Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv AmCham Albania
Edicioni i 21-të i Raportit Ekonomia Transatlantike 2024 ka prodhuar një rezultat mbresëlënës dhe optimist. Ekonomia transatlantike prej 8.7 trilion dollarësh ka provuar të jetë jashtëzakonisht elastike përballë përçarjeve globale ekonomike dhe strategjike duke mbetur tregu më i madh dhe më i pasur në botë, që përbën gjysmën e totalit të konsumit personal global, dhe afër një të tretën e PBB-së botërore për sa i përket fuqisë blerëse.
Tregtia e mallrave SHBA-Evropë arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 1.22 trilion dollarë në 2023 – dyfishi i tregtisë së mallrave SHBA-Kinë prej 575 miliardë dollarësh dhe 16% më e lartë se tregtia e mallrave BE-Kinë prej 798 miliardë dollarësh. Evropa është bërë tregu më i rëndësishëm i eksportit të LNG-së në SHBA, duke përbërë më shumë se 60% të eksporteve në vitin 2023 dhe njëkohësisht furnizuesi më i madh i BE-së me naftë. Dërgesat e SHBA-së me naftë në Evropë janë rritur me 82% që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia ndërkohë pjesa e Rusisë në importet e naftës dhe produkteve të naftës në Evropë ra nën 4% në 2023
SHBA dhe Europa janë burimi kryesor i njëra-tjetrës dhe destinacion për investime të huaja direkte. Stoku i investimeve të SHBA-së në BE prej 2.7 trilion dollarë në 2022 ishte 21 herë më i madh se stoku i IHD-ve të SHBA-së në Kinë prej 126.1 miliardë dollarësh ndërkohë stoku i investimeve të BE-së në IHD në SHBA ishte 2.4 trilion dollarë në 2022, 4% më shumë nga 2021. Studimi i kryer në 30 vende evropiane dhe 50 shtetet e SHBA nga Daniel Hamilton dhe Joseph Quinlan në Institutin e Politikës së Jashtme ka sjellë një mesazh të fuqishëm ekonomik dhe politik.Nuk ka dy rajone të tjera në botë të integruara ekonomikisht sa SHBA-ja dhe Evropa duke u bërë tregjet më të rëndësishme gjeoekonomike për njëra tjetrën dhe një mbështetje e fuqishme në sfidat gjeopolitike me të cilat po përballen të dy ekonomitë.
Shifrat janë dëshmi e një historie suksesi dhe Dhomat Amerikane në Europë ( ACE) kanë një rol të rëndësishëm në fuqizimin e këtyre marrëdhënieve. Krenarë që jemi pjesë e këtij rrjeti dhe japim kontributin tonë modest për të ndërtuar ura të qëndrueshme biznesi që e lidhin tregun tonë të vogël me dy ekonomitë më të mëdhaja dhe të fuqishme në botë.
Ju nxis ta lexoni raportin, ku mund të gjeni detaje të tjera të rëndësishme të këtij bashkëpunimi ekonomik.