Digjitalizimi në ekonomi dhe siguria kibernetike, do të jenë dy shtyllat themelore ku do të përqëndrohet programi vjetor i Komitetit të Biznesit Digjital. Komiteti përballet me sfidën më të mprehtë të kohës jo vetëm në revolucionin digjital në ekonomi por edhe riaftësimin e fuqisë punëtore për t’ju përshtatur zhvillimeve teknologjike.
Ekspertët e Komitetit Digjital të drejtuar nga Kryetarja Linda Shomo duke dizenjuar eventet që do t’i ofrojnë anëtarëve gjatë këtij viti, kanë mbajtur në konsideratë analizat mbi ndryshimet ligjore që rregullojnë veprimtarinë digjitale. Ndërveprimi me institucionet që hartojnë proceset rregullatore dhe monitorojnë zbatimin, do të kenë vëndin e tyre në planin e aktiviteteve.
Trajnimi dhe zhvillimi profesional është një shtyllë e rëndësishme për organizatën, por merr një vlerë të vecantë në Komitetin Digjital i cili ka përgjegjësinë të informojë dhe të trajnojë forcat e punës me zhvillimet e vrullshme në teknologji. Për ta bërë sa më mirë këtë, Komiteti do të mbështetet në kapacitetin e vetë anëtarëve të cilët zhvillojnë programe apo kanë shkolla të formimit profesional në këtë fushë. Drejtori Ekzekutiv i AmCham Neritan Mullaj, ka theksuar se bashkëpunimi me projektet që mbështesin financiarisht biznesin në trajnimin e stafeve do të jetë një nga fushat e punës së Komitetit.
Startup-et dhe ekosistemi që po zhvillohet rreth tyre, dhe pse akoma në hapat e para, është një temë që i intereson këtij Komiteti i cili mendon se është koha për të filluar një diskutim mes gjithë aktorëve, bizneset e reja, akseleruesit dhe investitorët që mund ti mbështesin. Gjatë takimit anëtarja e Bordit Juela Isaj, inkurajoi Komitetin të bëjë pjesë të diskutimeve profesionale edhe zhvillimet e reja në AI dhe mënyrën se si këto novacione mund të përqasen nga bizneset në tregun vendas.
Zhvillime interesante dhe me vlerë për anëtarët do të ketë nga ky Komitet në 2023.