“E mira është armiku i madhështisë ” – citoi Presidenti i Dhomës Amerikane z. Grant Van Cleve duke përmbledhur në një frazë të vetme nevojën për përmirësime të mëtejshme për t’i ofruar ekonomisë, biznesit dhe vendit më të mirën e mundshme. Ka qënë ky thelbi i diskutimit në Forumin e CEO-ve me Ministrin e Financave z.Ervin Mete më datë 26 Mars 2024, ku drejtues të lartë të Dhomës Amerikane dhe kompanive më të mëdha në vend kanë diskutuar çështjet themelore që shqetësojnë biznesin në aktivitetin e përditshëm duke synuar të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
“Erërat po fryjnë në drejtimin tuaj, duke ju sjellë rritje ekonomike, por këto gjëra të mira mund të mos jenë të mjaftueshme për të arritur atje ku duhet. Shqipëria ka potenciale për të zhvilluar në turizëm apo në teknologji inovacioni por ka probleme me fuqinë punëtore të kualifikuar, dhe për këtë duhet të gjendet një zgjidhje”, tha Presidenti i Dhomës Amerikane, z. Grant Van Cleve.
Duket se të njëjtin opinion ka ndarë edhe Ministri i Financave i cili ka qënë i mendimit se temat e diskutimit me AmCham, janë të rëndësishme pasi përmbledhin çështje me të cilat përballet biznesi në përditshmëri dhe impaktojnë përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend edhe më tërheqës për investimet e huaja. Ministri i Financave z. Mete, ka shfrytëzuar takimin me Dhomën Amerikane për të informuar publikun përmes mediave mbi stimujt e pritshem që do të zbatojë qeveria për të impaktuar punëmarrësit.
“Në qershor mund të prezantojmë edhe një mini-paketë me masa lehtësuese sa i përket tatimit. Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave dhe në mënyrë që këtë momentum të mirë që po kalon ekonomia ta përkthejmë në një shpërndarje më të drejtë të mirëqënies për qytetarët”, tha Ministri Mete gjatë Forumit të CEO-ve
Politika fiskale ishte në fokus të Forumit të CEO-ve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, dhe Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave, Alketa Uruçi, ka sjellë në vëmendje problemet e vjetra të pazgjidhura siç është informaliteti por dhe çështje të reja si rivitalizimi i Këshillit Tatimor, transparenca dhe qëndrueshmëria e ligjeve,
“Çështja e parë që është ngritur nga anëtarët e Dhomës, prej vitesh, është informaliteti në ekonomi dhe masat që duhet të ndërmarrë qeveria për zgjerimin e bazës së tatueshme. As ligji për tatimin mbi të ardhurat nuk i mbylli shtigjet, pasi kemi diferencime për sektorë të ndryshëm, e disa të tjerë janë të përjashtuar deri në vitin 2029, u shpreh Uruçi.
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës z. Neritan Mullaj ka theksuar rëndësinë e komunikimit institucional si e vetmja formë e trajtimit të problematikave që has biznesi. “Dita e sotme shënon një mundësi të rëndësishme për dialog institucional midis Dhomës Amerikane dhe Ministrisë së Financave, duke nxitur bashkëpunimin për çështje kritike që ndikojnë bizneset në Shqipëri”
Ka qënë i menjëhershëm reagimi i Ministrit Mete i cili ka deklaruar se për të forcuar më tej komunikimin dhe për të patur një ndërveprim sa më të madh me biznesin, janë në hapat e fundit të konstituimit të Këshillit Tatimor dhe ka ftuar ekspertët e mandatuar nga Dhoma Amerikane të bëhen anëtarë. Z, Mete ka qënë i gatshëm për të vijuar takimet me AmCham për të diskutuar në kohë çështjet që kalon biznesi dhe zgjidhjet e propozuara prej tyre.
Cështjet kryesore të Dhomës Amerikane të trajtuara në Forum
Qëndrueshmëria fiskale: Theksohet domosdoshmëria për politika tatimore të drejta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të zbutur efektet e pafavorshme mbi bizneset. Sugjerohet që Ministria e Financave t’i japë përparësi përditësimit të Udhëzimit për Tatimin mbi të Ardhurat, duke integruar reagimet e mbledhura nga bizneset që nga fillimi i zbatimit. Për më tepër, duhet bërë një fushatë gjithëpërfshirëse sensibilizuese që synon ndërgjegjësimin e biznesit për zbatimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.
Rritja e transparencës ndaj tatimpaguesve: Theksohet domosdoshmeria për të publikuar të gjitha qëndrimet në lidhje me dispozitat specifike ligjore nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apo Ministria e Financave. Gjithashtu, u theksua nevoja për rritjen e proceseve të konsultimit dhe komunikimit institucional për të siguruar publikimin në kohë të projekt-akteve dhe reagimet e përgjegjshme ndaj komenteve të biznesit.
Ekonomia informale dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve: Përkrahet fuqimisht rritja e të ardhurave buxhetore, përmes integrimit të më shumë tatimpaguesve në ekonominë formale, pa përdorur rritjen e normës së tatimit. Hartimi i nje politike kundër informalitetit konsiderohet thelbësor për arritjen e këtij objektivi.
Ndryshimet ligjore në proces: Eshtë e domosdoshme një analizë rigoroze e projektligjeve të propozuara kohët e fundit që ndikojnë në barrën fiskale, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me taksën mbi pasurinë e paluajtshme, sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve, projektligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit. Radhiten shqetësimet e ngritura nga bizneset në lidhje me mbivendosjen e taksave dhe përfshirjen e nevojshme të Ministrisë së Financave.
Çështjet e sektorëve specifikë dhe bizneset e mëdhenj: Disa sektorë dhe biznese të mëdha po përballen me probleme, veçanërisht me praktikat e rivlerësimit tatimor nga autoritetet tatimore, për përjashtimet nga TVSH-ja të lëshuara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, duke tejkaluar afatet ligjore. Ndryshimi i udhëzimit te përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energjisë është thelbësor per shmangien e kësaj problematike.
Bizneset janë në pritje të miratimit të një Udhëzimi të Ri të Ministrit të Financave për zbatimin e Marrëveshjeve Tatimore. Vazhdojnë shqetësimet lidhur me vonesat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, me vonesa të vazhdueshme ose përgjigje jo të plota për aplikimet.
Rivitalizimi i Këshillit Tatimor: Janë shumë të dobishme përfitimet nga riaktivizimi i Këshillit Tatimor për nxitjen e politikave fiskale.
Sistemet e reja të pagesave (Elektronike): Nismat e qeverisë dhe legjislacioni përkatës në këtë sferë, së bashku me aplikimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Eurozonë (SEPA), u diskutuan gjerësisht.