Gjatë Forumit të IFC Europe me temë “Përqafimi i Ndryshimit”, organizuar në Dubrovnik të Kroacisë, CEO e Grupit BALFIN, Edlira Muka, nënshkroi një marrëveshje me IFC-në për anëtarësimin e Tirana Bank në Programin Financiar DigiLab. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Tirana Bank do të përfitojë nga mbështetja e IFC-së në përshpejtimin e transformimit të saj dixhital. Programi DigiLab i IFC do të mundësojë përgatitjen e drejtuesve të lartë të Tirana Bank për të përshpejtuar transformimin dixhital të proceseve dhe shërbimeve. Trajnimi 13-javor me 20 pjesëmarrës nga ekipi i Tirana Bank synon t’u sigurojë institucioneve financiare një metodologji dhe një skemë pune që u mundëson pjesëmarrësve të ndërtojnë, përgjatë programit, një strategji të nivelit të lartë të transformimit dixhital. DigiLab përfundoi 3 raunde trajnimi me 12 institucione financiare të diplomuara nga Evropa dhe Azia Qendrore. Tirana Bank, pjesë e Grupit BALFIN, i bashkohet grupit të 4-të, gjatë të cilit do të punojë me njohuri dhe mjete praktike për të zhvilluar strategjinë e saj dixhitale dhe për të adoptuar tendencat teknologjike për t’i shërbyer më mirë klientëve. Rezultati përfundimtar i projektit është që Tirana Bank të zhvillojë udhërrëfyesin e saj të transformimit dixhital, si hapi i parë në zhvillimin e këtij të fundit. IFC – një anëtar i Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Në vitin 2018, ajo siguroi mbi 23 miliardë dollarë financim afatgjatë për bizneset në vendet e sipërpërmendura, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të promovuar prosperitetin e përbashkët. Tirana Bank është banka e parë private në Shqipëri, e themeluar në vitin 1996. Prej disa vitesh, ritmi i rritjes së bankës është më i lartë se mesatarja e sektorit bankar shqiptar, ku vitin e fundit arriti vlerën e mbi 1 miliard euro aktive. Grupi BALFIN është një nga grupet më të rëndësishme të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I themeluar në vitin 1993 në Vjenë nga Samir Mane, sot Grupi është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Zvicër, Kroaci dhe Holandë.