Java Globale e Sipërmarrjes krijoi një hapësirë interesante diskutimi në Mëngjesin e Punës së Dhomës Amerikane me Ministren e Sipërmarrjes Delina Ibrahimaj. Temat themelore të klimës së biznesit të cilat janë objekt i përbashkët i punës u bënë fokus i bisedës mes drejtuesve të Komiteteve në AmCham dhe Ministres Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj e vendosi theksin në punën koordinuese të institucioneve mbi procesin e derregullimit i cili synon të zgjidhë mbivendosjen e procedurave dhe ligjeve duke siguruar funksionalitetin e tyre dhe një proces më efiçent dhe të drejtë të inspektimeve. Lidhur me këtë fakt Kryetarja e Komitetit të Taksave Alketa Uruci ka përmendur eksperiencën pozitive me aplikimet online, por në të njëjtën kohë nevojën për përmirësim për shumë procedura të tjera.
Drejtori i AmCham Albania, Neritan Mullaj, duke folur për rëndësinë e procesit të derregullimit, përmendi si themelore shqetësimin e vazhdueshëm të Dhomës mbi konsultimin publik të projektligjeve që shpesh arrijnë në miratimin përfundimtar në parlament pa kaluar në sitën e gjykimit të biznesit. Kryetarja e Komitetit Ligjor, Albana Karapanço shprehu mendimin se aktivizimi i KEK si një strukturë që do të kërkojë vendimarrjen përmes angazhimit të organizatave të biznesit, është në një moment kyç që duhet të reflektojë opinionin dhe kërkesat e biznesit për funksionimin transparent të tij.
Investimet e huaja ndikohen edhe nga qëndrueshmëria e ligjeve dhe Adrian Shehu, Kryetar i Komitetit të Investimeve ka theksuar rëndësinë e vendosjes së mekanizmave të duhur në zbatimin e ligjeve në mënyrë që të jenë efiçente. Lidhur me këtë fakt sekretari i Bordit të AmCham, Dritan Nako, ka theksuar se janë disa ligje që rregullojnë investimet e huaja të cilat pothuajse kanë po të njëjtën bazë dhe për më shumë vazhdojnë të jenë objekt i ndryshimit, për këtë arsye duhet një koordinim më i mirë institucional.
Në takim janë diskutuar edhe çështje të informalitetit dhe adresimit të qartë të këtij problemi që afekton shumë sektorë si edhe rolin e komunikimit institucional në zgjidhjen në kohë të çështjeve që vijnë nga biznesi.