Dita e tretë e Javës së Hapur e Burimeve Njerëzore është drejtuar nga Elvis Kotherja, Kryetar i Komitetit të Turizmit në AmCham dhe është fokusuar në standardizimin e pozicioneve të punës dhe kualifikimet profesionale.
Gjatë takimit, Elvis Kotherja CEO i Elite Travel, ka theksuar se Departamentet e Burimeve Njerëzore luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e strukturave efikase brenda kompanisë duke krijuar profile të qarta të pozicioneve të punës dhe më pas, rekrutime të suksesshme. Ato kthehen në një mbështetje të fortë për funksionimin e mirë dhe të suksesshëm të kompanisë.
Në takim ka marrë pjesë edhe Drejtorja e Menaxhimit të AFP në AKPA, Etleva Gjelaj, e cila ka diskutuar me pjesëmarrësit mbi rolin e biznesit në përcaktimin e kualifikimeve për çdo pozicion pune. Kjo do të ndihmonte Agjencinë Kombëtare të Kualifikimeve dhe Aftësive në ndërtimin e profileve të qarta të pozicioneve të punës, të shprehura në sistemet ISCO përmes kodeve dhe ESCO, përmes kompetencave.
Znj Gjelaj informoi se Agjencia Kombëtare e Kualifikimeve dhe Aftësive po krijon Komitete me praninë e përfaqësuesve të biznesit për katër sektorë prioritarë të ekonomisë, turizmi, ndërtimi, energjia, dhe ICT. Roli i Komiteteve në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë do të jetë ndihmues në standardizimin e çdo pozicioni pune në këto sektorë me kualifikimet përkatëse.
Gjatë diskutimit z. Kotherja përfshiu pjesëmarrësit në një diskutim aktiv mbi rolin që mund të luajnë së bashku në zhvillimin e kurrikulave për shkollat profesionale dhe sistemet universitare. Bashkëpunimi i biznesit me shkollat është themelore në kohën kur tregu i punës jo vetëm që ka nevojë për kapital njerëzor, por edhe të kualifikuar sipas sektorëve.
![](https://amcham.com.al/wp-content/uploads/2024/04/DSC_0632-1-1024x683.jpg)
![](https://amcham.com.al/wp-content/uploads/2024/04/DSC_0639-1-1024x683.jpg)
![](https://amcham.com.al/wp-content/uploads/2024/04/DSC_0653-1-1024x683.jpg)
![](https://amcham.com.al/wp-content/uploads/2024/04/DSC_0655-1-1024x683.jpg)
![](https://amcham.com.al/wp-content/uploads/2024/04/DSC_0665-1-1024x683.jpg)