Sfidat e vitit 2023 – janë më të mëdha se vitin e kaluar

Sfidat e vitit 2023 – janë më të mëdha se vitin e kaluar

Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Shqipërisë

Realiteti global afatshkurtër është i vështirë. “Ne presim që një e treta e ekonomisë botërore të hyjë në recesion,” thotë kreu i FMN-së, Georgieva. Sipas saj, edhe vendet që nuk janë në recesion: “Do të ndihet si recesion për qindra milionë njerëz”. Arsyeja është se tre nga ekonomitë më të mëdha në botë, SHBA, Evropa dhe Kina, po ngadalësohen njëkohësisht.

Ndërsa SHBA mund të shmangë një recesion të mundshëm, situata duket më e zymtë në Evropë, e cila është goditur rëndë nga lufta në Ukrainë. Gjysma e Bashkimit Evropian pritet të jetë në recesion”, thotë Georgieva. Por recesioni ka një efekt domino tek të tjerët. Dhe Shqipëria është ndër vendet e cënueshme, duke përfshirë edhe të tjera në Ballkanin Perëndimor.

Katër kërcënime të dallueshme janë të pranishme për Shqipërinë. Së pari, vazhdimi i emigracionit – personat që u mungojnë mundësitë do të vazhdojnë t’i kërkojnë jashtë vendit. Nuk ka asnjë arsye themelore që kjo prirje të ndryshojë së shpejti. Së dyti, inflacioni – edhe pse inflacioni global po frenohet – pritet të vazhdojë, duke ndikuar tek më të cenuarit. Së treti, kriza energjitike po lëkundet balancat e rentabilitetit për disa biznese, duke vënë në pikëpyetje planet e investimeve. Së fundmi, sfidat gjeopolitike rajonale dhe vështirësitë që po shfaqin Kosova dhe Serbia në arritjen e një marrëveshjeje do të vazhdojnë të ngadalësojnë tregtinë rajonale dhe mundësinë për një përparim të shpejtë ballkanik ‘në bllok’ drejt Evropës.

Por jo gjithçka është e zymtë. Shqipëria mund të përfitojë nga investimet dhe rritja ekonomike në dy momente. Së pari, negociatat e sapohapura me BE-në ofrojnë një shans unik për të përshtatur një kornizë reformash strukturore që do të sillnin akses në miliona dollarë fonde dhe ‘rigjallërim’ të aftësive profesionale. Por që kjo të ndodhë, ka nevojë për një angazhim të vërtetë për t’u transformuar. Së dyti, konfliktet globale gjeopolitike po i detyrojnë kompanitë shumëkombëshe perëndimore të kërkojnë tregje të reja prodhimi. Por për të përfituar, Shqipëria duhet të përmirësojë ofertën e prodhimit, e cila deri më tani ka qenë e fokusuar vetëm në avantazhin e ‘çmimit të ulët’. Dhe për ta bërë këtë me sukses, si gjithmonë, ka nevojë për një partneritet të mirëfilltë mes administratës publike dhe sektorit privat. 2023 do ta testojë vërtet këtë mundësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *