AmCham-et në Europë shkëmbejnë eksperiencat në Athinë dhe festojnë 60 vjetorin.

AmCham-et në Europë shkëmbejnë eksperiencat në Athinë dhe festojnë 60 vjetorin.

Takimi i Dhomave Amerikane në Europë për të shkëmbyer praktikat më të mira që është zhvilluar në Athinë ka qënë një eksperiencë e jashtëzakonshme për drejtuesit e Dhomave Amerikane që ka kulmuar edhe me 60 vjetorin e themelimit të organizatës. Organizimi i shkëlqyer nga AmCham Greqi ka qënë një kombinim i sesioneve ku shkëmbehen praktikat më të mira, network-ut dhe vizitat ekskluzive në projekte novatore deri tek mbrëmja madhështore gala për përvjetorin e organizatës. Pjesë e këtij network-u të gjerë prej 35 organizatash ka qënë dhe Dhoma Amerikane e përfaqësuar nga Presidenti z.Enio Jaço dhe Drejtori Ekzekutiv z.Neritan Mullaj.

Sesionet e ditës së parë dhe të dytë të konferencës kanë mbuluar tema jetike si rritja e performancës së organizatës, angazhimi i anëtarëve, qëndrueshmëria financiare e organizatës dhe më e rëndësishmja adresimi i sfidave ekonomike dhe rritja e bashkëpunimit me SHBA. Gjatë sesioneve i është kushtuar një rëndësi e veçantë çështjeve të etikës, transparencës e integritetit që duhet të kenë organizatat. Zhvillimet politike në Europë dhe marrëdhëniet transatlantike kanë qënë gjithashtu pjesë mjaft interesante e sesioneve gjatë tre ditëve të konferencës.  

Një nga momentet e rëndësishme të takimit ka qënë dhe Mëngjesi i Punës i Presidentëve dhe Drejtorëve Ekzekutiv të ACE, duke sjellë së bashku liderët e industrisë dhe investimeve dhe drejtuesit e AmCham-eve për të diskutuar mbi të ardhmen e sektorëve dhe rajoneve të tyre. Pjesë e panelit të këtij sesioni ka qënë Presidenti i AmCham Albania z. Enio Jaço. “Në takimin me ACE në Athinë, ndamë praktikat më të mira nga të gjitha rajonet dhe vendet” – u shpreh z. Jaço.

Konferenca e praktikave më të mira ka patur dhe prezantimet e katër Dhomave Amerikane të Tregtisë të cilët kanë prezantuar projektet e tyre novatore. Në përfundim projekti fitues është përzgjedhur ai i AmCham Ukrainës mbi “Vazhdimësinë në mes të Krizës” e cila referonte mënyrën se si Dhoma Amerikane në Ukrainë po vazhdon të punojë  përmes vështirësive të luftës duke demostruar vullnet dhe qëndrueshmëri. “Konferenca e këtij viti pati një veçanti pasi celebroi 60 vjet të ACE dhe ishte një kombinim i jashtëzakonshëm i eksperiencës i vlerave që ndajmë si organizatë, i arritjeve që kemi përmes projekteve tona por dhe i network-ut që kemi zhvilluar nën ombrellën e ACE”- u shpreh Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj.

Por shkëmbimi i informacionit dhe praktikave të mira nuk është kufizuar vetëm në temat që zhvillojnë organizatën por është shtrirë dhe në network-un e krijuar në takimin me

Dimitris Fragakis, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare Greke të Turizmit, i cili dha një pasqyrë të thellë të sektorit të turizmit grek. Drejtorët ekzekutiv dhe përfaqësuesit e lartë të Dhomave Amerikane në Europë janë angazhuar në një turne ekskluziv në Qendrën e Eksperiencës Ellinikon ku janë njohur me një projekt novator të zhvillimit urban në vendin historik të ish-aeroportit të Athinës.

Një mirëseardhje e ngrohtë i është ofruar përfaqësuesve të Dhomave Amerikane nga ambasadori  i SHBA-së, në Athinë z.George J. Tsunis ku është folur më gjerësisht mbi të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike dhe rolin jetik të organizatave si Dhomat Amerikane në nxitjen e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Evropës

Aktiviteti ka kulmuar me Mbrëmjen Gala në nder të 60-vjetorit të ACE duke i dhënë mundësi të ftuarve  jo vetëm për network por dhe takimit me folës të shquar.

Gjatë sesioneve të konferencës së ACE, u prezantuan dy raporte

Raporti i GMF Transatlantic Trends i cili tregon se si qëndron aktualisht opinioni publik në ndryshimet globale.

https://www.gmfus.org/news/transatlantic-trends-2023

Raporti ECIPE i cili tregon se si Europa dhe vendet evropiane individualisht po ecin në lidhje me PBB-në duke i vendosur në raport krahasimor edhe me shtetet individuale të SHBA-së.

https://ecipe.org/publications/comparing-economic-growth-between-eu-and-us-states/