Në një botë gjithnjë e më të dominuar nga teknologjia, ku digjitalizimi po zë një rol kyç në operacionet e bizneseve, siguria kibernetike nuk është më thjesht një çështje e departamenteve të IT-së, por një garanci themelore për qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e çdo kompanie. Drejtori i Dhomës Amerikane, Neritan Mullaj, duke përshëndetur Forumin “Building Secure Systems, Strengthening Cyber Resilience”, theksoi rëndësinë e ngritjes së sistemeve të avancuara të sigurisë, duke e vendosur këtë çështje në qendër të prioriteteve të biznesit. Pikërisht në funksion të këtij vizioni, Dhoma Amerikane organizoi forumin me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Oracle, përfaqësuesve të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, si dhe specialistëve vendas të fushës.
Forumi vuri në qendër të diskutimit rolin thelbësor të lidershipit dhe bashkëpunimit ndërsektorial në ndërtimin e qëndrueshmërisë kibernetike. “Koha për të ndërtuar sisteme të sigurta kibernetike është tani, kjo nuk është më një çështje që mund të shtyhet,” u shpreh Kryetari i Komitetit të Biznesit Digjital, Genti Daci. Ai theksoi se rreziku kibernetik ka tejkaluar dimensionin teknik, duke u shndërruar në një çështje strategjike për biznesin, ndaj së cilës Dhoma Amerikane po i kushton një vëmendje të shtuar.
Paneli, i përbërë nga Esmeralda Kazia, Drejtoreshë në Drejtorinë e Monitorimit dhe Reagimit ndaj Incidenteve në AKSK, Tine Lenarčič, ekspert i qëndrueshmërisë kibernetike nga Oracle, Pavle Marjanović, konsulent për zgjidhje në ndërtimin e sistemeve të sigurta pranë Oracle, si dhe Sokol Qeraxhiu, themelues i Prisma, dhe i moderuar nga Lejdina Çuçi, Drejtoreshë Operacionale në InfoSoft Systems, zhvilloi një diskutim të thelluar që ndërthuri ekspertizën teknike, kuadrin ligjor, sigurinë në sistemin bankar dhe vizionin strategjik për forcimin e sigurisë si në nivel organizativ, ashtu edhe në atë kombëtar.
Diskutimet u përqendruan në transformimet e rëndësishme që po shoqërojnë procesin e digjitalizimit dhe po i ekspozojnë kompanitë ndaj kërcënimeve gjithnjë e më të sofistikuara. Këto kërcënime nuk synojnë më vetëm të dhënat, por edhe sistemet e komunikimit dhe vazhdimësinë operacionale. Qasja e ekspertëve të Oracle u fokusua në ndërtimin e infrastrukturave të sigurta të komunikimit për ndërmarrjet, duke integruar zgjidhje cloud, shërbime të mbështetura nga inteligjenca artificiale dhe mekanizma të avancuar mbrojtjeje. Panelistët nënvizuan se sulmet moderne kibernetike kanë evoluar përtej metodave tradicionale, si email-et, duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt komunikimeve në kohë reale, përfshirë zërin dhe mesazhet, çka e bën të domosdoshëm rishikimin e mënyrës se si ndërtohen dhe menaxhohen sistemet e sigurisë.
Në përfundim, forumi pasqyroi një konsensus të gjerë mes të gjithë panelistëve se siguria kibernetike përbën një përgjegjësi të përbashkët, e cila kërkon koordinim të ngushtë ndërmjet sektorit privat, institucioneve publike dhe ofruesve të teknologjisë.









