Konferenca Rajonale për Qytetet Inteligjente, Mundësi drejt Tërheqjes së Investimeve të Teknologjisë në Vendet e Ballkanit

Konferenca Rajonale për Qytetet Inteligjente, Mundësi drejt Tërheqjes së Investimeve të Teknologjisë në Vendet e Ballkanit

Smart City Conference - Day 1 moments (51)

Deklarate për shtyp

Drejtori Ekzekutiv i AmCham, z.Neritan Mullaj: “Ky është një “momentum” i rëndësishëm në aplikimin e teknologjive të reja në zhvillimin e qyteteve të Ballkanit Perëndimor”

Tiranë 20-21 shtator 2022. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizoi eventin dy-ditor: “Qytetet Inteligjente – Konferenca Rajonale e Vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Për herë të parë, kompani lider të teknologjisë, kryetarë bashkish nga Ballkani Perëndimor, si dhe akademikë nga fusha e ICT  ishin pjesëmarrës në këtë konferencë.

Konferencën e përshëndeti një nivel i lartë përfaqësuesish në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, znj Yuri Kim Ambasdore e SHBA-së në Tiranë, Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, znj. Christiane Hohmann, Përfaqësuesja e Departamentit të Tregtisë për Europën Juglindore, znj. Pamela Ward, Zv.Presidenti i BERZH për Politikat dhe Partneritetin, z.Mark Bowman si dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj.    

Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania z.Neritan Mullaj duke hapur punimet e konferencës u shpreh se “organizimi i kësaj konference për rëndësinë rajonale që ka dhe aktorët që angazhon, është një “momentum” i rëndësishëm në aplikimin e teknologjive të reja në zhvillimin e qyteteve”.

Rëndësia e Qyteteve Inteligjente dhe Teknologjitë e Sigurta

Dita e parë ekonferencës është fokusuar tek mundësitë dhe promovimi i investimeve të teknologjisë inteligjente në qytetet e rajonit si dhe potencialet e paeksploruara ende që rajoni ofron. Temat e ditës së parë j’u kanë ofruar pjesëmarrësve mundësinë e një prezantimi mbi qytetet inteligjente dhe të ardhmen e tyre. Ata janë njohur nëpërmjet formave të implementimit nga projekte konkrete si ai i zbatuar në Athinë nga Microsoft. Një panel i përzgjedhur ekspertësh nga bota akademike, përfaqësues të bizneseve të njohura si Amazon, Cisco dhe Parsons të moderuar nga Kevin J. Krizek Profesor për arkitekturën mjedisore në Universitetin e Kolorados kanë folur mbi mënyrën se si qytetet mundet të gjejnë zgjidhje për çështjet themelore të tyre të zhvillimit siç janë energjia e rinovueshme, riciklimi i mbetjeve, pastrimi i ajrit etj. Janë qeveritë e pushteteve lokale ato të cilat marrin rolin themelor në zbatimin e ideve novatore në shndërrimin smart të qyteteve.

Mjaft interesant ka qënë dhe sesioni mbi sigurinë që duhet të ofrojnë zhvillimet teknologjike në shërbimet dhe platformat që i ofrohen qytetarëve. Diskutimi mbi sigurinë kibernetike bëhet akoma më aktual në situatën që përjetuan shërbimet online për qytetarët nga sulmi i hakerave Iranianë. Një panel i përzgjedhur i përbërë nga akademikë dhe përfaqësues biznesi si Motorola dhe i moderuar nga Evanna Hu, Drejtore Ekzekutive e kompanisë Omelas, zhvilloi në mënyrë konkrete diskutimin mbi ngritjen e sistemeve që menaxhojnë, arkivojnë dhe transferojnë  të dhëna duke u mbështetur në kompani serioze.

Panelistët në këtë sesion u bashkuan në mendimin se teknologjia ofron përparësi të cilat shkojnë paralelisht me rrezikun e hakerimit dhe sulmeve kibernetike. Është detyrë e qeverive dhe politikbërësve të angazhojnë fonde për sigurinë kibernetike por gjithashtu të edukojnë punonjësit e përdoruesit e internetit të njohin dhe zbatojnë elementë të sigurisë gjatë kohës që navigojnë në internet.

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim duke përshëndetur konferencën u shpreh se “Shtetet e Bashkuara punojnë gjithmonë me aleatët dhe partnerët për mënyrat se si të mbrojmë qeveritë dhe njerëzit tanë nga përdorimi keqdashës i teknologjive të reja. Por, për shkak të varësisë së qytetarëve tanë nga teknologjia dhe rreziqet e vazhdueshme për sigurinë dhe privatësinë e tyre nga aktorët keqdashës, ne të gjithë kemi nevojë për partneritete – ndërmjet qeverive dhe me sektorin privat – për t’i mbajtur njerëzit tanë, bizneset tona dhe demokracitë tona të sigurta”.

Në mbyllje të ditës së parë, finacimi i projekteve që sjellin transformime digjitale në qytetet e Rajonit, ka qënë giithashtu një sesion mjaft interesant.

Investimet e Gjelbra dhe Projektet Inovative

Dita e dytë e konferencës – ka sjellë në tryezën e diskutimeve përfaqësuesit e Bashkive nga Rajoni e Greqia të cilët kanë prezantuar projektet smart në zhvillimin e qyteteve. Diskutimi u fokusua në zhvillimet urbane që mbështeten në investimet e gjelbëra. Shembuj në praktikë të këtyre investimeve janë ofruar nga disa Bashki të cilët kanë folur për mënyra te implementimit të projekteve që synojnë energjinë e rinovueshme, reduktimin e karbonit në ajër, përdorimin e paneleve solare, zhvillimin e transportit të mbështetur në makinat elektrike etj. Konferenca ka qënë një mundësi e jashtëzakonshme networku mes gjithë aktorëve të cilët përtej sesioneve, kanë mundur të njihen dhe të shkëmbejnë eksperiencat dhe të zhvillojnë bashkëpunimet.

Në përfundim të konferencës Presidenti i Dhomës Amerikane, z. Enio Jaço duke falenderuar të gjithë aktorët që u përfshinë në këtë event të madh, theksoi tre mesazhe të rëndësishme. “Një mesazh për kompanitë globale të cilët i ftuam ta shikonin Shqipërinë si pjesë të një tregu të Ballkanit Perëndimorë dhe kjo ka patur një “efekt anësor” të këndshëm pasi një nga gjigandët e teknologjisë po shikon mundësinë të vijë në këtë treg.  

Mesazhi i dytë ka të bëjë me kryetarët e bashkive dhe bashkitë pasi punët që kanë bërë deri tani kanë qenë të jashtëzakonshme, por kanë sfida të tjera për të kaluar dhe një prej tyre është sfida e financimit. Një nga konkluzionet e konferencës ishte që pushteti vendor ka nevojë për një decentralizim të rregullave fiskale në mënyrë që ato të kenë një pavarësi më të madhe fiskale dhe për këtë ne i mbështesim, por i inkurajojmë që të punojmë me kompanitë globale për të krijuar projekte interesante për bashkitë e tyre.

Mesazhi i tretë është të forcojmë më tepër bashkëpunimin mes sektorit publik dhe atij privat si një bashkëpunim i nevojshëm në lidhje me qytetet inteligjente dhe projekte për bashkitë”  tha Enio Jaço.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *