Nxitja e investimeve amerikane, është objektivi themelor i Dhomave Amerikane
në Europë dhe Rajon. Për t’i shërbyer këtij qëllimi AmCham Albania ka krijuar
një Komitet të posaçëm për Investimet dhe Tregtinë, që synon të sjellë një
impakt në indikatorët themelorë të klimës së investimeve përmes ekspertizës dhe
kapacitetit të anëtarëve të saj. Mbledhja e parë e Komitetit pas zgjedhjeve për
Kryetarin dhe grupin e punës, trajtoi pikërisht punën që duhet bërë për të
ndikuar mbi kuadrin ligjor dhe rregullator si e vetmja rrugë për ta bërë vendin
atraktiv për investimet amerikane dhe ato të huaja.
Kryetari i rizgjedhur i Komitetit z. Adrian Shehu drejtoi takimin i cili
ishte një diskutim idesh mbi programin e Komitetit në përputhje me objektivin
themelor të Dhomës por dhe dokumentave që drejtojnë veprimtarinë e saj,
Axhendën e Investimeve dhe Indeksin e Biznesit. Komiteti ka prezantuar edhe dy
nënkryetarët Grant Van Cleve dhe Rexhino Cekrezi të cilët do të ndihmojnë në
kapacitetin e tyre duke diversifikuar njohuritë në shërbim të programit
ambicioz të Komitetit.
Takimi pati prezencën edhe të Presidentit Enio Jaço dhe zv/Presidentes
Edlira Muka që theksuan rëndësinë që ka ky Komitet për axhendën e Dhomës
Amerikane dhe rolin që ka ndërmarrë organizata për të sjellë ndryshime pozitive
që lehtësojnë aktivitetin e biznesit për investitorët vendas dhe të huaj.
Drejtuesit e Dhomës sugjeruan se është me rëndësi për këtë Komitet të jenë të
draftuara qartë jo vetëm objektivat por dhe strategjinë dhe planin e punës, për
të bërë të mundur jo vetëm zbatimin por dhe për të matur rezultatet e saj.