje të performancës në aktivitetet e tyre dhe nga ana tjetër investitorë të huaj të heqin Shqipërinë nga lista e vendeve që projektojnë për të investuar – duke e parë si treg të pasigurtë. 

Jaço theksoi se “lufta ndaj Informalitetit përmes eliminimit të parasë “Cash” dhe kalimit drejt ekonomisë dixhitale përmes një kornize ligjore në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian do të shmangte evazionin fiskal dhe ekonominë informale”.     

Presidenti i Dhomës Amerikane vlerësoi diskutimet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe rolin e rëndësishëm të medias në trajtimin e fenomenit të pastrimit të parave por edhe çështjeve të tjera me rëndësi për situatën ekonomike por edhe atë sociale.    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *