Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham Albania), në vijim të konsultimit publik të projektligjit “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, paraqet më poshtë komentet dhe rekomandimet e saj lidhur me disa prej dispozitave të projektligjit.
AmCham vlerëson rëndësinë e forcimit të transparencës së pronësisë përfituese dhe përafrimit të kuadrit shqiptar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në të njëjtën kohë, konsiderojmë të rëndësishme që detyrimet e reja të jenë të qarta, proporcionale dhe praktikisht të zbatueshme për subjektet raportuese, duke shmangur mbivendosjen e procedurave, paqartësitë interpretuese dhe krijimin e barrëve administrative që nuk lidhen drejtpërdrejt me qëllimin e ligjit.
Në këtë kuadër, paraqesim komentet si më poshtë:
Projektligji përmban një sërë dispozitash të marra nga legjislacioni i Bashkimit Evropian, të cilat nuk rezultojnë të jenë përshtatur plotësisht me kuadrin ligjor dhe institucional shqiptar. Në disa dispozita vijojnë të përdoren referenca ndaj “shteteve anëtare”, Komisionit Evropian, afateve dhe mekanizmave specifikë të BE-së, duke krijuar paqartësi lidhur me autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën konkrete të zbatimit të tyre në Shqipëri. Për këtë arsye, rekomandojmë një rishikim të plotë të projektligjit, me qëllim korrigjimin e referencave dhe përshtatjen e dispozitave të transpozuara me legjislacionin, institucionet dhe realitetin juridik të vendit tonë.
Neni 2 – Fusha e zbatimit, Pika 1, shkonja’’gj’
gj) “Personat juridikë dhe ndërmarrjet, ortakët/aksionarët e të cilëve, përveç institucioneve qendrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë, janë edhe individë/persona juridikë të tjerë shqiptarë dhe/ose të huaj.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Kjo kategori, në formulimin aktual, rezulton e gjerë dhe krijon mundësi mbivendosjeje me kategori të tjera të subjekteve raportuese të parashikuara në projektligj. Në mungesë të një kriteri të qartë dallues, mbetet e paqartë arsyeja e trajtimit të saj si kategori më vete, si dhe kufiri ndërmjet kësaj kategorie dhe kategorive të tjera të subjekteve raportuese.
Për këtë arsye, rekomandojmë që dispozita të rishikohet me qëllim qartësimin e qëllimit dhe fushës së zbatimit të kësaj kategorie, si dhe përcaktimin e kritereve të qarta dhe objektive që e dallojnë atë nga kategoritë e tjera të subjekteve raportuese.
Neni 3 – Përkufizime, pika 1.1.1
- “Individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të një përqindjeje të mjaftueshme të kuotave/aksioneve, të drejtave të votimit ose pjesëmarrjes në kapital, përfshirë përmes mbajtjes së kuotave/aksioneve ose kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera, ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Ky formulim duhet të qartësohet, pasi mund të përfshijë edhe persona që përfitojnë ekonomikisht nga një transaksion, pa ushtruar pronësi ose kontroll mbi subjektin juridik.
Për këtë arsye, sugjerojmë që ky kriter të zbatohet vetëm në rastet kur subjekti juridik vepron realisht për llogari të individit dhe kur kjo marrëdhënie tregon kontrollin përfundimtar ose pozicionin e tij si përfitues përfundimtar.
Neni 3 – Përkufizime, pika 8
“informacion bazë” është informacioni i mëposhtëm, i cili depozitohet në Regjistrin e Pronarëve Përfitues vetëm në rastet dhe në masën e parashikuar shprehimisht në këtë ligj:
a) në lidhje me një person juridik:”
Koment/Rekomandim AmCham:
Termi “informacion bazë” përkufizohet në këtë pikë, por përdorimi i tij në dispozitat e tjera të projektligjit është relativisht i kufizuar dhe lidhet kryesisht me detyrimet që u ngarkohen kujdestarëve të organizimeve ligjore. Në veçanti, neni 18 parashikon detyrimin e kujdestarëve për marrjen, ruajtjen dhe raportimin e informacionit bazë mbi organizimin ligjor. Për personat juridikë, përfshirë fondacionet, nuk rezulton të jetë përcaktuar me të njëjtën qartësi një detyrim i përgjithshëm për depozitimin e të gjithë elementeve të listuara në këtë përkufizim.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë duke pasur parasysh se rregullat dhe procedurat konkrete të regjistrimit do të përcaktohen edhe me vendim të Këshillit të Ministrave. Në mungesë të një kufizimi të shprehur në nivel ligjor, përkufizimi mund të interpretohet si bazë për t’u kërkuar të gjithë subjekteve raportuese depozitimi i çdo elementi të përfshirë në termin “informacion bazë”, përfshirë dokumente si akti i themelimit dhe statuti, edhe kur një detyrim i tillë nuk parashikohet shprehimisht në dispozitat materiale të ligjit.
Për këtë arsye, AmCham mbështet formulimin që e lidh shprehimisht depozitimin e informacionit bazë vetëm me rastet dhe në masën që parashikohen shprehimisht nga vetë ligji. Ky sqarim nuk ndryshon përmbajtjen e informacionit të përcaktuar si “informacion bazë”, por garanton që fusha e detyrimit të mos zgjerohet nëpërmjet interpretimit ose akteve nënligjore përtej asaj që ka përcaktuar ligjvënësi.
Neni 3 – Përkufizime, pika 8, shkronja “a”, nënpika VII
“VII. në rastin e fondacioneve, pasuritë e zotëruara nga fondacioni për të ndjekur qëllimet e tij;”
Koment/Rekomandim AmCham:
Në formulimin aktual, kërkesa për deklarimin e “pasurive të zotëruara nga fondacioni” nuk përcakton elementet e nevojshme për ta bërë këtë detyrim të qartë dhe të zbatueshëm në praktikë.
Në veçanti, dispozita nuk përcakton se cilat kategori pasurish duhet të raportohen, nëse raportimi përfshin çdo pasuri pavarësisht vlerës së saj, cila është data e referimit, nëse duhet përdorur vlera kontabël apo vlera e tregut dhe me çfarë periodiciteti duhet të përditësohet informacioni.
Kjo paqartësi ka pasoja praktike të rëndësishme. Pasuritë e një fondacioni aktiv mund të ndryshojnë vazhdimisht për shkak të donacioneve, shpenzimeve, investimeve apo ndryshimeve të portofolit. Nëse çdo ndryshim do të konsiderohej ndryshim i “informacionit bazë” që kërkon përditësim të menjëhershëm në regjistër, detyrimi do të bëhej tejet i vështirë për t’u administruar dhe potencialisht disproporcional.
Për këtë arsye, rekomandojmë që dispozita të qartësohet duke parashikuar deklarimin përmbledhës sipas kategorive të pasurive, një prag materialiteti, një datë të qartë referimi, e cila mund të lidhet me pasqyrat financiare vjetore, si dhe përditësimin periodik, të paktën në baza vjetore, në vend të detyrimit për raportim pas çdo ndryshimi individual të pasurisë.
Neni 3 – Përkufizime, pika 8, shkronja “b”, nënpika IV
“IV. pasuritë e zotëruara nga organizimi ligjor ose të administruara nëpërmjet tij;”
Koment/Rekomandim AmCham:
Përveç problematikave të mësipërme lidhur me përcaktimin e pasurive që duhet të raportohen, formulimi për organizimet ligjore ngre një çështje shtesë, pasi përfshin jo vetëm pasuritë e zotëruara nga organizimi ligjor, por edhe ato “të administruara nëpërmjet tij”.
Ky formulim mund të interpretohet si një detyrim për raportimin e pasurive që nuk janë në pronësi të organizimit ligjor, por u përkasin palëve të treta dhe vetëm administrohen prej tij. Një detyrim i tillë do të shkonte përtej qëllimit të transparencës së pronësisë përfituese dhe mund të krijonte konflikt me detyrimet kontraktore apo ligjore të konfidencialitetit ndaj palëve të treta.
Për këtë arsye, rekomandojmë që objekti i raportimit të kufizohet në informacionin që është relevant për identifikimin e pronësisë përfituese dhe që, për pasuritë e administruara për llogari të të tretëve, të përcaktohet qartë nëse dhe në çfarë rrethanash kërkohet raportimi i tyre.
Neni 3 – Përkufizimi “Interesi pronësor mbi shoqërinë tregtare apo subjekte juridike të posaçme”
“‘Interesi pronësor mbi shoqërinë tregtare apo subjekte juridike të posaçme’ nënkupton zotërimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të 25% ose më shumë të kuotave/aksioneve ose të të drejtave të votës ose të interesave të tjerë pronësorë mbi shoqërinë tregtare apo subjekte juridike të posaçme […] Pronësia indirekte llogaritet duke shumëzuar, për çdo zinxhir pronësie, përqindjet e kuotave/aksioneve, të të drejtave të votës ose interesave të tjera pronësore të zotëruara në mënyrë të njëpasnjëshme nga pronari përfitues dhe subjektet e ndërmjetme deri te subjekti raportues.”
Koment/Rekomandim AmCham:
AmCham mbështet qartësimin e mënyrës së llogaritjes së pronësisë indirekte, sipas të cilit pragu prej 25% vlerësohet mbi pjesëmarrjen reale të ponderuar që individi zotëron në subjektin raportues, duke shumëzuar përqindjet e pronësisë në secilin nivel të zinxhirit.
Për shembull, nëse individi A zotëron 60% të shoqërisë B dhe shoqëria B zotëron 40% të subjektit raportues C, pjesëmarrja indirekte e individit A në C është 24% (60% × 40%). Në këtë rast, vetëm fakti që individi zotëron më shumë se 25% në një nivel të ndërmjetëm të strukturës nuk duhet të jetë i mjaftueshëm për ta konsideruar atë automatikisht pronar përfitues të subjektit raportues.
Gjithashtu, dispozita përfshin në interesin pronësor, krahas kuotave/aksioneve dhe të drejtave të votës, edhe të drejtat mbi fitimet, burimet e tjera të brendshme dhe bilancin e likuidimit. Në këtë drejtim, sugjerojmë të qartësohet mënyra e vlerësimit të këtyre të drejtave për përcaktimin e pragut prej 25%, veçanërisht në rastet kur i njëjti person gëzon njëkohësisht disa prej tyre.
Qartësimi i kësaj metodologjie është i rëndësishëm për të garantuar një praktikë uniforme dhe për të shmangur deklarimin e individëve që nuk e arrijnë realisht pragun ligjor në subjektin raportues. Një interpretim sipas të cilit mjafton zotërimi i 25% ose më shumë në cilindo nivel të zinxhirit krijon deklarime të panevojshme dhe një barrë administrative joproporcionale, veçanërisht për strukturat shumëkombëshe me disa nivele pronësie.
Vëmë në dukje se kjo çështje është ngritur edhe më herët nga AmCham. Nëpërmjet shkresës nr. 70 Prot., datë 29.06.2023, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe për dijeni Qendrës Kombëtare të Biznesit, Dhoma ka evidentuar problematikat e krijuara në praktikë nga mungesa e një metodologjie të qartë për llogaritjen e pronësisë efektive në rastet e pronësisë indirekte dhe ka rekomanduar që përqindja e zotërimit të individit të vlerësohet në raport me pjesëmarrjen e tij efektive në subjektin raportues.
Në këtë kuptim, AmCham mirëpret faktin që projektligji aktual synon ta adresojë këtë problematikë në nivel ligjor. Duke qenë se kuadri ligjor për Regjistrin e Pronarëve Përfitues po rishikohet në mënyrë tërësore, rekomandojmë që kjo qasje të reflektohet në mënyrë të plotë dhe të njëtrajtshme edhe në aktet nënligjore dhe në praktikën e zbatimit nga QKB-ja, me qëllim shmangien e interpretimeve të ndryshme lidhur me llogaritjen e pronësisë indirekte.
Për lehtësi reference, bashkëlidhur kësaj shkrese përcjellim edhe shkresën e AmCham nr. 70 Prot., datë 29.06.2023.
.
Neni 5 – Detyrimet e subjekteve raportuese dhe të pronarëve përfitues, pika 1
“1. Subjektet raportuese kanë detyrimin të ruajnë dhe të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta e të përditësuara, në bazë të të cilave përcaktohen pronarët përfitues të subjektit raportues dhe lloji i kontrollit të pronarëve të tyre përfitues.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita parashikon detyrimin për mbajtjen e dokumenteve shoqëruese “të duhura, të sakta e të përditësuara”, por nuk përcakton kriteret minimale apo kategoritë e dokumenteve që konsiderohen të mjaftueshme për përmbushjen e këtij detyrimi. Mungesa e një përcaktimi të tillë mund të krijojë paqartësi në praktikë lidhur me dokumentacionin e nevojshëm për përcaktimin dhe verifikimin e pronarit përfitues dhe të llojit të kontrollit.
Për këtë arsye, sugjerojmë që në ligj ose në aktin nënligjor përkatës të përcaktohet një listë jo shteruese e dokumenteve dhe burimeve që konsiderohen të përshtatshme për këtë qëllim, duke përfshirë edhe dokumentacionin e lëshuar nga regjistra dhe autoritete kompetente të huaja.
Neni 5 – Detyrimet e subjekteve raportuese dhe të pronarëve përfitues, pika 3
“3. Regjistrimi nga subjektet raportuese i të dhënave të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues bëhet në afatet e mëposhtme:”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita përcakton afatin për regjistrimin e ndryshimeve të pronarit përfitues për organizatat jofitimprurëse dhe për subjektet që regjistrohen në regjistrin tregtar me pronësi direkte, por nuk parashikon shprehimisht afatin e zbatueshëm për subjektet me pronësi indirekte. Kjo mungesë mund të krijojë paqartësi në praktikë lidhur me afatin që duhet të respektojë kjo kategori subjektesh.
Për këtë arsye, sugjerojmë që dispozita të plotësohet duke përcaktuar një afat të qartë edhe për regjistrimin e ndryshimeve nga subjektet me pronësi indirekte. Gjithashtu, për strukturat me disa nivele pronësie dhe me element të huaj, rekomandojmë të qartësohet momenti nga i cili fillon të llogaritet afati kur ndryshimi ndodh në një subjekt të huaj në zinxhirin e pronësisë, duke marrë në konsideratë momentin kur subjekti raportues shqiptar merr dijeni për ndryshimin, si dhe kohën e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit zyrtar përkatës.
Neni 5 – Detyrimet e subjekteve raportuese dhe të pronarëve përfitues, pika 3, shkronja “ç”
“ç) në rastin e regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese, organizatave jofitimprurëse, regjistrimi bëhet brenda 120 (njëqind e njëzet) ditëve kalendarike nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik.”
Koment/Rekomandim AmCham:
AmCham mbështet përcaktimin e një afati prej 120 ditësh kalendarike për raportimin e ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues.
Nga praktika e deritanishme rezulton se sigurimi dhe verifikimi i informacionit mund të kërkojë një periudhë të konsiderueshme, veçanërisht për subjektet shqiptare që janë pjesë e grupeve multinacionale ose e strukturave komplekse me disa nivele pronësie. Në këto raste, informacioni dhe dokumentacioni i nevojshëm duhet të sigurohet nga subjekte të tjera të grupit dhe mund të mos jetë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të subjektit raportues në Shqipëri.
Përcaktimi i një afati tepër të shkurtër mund të çojë në mospërmbushje formale edhe në raste kur subjekti ka ndërmarrë të gjitha veprimet e arsyeshme për sigurimin e informacionit. Afati prej 120 ditësh krijon një periudhë më realiste për sigurimin dhe verifikimin e të dhënave pa cenuar qëllimin e ligjit për mbajtjen e një regjistri të saktë dhe të përditësuar.
Neni 6 – Mënyra e regjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues, pika 2, shkronja “b’’
“b) Qendra Kombëtare e Biznesit, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet shtetërore kompetente, në rastet kur të dhënat e regjistruara në regjistër nuk përputhen me të dhënat në posedim të autoriteteve kompetente shtetërore.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita i jep QKB-së të drejtën të ndryshojë të dhënat e regjistruara mbi bazën e informacionit të marrë nga autoritetet shtetërore, por nuk parashikon njoftimin paraprak të subjektit raportues përpara kryerjes së këtij ndryshimi. Mungesa e një njoftimi të tillë mund të kufizojë mundësinë e subjektit për të sqaruar mospërputhjet e konstatuara ose për të paraqitur dokumentacionin përkatës.
Për këtë arsye, sugjerojmë që, përpara ndryshimit të të dhënave nga QKB-ja, subjektit raportues t’i komunikohet mospërputhja e konstatuar dhe t’i jepet një afat i arsyeshëm për të paraqitur sqarime ose dokumentacion mbështetës, në mënyrë të ngjashme me procedurën e parashikuar në pikën 3 të këtij neni.
Neni 6 – Mënyra e regjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues, pika 3, shkronja “c’’
“c) Subjekti raportues, brenda 20 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, duhet:
i. të përditësojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues […] nëse konstatimi i subjektit të detyruar është i saktë; ose
ii. të konfirmojë në regjistër të dhënat për pronarët e tyre përfitues, të regjistruara më parë, nëse konstatimi i subjektit të detyruar nuk është i saktë […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Afati prej 20 ditësh kalendarike për verifikimin, përditësimin ose konfirmimin e të dhënave mund të rezultojë i pamjaftueshëm për subjektet me struktura komplekse ose me pronësi indirekte, veçanërisht në rastet kur procesi kërkon sigurimin e informacionit dhe dokumentacionit nga shoqëri, regjistra ose autoritete të huaja.
Për këtë arsye, sugjerojmë që, për subjektet me pronësi indirekte, kur verifikimi kërkon sigurimin e informacionit ose dokumentacionit nga juridiksione të huaja, afati të jetë jo më pak se 30 ditë pune. Gjithashtu, rekomandojmë të parashikohet se, kur subjekti kundërshton në mënyrë të arsyetuar mospërputhjen dhe paraqet dokumentacion mbështetës, pasojat e parashikuara në shkronjën “ç” të mos zbatohen deri në përfundimin e shqyrtimit të kundërshtimit.
Neni 6 – Mënyra e regjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues, pika 3, shkronja “ç’’
“ç)në rast se subjekti raportues nuk përditëson ose nuk konfirmon të dhënat për pronarët përfitues brenda 20 ditëve kalendarike, QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse ndërpresin shërbimet për subjektet raportuese […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Ndërprerja e shërbimeve të QKB-së përbën një kufizim që mund të pengojë kryerjen e ndryshimeve të nevojshme tregtare, sigurimin e financimeve apo ndërmarrjen e veprimeve të tjera të nevojshme për funksionimin e shoqërisë ose për përmbushjen e detyrimeve ligjore. Një masë e tillë mund të rezultojë joproporcionale, veçanërisht në rastet kur mospërputhja është e natyrës formale ose lidhet me një gabim material.
Për këtë arsye, sugjerojmë që ndërprerja e shërbimeve të zbatohet në mënyrë proporcionale, duke marrë në konsideratë natyrën, rëndësinë dhe shkakun e mospërputhjes.
Neni 6 – Mënyra e regjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues, pika 4
“pezullon aplikimin për regjistrimin fillestar të të dhënave të pronarëve përfitues, duke i dhënë subjektit raportues një afat për plotësimin e të metave që pengojnë regjistrimin […]”
dhe
“pezullon aplikimin për regjistrimin e ndryshimit apo përditësimit të të dhënave të pronarëve përfitues, duke i dhënë subjektit raportues një afat prej 30 (tridhjetë) ditësh kalendarike për plotësimin e të metave që pengojnë regjistrimin.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë që pika 4 e nenit 6 të strukturohet qartë sipas katër situatave të ndryshme që mund të lindin gjatë shqyrtimit të aplikimit: miratimi i regjistrimit, pezullimi i regjistrimit fillestar, pezullimi i regjistrimit të ndryshimit ose përditësimit dhe refuzimi i regjistrimit.
Në rastin kur aplikimi për regjistrimin fillestar të pronarit përfitues paraqitet njëkohësisht me aplikimin për regjistrimin e personit juridik, afati për plotësimin e të metave duhet të harmonizohet me afatet e parashikuara në nenin 5, pika 3, në mënyrë që të mos ekzistojnë dy afate paralele për përmbushjen e të njëjtit detyrim.
Ndërkohë, për subjektet e regjistruara më parë që nuk e kanë kryer ende regjistrimin fillestar të pronarit përfitues, duhet të përcaktohet një afat i vetëm dhe i qartë për plotësimin e të metave. Për ndryshimet dhe përditësimet e të dhënave, të cilat nuk lidhen me krijimin e personit juridik, vlerësojmë të përshtatshëm një afat të veçantë prej 30 ditësh.
Mbi të gjitha, pezullimi ose refuzimi i regjistrimit të pronarit përfitues nuk duhet të sjellë automatikisht pezullimin apo refuzimin e regjistrimit të personit juridik.
Neni 6 – pika 4/2
“4/2. Nëse plotësohen të metat që pengojnë regjistrimin brenda afateve të përcaktuara në shkronjat ‘b’ dhe ‘c’ të pikës 4 të këtij neni, QKB-ja është e detyruar të kryejë regjistrimin e të dhënave të pronarëve përfitues jo më vonë se 2 (dy) ditë pune nga data e plotësimit të të metave. Nëse të metat nuk janë plotësuar, QKB-ja refuzon regjistrimin e të dhënave të pronarëve përfitues, sipas shkronjës ‘ç’ të pikës 4 të këtij neni, jo më vonë se 2 (dy) ditë pune pas përfundimit të afatit përkatës.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Kjo dispozitë duhet të lexohet së bashku me parimin e ndarjes së procedurës së regjistrimit të personit juridik nga procedura e regjistrimit të pronarit përfitues.
Në praktikën aktuale, mosidentifikimi i pronarit përfitues në momentin e aplikimit mund të sjellë edhe mosregjistrimin e vetë shoqërisë. Një trajtim i tillë bie ndesh me logjikën e nenit 5, pika 3, shkronja “b”, i cili parashikon një afat të mëvonshëm për përmbushjen e detyrimit në rast të refuzimit të regjistrimit fillestar të pronarit përfitues.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që refuzimi sipas kësaj pike të ketë si objekt vetëm regjistrimin e të dhënave të pronarit përfitues dhe jo krijimin apo regjistrimin e personit juridik.
Neni 6 – pika 4/3
“4/3. Aplikimi për regjistrimin e personit juridik në regjistrin tregtar dhe aplikimi për regjistrimin e të dhënave të pronarëve përfitues trajtohen si dy aplikime të ndara, edhe kur paraqiten njëkohësisht. Pezullimi ose refuzimi i aplikimit për regjistrimin e të dhënave të pronarëve përfitues […] nuk përbën shkak për pezullimin ose refuzimin e regjistrimit të personit juridik ose të ndryshimeve të tij në regjistrin tregtar.”
Koment/Rekomandim AmCham:
AmCham e konsideron këtë qartësim veçanërisht të rëndësishëm për funksionimin praktik të regjimit të pronarëve përfitues.
Regjistrimi i shoqërisë dhe deklarimi i pronarit përfitues janë dy detyrime të lidhura, por juridikisht dhe proceduralisht të dallueshme. Pamundësia për të përfunduar menjëherë identifikimin e pronarit përfitues, sidomos në strukturat komplekse ndërkombëtare, nuk duhet të pengojë krijimin e subjektit dhe fillimin e veprimtarisë së tij tregtare.
Ndarja e procedurave nuk cenon transparencën, pasi detyrimi për deklarimin e pronarit përfitues dhe sanksionet për mosrespektimin e tij vazhdojnë të zbatohen plotësisht. Përkundrazi, ky formulim i jep efekt real afateve të përcaktuara nga vetë ligji dhe shmang situatën ku një subjekt pengohet të regjistrohet për shkak të një detyrimi të cilin ligji e lejon të përmbushet në një moment të mëvonshëm.
Neni 7 – Identifikimi i pronarëve përfitues për subjektet juridike, pika 2
“2. Kur subjektet e detyruara kryejnë identifikimin dhe verifikimin e identitetit […] verifikimi i identitetit të pronarit përfitues dhe çdo personi bëhet përpara krijimit të një marrëdhënieje biznesi ose kryerjes së një transaksioni rastësor.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Vlerësojmë se dispozita duhet të qartësohet në mënyrë që të mos interpretohet si një detyrim i përgjithshëm i subjekteve të detyruara për të kryer një hetim të pavarur dhe të plotë të të gjithë strukturës së pronësisë së klientit, pavarësisht natyrës dhe objektit të shërbimit të ofruar.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastin e shërbimeve profesionale me objekt të kufizuar. Për shembull, një avokat mund të angazhohet vetëm për negocimin dhe përgatitjen e dokumentacionit të një transaksioni të caktuar, ndërkohë që klienti mund të jetë pjesë e një strukture shumëkombëshe me disa nivele pronësie. Kërkesa që profesionisti të kryejë në çdo rast një verifikim të plotë dhe të pavarur të të gjithë strukturës mund të jetë joproporcionale me natyrën e shërbimit konkret.
Rekomandojmë që detyrimi të lidhet me informacionin që subjekti i detyruar disponon ose duhet në mënyrë të arsyeshme të sigurojë gjatë ushtrimit të aktivitetit dhe në kuadër të marrëdhënies konkrete me klientin, pa transferuar mbi subjektet private funksione verifikuese që në thelb i përkasin autoritetit që administron regjistrin.
Neni 8 – Pronësia përfituese nëpërmjet kontrollit, pika 2, shkronja “a’’
“a) ‘Kontroll mbi subjektin juridik’ është mundësia e ushtrimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të ndikimit të konsiderueshëm dhe e marrjes së vendimeve përkatëse brenda subjektit juridik;”
Koment/Rekomandim AmCham:
Formulimi “ndikim i konsiderueshëm” mbetet i paqartë dhe mund të krijojë interpretime të ndryshme në praktikë lidhur me përcaktimin e kontrollit mbi subjektin juridik. Për këtë arsye, sugjerojmë që ky koncept të përcaktohet qartë, duke specifikuar kriteret ose rrethanat në të cilat një ndikim konsiderohet “i konsiderueshëm”.
Neni 8 – Pronësia përfituese nëpërmjet kontrollit, pika 2, shkronja “c’’
“c) kontrolli nëpërmjet interesit pronësor mbi shoqërinë tregtare” është zotërimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i 50% plus një kuote/ aksioni ose të drejtave të votës apo interesave të tjerë pronësorë mbi shoqërinë tregtare.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita parashikon pragun 50% plus një për përcaktimin e kontrollit nëpërmjet interesit pronësor, ndërkohë që Neni 33 parashikon pragun 25% ose më shumë për identifikimin e interesit pronësor të pronarit përfitues. Për të shmangur paqartësi në interpretim dhe zbatim, sugjerojmë të qartësohet funksioni i secilit prej këtyre pragjeve, si dhe raporti ndërmjet tyre.
Neni 11 – Identifikimi i pronarëve përfitues për subjektet juridike të ngjashme me trustin e shprehur, pika 1
“1. Në rastin e subjekteve juridike, të ngjashme me trustin e shprehur, siç janë fondacionet, përfshirë strukturat e kontrollit me shumë nivele pronarët përfitues, janë të gjithë personat fizikë të mëposhtëm: “
a) themeluesit;
b) anëtarët e organit drejtues në funksione drejtuese;
c) anëtarët e organit drejtues në funksione mbikëqyrëse;
d) përfituesit, sipas nenit 13 të këtij ligji;
e) çdo person tjetër fizik i cili kontrollon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë subjektin juridik.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë rishikimin e qasjes sipas së cilës të gjithë individët që mbajnë funksione drejtuese ose mbikëqyrëse identifikohen automatikisht si pronarë përfitues.
Mbajtja e një funksioni administrativ ose mbikëqyrës nuk nënkupton domosdoshmërisht ekzistencën e pronësisë përfituese apo ushtrimin e kontrollit efektiv. Zgjerimi automatik i konceptit të pronarit përfitues te çdo anëtar i organeve drejtuese mund të çojë në raportimin e një numri të madh individësh që nuk ushtrojnë kontrollin përfundimtar që synon të identifikojë ligji.
Për këtë arsye, sugjerojmë që identifikimi të fokusohet tek individët që, në bazë të kompetencave, të drejtave dhe rolit të tyre konkret, përmbushin kriteret për ushtrimin e kontrollit efektiv.
Neni 12 – Identifikimi i pronarëve përfitues për trustet e shprehura dhe organizimet ligjore të ngjashme
“1. Pronarët përfitues të trusteve të shprehura janë të gjithë personat fizikë të mëposhtëm:
a) themeluesit;
b) kujdestarët;
c) mbrojtësit, nëse ka të tillë;
d) të gjithë personat e tjerë fizikë që ushtrojnë kontroll përfundimtar mbi trustin e shprehur […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Edhe për këtë dispozitë rekomandojmë që identifikimi të lidhet me ushtrimin real të pronësisë përfituese apo kontrollit efektiv dhe të shmanget një interpretim që do të kërkonte deklarimin automatik të çdo individi që ushtron një funksion administrativ apo mbikëqyrës në një subjekt juridik që vepron si kujdestar apo në një pozicion të barasvlershëm.
Qëllimi duhet të jetë identifikimi i individit që ushtron kontrollin përfundimtar, jo zgjerimi i pakufizuar i rrethit të personave që raportohen vetëm për shkak të pozicionit të tyre organizativ.
Neni 16 – Informacioni mbi pronarët përfitues
“(a) të gjithë emrat dhe mbiemrat, vendin dhe datën e plotë të lindjes, adresën e vendbanimit, shtetin e rezidencës dhe shtetësinë ose shtetësitë e pronarit përfitues, numrin e dokumentit të identifikimit, si pasaportë ose kartë identiteti ose një dokument tjetër publik […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë që kërkesa të kufizohet në deklarimin e një shtetësie të pronarit përfitues, pasi deklarimi i të gjitha shtetësive nuk vlerësohet i domosdoshëm për qëllime të identifikimit.
Neni 16 – pika 2
“2. Subjektet juridike dhe kujdestarët e trusteve të shprehura ose personat që mbajnë një pozitë ekuivalente në një marrëveshje të ngjashme juridike duhet të sigurojnë informacion të mjaftueshëm, të saktë dhe të përditësuar për pronësinë përfituese brenda 28 ditëve kalendarike nga krijimi i subjektit juridik ose themelimi i marrëveshjes juridike. Ky informacion duhet të përditësohet pa vonesë dhe, në çdo rast, brenda 120 (njëqind e njëzet) ditëve kalendarike nga çdo ndryshim i tij, si dhe çdo vit.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë harmonizimin e plotë të afateve të kësaj dispozite me afatet e përcaktuara në nenin 5, në mënyrë që i njëjti detyrim material të mos i nënshtrohet afateve të ndryshme në dispozita të ndryshme të ligjit.
Gjithashtu, formulimi “si dhe çdo vit” duhet të qartësohet në lidhje me përmbajtjen e detyrimit që lind çdo vit: nëse kërkohet një deklarim i ri, konfirmim i të dhënave ekzistuese apo vetëm një verifikim i brendshëm nga subjekti. Një përcaktim i qartë është i nevojshëm për të shmangur interpretime dhe detyrime të ndryshme në praktikë.
Neni 17 – Detyrimet e subjekteve juridike, pika 2
“2. Subjekti juridik raporton informacionin mbi pronarët përfitues në regjistrin e pronarëve përfitues pa vonesa të paarsyeshme pas krijimit të tij. Çdo ndryshim i këtij informacioni raportohet në regjistrin e pronarëve përfitues pa vonesa të paarsyeshme dhe, në çdo rast, brenda 120 (njëqind e njëzet) ditëve kalendarike pas kryerjes së ndryshimit.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Kjo dispozitë rregullon një detyrim që është trajtuar tashmë në dispozitat e mëparshme të projektligjit, përfshirë nenin 5. Përsëritja e të njëjtit detyrim në disa nene, veçanërisht kur formulimet nuk janë plotësisht identike, krijon rrezikun e mbivendosjes dhe të interpretimeve të ndryshme lidhur me afatet dhe mënyrën e përmbushjes.
Në këtë drejtim, rekomandojmë ose heqjen e përsëritjes, ose vendosjen e një reference të qartë te dispozita kryesore që rregullon afatet e regjistrimit dhe përditësimit. Gjithashtu, për të qartësuar mënyrën e përmbushjes së detyrimit të verifikimit vjetor, sugjerojmë që, kur nga verifikimi rezulton se nuk ka ndryshime në informacionin e pronarit përfitues, të jetë i mjaftueshëm konfirmimi i të dhënave ekzistuese, pa kërkuar ridepozitimin e dokumentacionit që ndodhet tashmë në regjistër, për sa kohë ai mbetet i vlefshëm dhe i përditësuar.
Një çështje tjetër lidhet me afatin prej 28 ditësh, i cili mund të rezultojë i pamjaftueshëm për subjektet me struktura pronësie me disa nivele dhe me shoqëri të regjistruara në juridiksione të huaja. Sigurimi i dokumentacionit zyrtar nga këto juridiksione mund të kërkojë kohë për shkak të procedurave të lëshimit, legalizimit ose apostilimit dhe përkthimit zyrtar. Për rrjedhojë, subjekti raportues shqiptar mund të mos jetë objektivisht në gjendje të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit 28-ditor, edhe kur ka vepruar pa vonesa.
Për këtë arsye, sugjerojmë që afati për regjistrimin e ndryshimeve të ruhet në 90 ditë kalendarike ose, minimalisht, të parashikohet një afat prej 60 ditësh kalendarike.
Neni 17 – pika 3
“3. Kur, pas shterimit të të gjitha mënyrave të mundshme të identifikimit të pronarëve përfitues […] asnjë person nuk identifikohet si pronar përfitues, ose kur subjekti juridik ka pasiguri thelbësore dhe të justifikuar nëse personat e identifikuar janë pronarët përfitues, subjektet juridike mbajnë të dhëna mbi veprimet e ndërmarra me qëllim identifikimin e pronarëve të tyre përfitues […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Formulimi “pas shterimit të të gjitha mënyrave të mundshme” nuk përcakton qartë nivelin e verifikimit që kërkohet dhe dokumentacionin që duhet të disponojë subjekti për të konsideruar të përmbushur këtë detyrim. Mungesa e kritereve të qarta mund të çojë në zbatimin e standardeve të ndryshme në praktikë, veçanërisht në rastin e strukturave komplekse ose kur informacioni dhe dokumentacioni duhet të sigurohen nga juridiksione të huaja.
Për këtë arsye, sugjerojmë të përcaktohen kriteret minimale të verifikimit dhe dokumentacioni që konsiderohet i mjaftueshëm për të provuar përpjekjet e arsyeshme të ndërmarra nga subjekti për identifikimin e pronarit përfitues.
Neni 17 – pika 4, shkronja “b”
“b) të dhënat e të gjithë personave fizikë që mbajnë pozicionin drejtues në subjektin juridik, perfshire te gjitha emrat dhe mbiemrat, vendi dhe data e plotë e lindjes, adresa e banimit, vendi i banimit dhe kombësia ose kombësitë […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë zëvendësimin e termit “kombësia” me termin “shtetësia”.
“Kombësia” mund të ketë një kuptim më të gjerë që lidhet me përkatësinë kombëtare apo etnike, ndërkohë që informacioni relevant për identifikimin juridik të individit është shtetësia e tij. Përdorimi i termit “shtetësia” do të ishte gjithashtu më koherent me terminologjinë e përdorur në dispozita të tjera të projektligjit.
Neni 17 – pika 6
“6. Informacioni i përmendur ruhet për 5 vite pas datës së shpërndarjes ose çregjistrimit të subjekteve juridike, qoftë nga persona të caktuar nga subjekti për ruajtjen e dokumenteve, qoftë nga administratorët ose likuidatorët apo administratorët e falimentimit apo persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e subjektit. Identiteti dhe të dhënat e kontaktit të personit përgjegjës për ruajtjen e informacionit raportohen në regjistrin e pronarëve përfitues.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë që dispozita të parashikojë shprehimisht mundësinë e ruajtjes së informacionit dhe dokumentacionit në format elektronik/digjital, në përputhje me praktikën aktuale të administrimit të dokumentacionit dhe zhvillimin e shërbimeve elektronike.
Mungesa e një sqarimi të tillë mund të krijojë interpretime sipas të cilave dokumentacioni duhet të ruhet detyrimisht në format fizik, pa pasur një nevojë reale për këtë kërkesë.
Gjithashtu, duhet të qartësohet procedura sipas së cilës identiteti dhe të dhënat e kontaktit të personit përgjegjës raportohen në regjistër, përfshirë momentin e njoftimit, mënyrën e njoftimit dhe personin ose organin përgjegjës për kryerjen e tij.
Neni 18 – Detyrimet e kujdestarit, pika 1
“Informacioni i përmendur më sipër në këtë paragraf ruhet për 5 vite pas përfundimit të përfshirjes së kujdestarit apo personit që mban një pozicion të barasvlershëm në trustin e shprehur apo organizimin ligjor të ngjashëm.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Në mënyrë analoge me nenin 17, rekomandojmë të parashikohet shprehimisht mundësia e ruajtjes së informacionit dhe dokumentacionit përkatës në format digjital. Një qartësim i tillë do të lehtësonte administrimin e dokumentacionit dhe do të shmangte krijimin e kërkesave të panevojshme për ruajtjen fizike të tij.
Neni 18 – pika 2
“2. Kujdestari ose personi që mban një pozicion të barasvlershëm në një organizim ligjor të ngjashëm merr dhe raporton në regjistrin e pronarëve përfitues informacionin mbi pronarët përfitues dhe informacionin bazë mbi organizimin ligjor pa vonesa të paarsyeshme pas krijimit të trustit të shprehur ose organizimit ligjor të ngjashëm dhe, në çdo rast, brenda 120 (njëqind e njëzet) ditëve kalendarike pas krijimit të tij. […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë që afatet e parashikuara në këtë dispozitë të harmonizohen me afatet e përgjithshme të regjistrimit dhe përditësimit të përcaktuara në nenin 5, duke shmangur përcaktimin e afateve të ndryshme për detyrime të njëjta ose të ngjashme në pjesë të ndryshme të ligjit.
Koherenca e afateve është veçanërisht e rëndësishme për sigurinë juridike dhe për administrimin praktik të detyrimeve nga subjektet raportuese.
Neni 19 – Përjashtimet nga detyrimet e subjekteve juridike dhe organizimeve ligjore, shkronja “a”
“a) shoqëritë tregtare aksionet e të cilave pranohen për tregtim në një treg të rregulluar, me kushtin që:
I. kontrolli mbi shoqërinë tregtare të ushtrohet ekskluzivisht nga personi fizik me të drejta vote;
II. në strukturën e pronësisë apo të kontrollit të shoqërisë tregtare të mos përfshihet asnjë subjekt juridik apo organizim ligjor tjetër; dhe
III. për subjektet juridike të huaja dhe organizimet ligjore të huaja, standardet ndërkombëtare të parashikojnë kërkesa të barasvlershme me ato të përmendura në nënparagrafët I dhe II të kësaj pike;”
Koment/Rekomandim AmCham:
Vlerësojmë se kushtet e parashikuara në këtë dispozitë e bëjnë përjashtimin praktikisht të pazbatueshëm për një pjesë shumë të madhe të shoqërive të listuara.
Shoqëritë e listuara në bursë zakonisht kanë në strukturën e tyre aksionarë institucionalë, si fonde investimesh, fonde pensionesh, shoqëri sigurimi apo persona të tjerë juridikë. Për rrjedhojë, kushti që kontrolli të ushtrohet ekskluzivisht nga persona fizikë dhe që në strukturën e pronësisë të mos ketë asnjë subjekt juridik nuk reflekton strukturën tipike të një shoqërie të listuar.
Nëse ruhet në këtë formë, përjashtimi rrezikon të mbetet vetëm teorik dhe pa zbatim real. Për këtë arsye, rekomandojmë krijimin e një regjimi të posaçëm për filialet e shoqërive të listuara, duke u mbështetur në transparencën që siguron vetë tregu i rregulluar.
Neni 19 – shkronja “c”, nënpika I
“I. shoqëria e listuar, direkt ose përmes subjekteve të ndërmjetme, të zotërojë të paktën 30% të kuotave/aksioneve ose të drejtave të votës në subjektin raportues;”
Koment/Rekomandim AmCham:
AmCham mbështet përcaktimin e pragut prej 30%, pasi ai është në përputhje me përkufizimin e marrëdhënies shoqëri mëmë-bijë sipas Ligjit nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, duke siguruar koherencë me legjislacionin tregtar shqiptar.
Neni 19 – përjashtimi i parashikuar në shkronjën “c”
“Përjashtimi i parashikuar në shkronjën ‘c’ të këtij neni nuk zbatohet dhe subjekti raportues identifikon dhe regjistron pronarët përfitues sipas regjimit të zakonshëm të parashikuar në këtë ligj, kur:
(i) shoqëria e listuar zotëron më pak se 30% të kuotave/aksioneve ose të drejtave të votës në subjektin raportues; ose
(ii) një shoqëri tjetër, e cila nuk është e listuar në një treg të rregulluar, zotëron shumicën e kuotave/aksioneve ose të drejtave të votës në subjektin raportues, ose zotëron një përqindje të kuotave/aksioneve ose të të drejtave të votës të barabartë ose më të lartë se ajo e shoqërisë së listuar.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Ky formulim krijon një balancë të përshtatshme ndërmjet lehtësimit të detyrimit për filialet e shoqërive të listuara dhe nevojës për të identifikuar pronarin real përfitues në rastet kur transparenca e tregut të rregulluar nuk është e mjaftueshme.
Përjashtimi duhet të zbatohet kur shoqëria e listuar zotëron të paktën 30% dhe është njëkohësisht pjesëmarrësi më i madh në subjektin raportues. Nëse një shoqëri jo e listuar zotëron një pjesëmarrje të barabartë ose më të lartë, informacioni publik mbi shoqërinë e listuar nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm për të identifikuar personin që kontrollon realisht subjektin raportues.
Në këtë rast, duhet të zbatohet regjimi i zakonshëm i identifikimit dhe regjistrimit të pronarëve përfitues.
Neni 20 – Detyrimet e ortakëve/aksionarëve të emëruar
“Ortakët/Aksionarët e emëruar dhe drejtorët e emëruar të një subjekti juridik mbajnë informacion të mjaftueshëm, të saktë dhe të përditësuar mbi identitetin e emëruesit të tyre dhe të pronarëve përfitues të emëruesit […] Subjektet juridike e raportojnë këtë informacion në regjistrin e pronarëve përfitues.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita përdor konceptet “ortak/aksionar i emëruar” dhe “drejtor i emëruar”, pa përcaktuar qartë kuptimin dhe fushën e zbatimit të tyre. Në veçanti, mbetet e paqartë se çfarë kuptohet me “ortak/aksionar të emëruar” dhe nëse termi “drejtor i emëruar” i referohet administratorit të shoqërisë sipas legjislacionit shqiptar. Për këtë arsye, sugjerojmë që këto koncepte të përkufizohen dhe të përshtaten me terminologjinë e legjislacionit shqiptar, me qëllim shmangien e paqartësive në interpretim dhe zbatim.
Neni 21 – Subjektet juridike të huaja dhe organizimet ligjore të huaja
“1. Subjektet juridike të krijuara jashtë vendeve të BE-së dhe kujdestarët e trusteve të shprehura ose personat që mbajnë një pozicion të barasvlershëm në një organizim ligjor të ngjashëm […] dorëzojnë në regjistrin e pronarëve përfitues të Republikës së Shqipërisë të gjithë informacionin e kërkuar […] kur ata:
a) hyjnë në një marrëdhënie biznesi me një ‘subjekt të detyruar’ […]
b) blejnë pasuri të paluajtshme në Shqipëri […]
c) blejnë […] mallra me vlerë të lartë […]
d) fitojnë një kontratë publike për mallra apo shërbime, ose koncesione […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Vlerësojmë se fusha e kësaj dispozite duhet të rishikohet në raport me objektin specifik të ligjit për Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Detyrimi për regjistrimin e subjekteve juridike të huaja, vetëm për shkak të hyrjes në një marrëdhënie biznesi apo kryerjes së kategorive të caktuara të transaksioneve, mund të krijojë një fushë shumë të gjerë zbatimi, duke përfshirë në praktikë furnitorë, financues, investitorë, partnerë tregtarë dhe palë të tjera në transaksione. Gjithashtu, ky detyrim mund të mbivendoset me funksione dhe mekanizma kontrolli të institucioneve të tjera.
Për këtë arsye, sugjerojmë të përcaktohen qartë rastet dhe kriteret konkrete që aktivizojnë detyrimin për regjistrim, momenti kur lind ky detyrim, afati për përmbushjen e tij dhe subjekti përgjegjës për regjistrimin. Në këtë kuadër, nevojitet të qartësohet edhe procedura e regjistrimit për subjektet juridike të huaja që nuk janë të regjistruara në Shqipëri, përfshirë personin që mund të kryejë aplikimin, si dhe mënyrën e identifikimit dhe autentikimit në sistem, duke pasur parasysh se rregullat e përgjithshme parashikojnë aplikimin nga personi i autorizuar nëpërmjet sportelit elektronik dhe përdorimin e certifikatës së kualifikuar elektronike.
Gjithashtu, sugjerojmë të qartësohet nëse dhe në cilat kushte mund të njihet dokumentacioni ose regjistrimi ekuivalent i pronarit përfitues në juridiksionin e origjinës, me qëllim shmangien e detyrimeve të dyfishta. Në tërësi, rekomandojmë që dispozita të rishikohet në aspektin e proporcionalitetit dhe të përcaktohet më qartë lidhja ndërmjet detyrimit për regjistrim dhe qëllimit specifik të identifikimit të pronarit përfitues.
Neni 21 – pika 7
“7. Detyrimi i përcaktuar në pikën 1, germa ‘a’ e këtij neni shtrihet edhe mbi marrëdhëniet e biznesit me subjekte juridike të huaja që janë ekzistuese.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Projektligji parashikon detyrimin e regjistrimit për subjektet juridike të krijuara jashtë BE-së që hyjnë në marrëdhënie biznesi me një subjekt të detyruar, por nuk përcakton qartë mënyrën e trajtimit të marrëdhënieve të biznesit që ekzistojnë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. Mungesa e një parashikimi të tillë mund të krijojë paqartësi për subjektet që kanë marrëdhënie ekzistuese në këtë moment.
Për këtë arsye, sugjerojmë të parashikohet një dispozitë tranzitore e posaçme, e cila të përcaktojë një afat të arsyeshëm për përmbushjen e detyrimit të regjistrimit për marrëdhëniet ekzistuese. Gjithashtu, sugjerojmë të qartësohet se regjistrimi i subjektit juridik të huaj kryhet vetëm një herë dhe mbetet i vlefshëm për marrëdhëniet e tij me disa subjekte të detyruara në Shqipëri, duke shmangur regjistrime të përsëritura për të njëjtin subjekt.
Neni 22 – Statistikat, pika 1
“1. AIF mban statistika gjithëpërfshirëse për çështje me rëndësi për efektivitetin e strukturave shtetërore të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, me qëllim për të shqyrtuar efektivitetin e këtyre strukturave.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë që termi “AIF” të përkufizohet shprehimisht në nenin 3 të projektligjit ose në dispozitën e parë ku përdoret.
Përdorimi i një shkurtimi institucional pa përcaktuar kuptimin e tij krijon paqartësi terminologjike dhe duhet të korrigjohet përpara miratimit të ligjit.
Neni 23 – Regjistrat qendrorë të pronësisë përfituese
“1. Shtetet anëtare garantojnë që informacioni mbi pronësinë përfituese […] të mbahet në një regjistër qendror në shtetin anëtar ku është krijuar subjekti juridik […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Formulimi i kësaj dispozite duket se është marrë drejtpërdrejt nga kuadri rregullator i Bashkimit Evropian dhe përdor terminologji që i drejtohet “shteteve anëtare”.
Duke qenë se projektligji është një akt i legjislacionit shqiptar, dispozita duhet të përshtatet me kontekstin institucional dhe statusin aktual të Republikës së Shqipërisë. Transpozimi i kërkesave të acquis të BE-së duhet të bëhet duke përcaktuar detyrimet konkrete të autoriteteve shqiptare, dhe jo duke ruajtur formulime që i drejtohen shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Rekomandojmë, për rrjedhojë, rishikimin integral të këtij neni për të dalluar qartë dispozitat që mund dhe duhet të zbatohen menjëherë në Shqipëri nga ato që lidhen me mekanizmat e anëtarësimit në BE dhe që kërkojnë dispozita kalimtare ose hyrje në fuqi në një fazë të mëvonshme.
Neni 23 – Pika 4
”4. Shtetet anëtare garantojnë që subjektet përgjegjëse për regjistrat qendrorë të kenë të drejtë të kërkojnë […] çdo informacion të nevojshëm për identifikimin dhe verifikimin e pronarëve të tyre përfitues, duke përfshirë vendimet e bordit të drejtorëve dhe procesverbalet e mbledhjeve të tyre, marrëveshjet e partneritetit, aktet e themelimit të trusteve, prokurat ose marrëveshjet dhe dokumentacionet e tjera kontraktuale […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita i jep autoritetit kompetencën për të kërkuar një gamë të gjerë dokumentesh të brendshme, përfshirë vendime dhe procesverbale të organeve drejtuese, prokura, marrëveshje dhe dokumentacion tjetër kontraktual. Duke qenë se këto dokumente mund të përmbajnë informacion konfidencial tregtar ose financiar, si dhe të dhëna të palëve të treta që nuk lidhen me identifikimin ose verifikimin e pronarit përfitues, vlerësojmë se është e nevojshme të përcaktohen kufij të qartë për ushtrimin e kësaj kompetence.
Për këtë arsye, sugjerojmë që kërkesat për dokumentacion të jenë të arsyetuara, specifike dhe proporcionale, si dhe të lejohet redaktimi i pjesëve të dokumenteve që përmbajnë informacion konfidencial ose të dhëna të palëve të treta që nuk janë relevante për qëllimin e identifikimit dhe verifikimit të pronarit përfitues.
Neni 23- Pika 11
11.“Shtetet anëtare garantojnë që subjekti përgjegjës për regjistrin qendror të ketë kompetenca […] për të kryer kontrolle, qofshin këto edhe inspektime në terren në ambientet e biznesit ose në selinë e regjistruar të subjekteve juridike, me qëllim përcaktimin e pronësisë përfituese aktuale dhe verifikimin e informacionit të dorëzuar në regjistrin qendror […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Kompetenca për kryerjen e kontrolleve dhe inspektimeve në terren në ambientet e biznesit ose në selinë e subjektit paraqitet e gjerë, ndërkohë që dispozita nuk përcakton në mënyrë të plotë kushtet dhe procedurën për ushtrimin e saj. Për të garantuar qartësi dhe proporcionalitet në zbatimin e kësaj kompetence, sugjerojmë të përcaktohet se inspektimi në terren kryhet mbi bazë të arsyetuar dhe për qëllime konkrete të verifikimit të pronësisë përfituese.
Në këtë kuadër, rekomandojmë të përcaktohen qartë autoriteti kompetent, objekti dhe kufijtë e inspektimit, njoftimi paraprak i subjektit kur ky nuk cenon qëllimin e kontrollit, dokumentimi i inspektimit me procesverbal, si dhe e drejta e subjektit për t’u asistuar ose përfaqësuar gjatë inspektimit.
Neni 24 – Rregulla të përgjithshme në lidhje me aksesin në regjistrat e pronësisë përfituese nga autoritetet kompetente, organet vetërregulluese dhe subjektet e detyruara
Koment/Rekomandim AmCham:
Edhe në këtë nen konstatohet përdorimi i formulimeve dhe mekanizmave që duket se janë transferuar drejtpërdrejt nga Direktiva e Bashkimit Evropian.
AmCham mbështet përafrimin me acquis të BE-së, por konsideron se transpozimi duhet të shoqërohet me përshtatjen e dispozitave me institucionet, kompetencat dhe statusin juridik aktual të Shqipërisë. Për këtë arsye, rekomandojmë një rishikim të plotë të nenit për të shmangur referencat dhe detyrimet që presupozohen vetëm për shtetet anëtare ose për sisteme evropiane në të cilat Shqipëria ende nuk merr pjesë me të njëjtin status.
Neni 25 – Rregullat specifike të aksesit në regjistrat e pronësisë përfituese për personat me interes legjitim
Koment/Rekomandim AmCham:
Kategoritë e personave që mund të kenë interes legjitim, si dhe informacioni që mund të aksesohet prej tyre, paraqiten relativisht të gjera, duke përfshirë edhe informacion historik dhe përshkrimin e strukturës së pronësisë ose kontrollit. Për shkak të natyrës së këtij informacioni, vlerësojmë se nevojiten garanci të qarta për mbrojtjen e të dhënave personale dhe informacionit konfidencial.
Për këtë arsye, sugjerojmë të përcaktohen kritere objektive për vlerësimin dhe verifikimin e interesit legjitim, si dhe të garantohet që aksesi të kufizohet vetëm në subjektin, informacionin dhe qëllimin konkret për të cilin është kërkuar.
Neni 25 – Pika 2, shkronja c)
”c) personat fizikë ose juridikë që ka të ngjarë të kryejnë një transaksion me një subjekt juridik ose organizim ligjor dhe që dëshirojnë të evitojnë çdo lidhje ndërmjet këtij transaksioni dhe pastrimit të parave, veprave penale bazë të lidhura me të ose financimit të terrorizmit’’
Koment/Rekomandim AmCham:
Formulimi “ka të ngjarë të kryejnë një transaksion” paraqitet i gjerë dhe nuk përcakton qartë rrethanat në të cilat një transaksion i mundshëm konsiderohet i mjaftueshëm për të justifikuar interesin legjitim. Në mungesë të kritereve objektive, ekziston mundësia që aksesi të kërkohet mbi bazën e një interesi të përgjithshëm ose hipotetik, pa ekzistuar një proces konkret ndërmjet palëve.
Për këtë arsye, sugjerojmë të përcaktohet se interesi legjitim, sipas kësaj dispozite, konsiderohet i provuar kur kërkuesi dëshmon ekzistencën e një procesi konkret ose të dokumentueshëm për realizimin e një transaksioni me subjektin përkatës.
Neni 30 – Identifikimi dhe verifikimi i identitetit të pronarëve përfitues
“Kur kryerja e verifikimit të identitetit mund t’i tregojë klientit se subjekti i detyruar ka dyshime në lidhje me pronaret përfitues të subjektit juridik, subjekti i detyruar nuk verifikon identitetin e personave fizikë drejtues dhe, në vend të kësaj, regjistron hapat e ndërmarrë për të vërtetuar identitetin e pronarëve përfitues dhe të zyrtarëve të lartë drejtues. Subjektet e detyruara mbajnë të dhëna lidhur me veprimet e ndërmarra, si dhe vështirësitë e hasura gjatë procesit të identifikimit, të cilat kanë sjellë nevojën e identifikimit të një personi fizik drejtues.”
Koment/Rekomandim AmCham:
Rekomandojmë rishikimin e kësaj dispozite, në mënyrë që detyrimi i subjekteve të detyruara të mos interpretohet si një detyrim i përgjithshëm për të kryer verifikime të thelluara të strukturës së pronësisë në çdo rast.
Detyrimi për ndërmarrjen dhe dokumentimin e hapave shtesë duhet të aktivizohet kur, gjatë ushtrimit të aktivitetit dhe në kuadër të marrëdhënies konkrete me klientin, subjekti i detyruar evidenton një parregullsi, një mospërputhje ose ka dyshime të arsyeshme lidhur me informacionin mbi pronarët përfitues.
Një qasje e tillë do të ishte më proporcionale me funksionin e subjekteve të detyruara dhe do të shmangte transferimin tek këto subjekte të përgjegjësive të përgjithshme të kontrollit dhe verifikimit që i takojnë autoritetit administrues të regjistrit.
Neni 32 – Raportimi i mospërputhjeve me informacionin e përfshirë në regjistrin e pronarëve përfitues, pika 1
”1. Subjektet e detyruara raportojnë në regjistrat qendrorë çdo mospërputhje që konstatojnë midis informacionit të disponueshëm në regjistrat qendrorë dhe informacionit që ato mbledhin. Mospërputhjet […] raportohen pa vonesa të paarsyeshme dhe, në çdo rast, brenda 14 ditëve kalendarike pas zbulimit të tyre […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Neni 32 parashikon detyrimin e subjektit të detyruar për të raportuar mospërputhjen brenda 14 ditëve nga konstatimi i saj, ndërkohë që Neni 6 përcakton procedurën e njoftimit të subjektit raportues dhe afatin 20-ditor për korrigjimin ose konfirmimin e të dhënave. Në këtë kuadër, vlerësojmë se është e nevojshme të qartësohet lidhja ndërmjet këtyre dy procedurave, në mënyrë që të jetë i përcaktuar qartë momenti i raportimit të mospërputhjes në QKB dhe mënyra e vijimit të procedurës pas këtij raportimi.
Për këtë arsye, sugjerojmë harmonizimin dhe qartësimin e këtyre dispozitave, me qëllim shmangien e interpretimeve të ndryshme në zbatimin e tyre.
Neni 33 – Pronësia përfituese nëpërmjet interesit pronësor
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita nuk përcakton qartë mënyrën e zbatimit të saj në strukturat komplekse të grupeve të shoqërive, veçanërisht në rastet kur të drejtat e votës ndryshojnë nga pjesëmarrja në kapital, si dhe në lidhje me raportin ndërmjet interesit pronësor dhe kritereve të kontrollit të parashikuara në Nenin 8. Mungesa e rregullave të qarta mund të sjellë interpretime të ndryshme dhe llogaritje të pasakta të pronësisë përfituese.
Për këtë arsye, sugjerojmë që në ligj ose në aktet nënligjore të përcaktohen rregulla të qarta dhe shembuj praktikë për llogaritjen e pronësisë indirekte në strukturat me disa nivele pronësie, duke sqaruar njëkohësisht trajtimin e rasteve kur të drejtat e votës ndryshojnë nga pjesëmarrja në kapital dhe rastet kur zbatohen kriteret e kontrollit sipas Nenit 8.
Neni 35 – Mbajtja dhe raportimi i të dhënave, pika 1
“1. Të dhënat e regjistruara për pronarët përfitues ruhen përherë në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, me përjashtim të rastit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.’’
Koment/Rekomandim AmCham:
Parashikimi për ruajtjen “përherë” të të dhënave të pronarëve përfitues nuk rezulton i harmonizuar qartë me pikën 2, e cila parashikon ruajtjen e tyre për një periudhë 10-vjeçare pas çregjistrimit të subjektit raportues. Në këtë kuadër, mbetet e paqartë nëse afati 10-vjeçar përbën periudhën përfundimtare të ruajtjes pas çregjistrimit dhe cili është trajtimi i të dhënave pas përfundimit të këtij afati.
Për këtë arsye, sugjerojmë harmonizimin e pikave 1 dhe 2, duke përcaktuar qartë periudhën e ruajtjes së të dhënave gjatë ekzistencës së subjektit raportues, si dhe pas çregjistrimit të tij.
Neni 36 – Të drejtat e pronarit përfitues të regjistruar, pika 1
“1. Personi, i cili është regjistruar si pronar përfitues i një subjekti raportues, mund të ngrejë një padi kundër subjektit raportues në gjykatën kompetente, me qëllim vërtetimin se nuk është pronari përfitues i këtij subjekti. “
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita parashikon si mjet korrigjimi ngritjen e padisë ndaj subjektit raportues nga personi që pretendon se është regjistruar gabimisht si pronar përfitues. Kalimi i menjëhershëm në një proces gjyqësor mund të rezultojë joproporcional, veçanërisht në rastet kur pasaktësia mund të korrigjohet mbi bazën e dokumentacionit të qartë dhe të pakontestueshëm.
Për këtë arsye, sugjerojmë të parashikohet një procedurë paraprake administrative për korrigjimin e të dhënave, e cila do të mundësonte trajtimin më të shpejtë të pasaktësive përpara se palët t’i drejtohen rrugës gjyqësore.
Neni 39 – Kundërvajtjet administrative, pika 1
“1.Subjektet raportuese dhe personat e autorizuar për të bërë regjistrimin janë përgjegjës sipas ligjeve në fuqi për vërtetësinë e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistrin elektronik […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Dispozita nuk bën dallim ndërmjet pasaktësive që rrjedhin nga veprimet ose mosveprimet e subjektit raportues dhe atyre që burojnë nga dokumente ose informacione zyrtare të siguruara nga shoqëri, regjistra apo autoritete kompetente të huaja. Ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm në strukturat ndërkombëtare të pronësisë, ku subjekti raportues mbështetet domosdoshmërisht në informacionin dhe dokumentacionin e vënë në dispozicion nga këto subjekte.
Për këtë arsye, sugjerojmë që dispozita të qartësojë përgjegjësinë e subjektit raportues në rastet kur të dhënat e deklaruara bazohen në dokumentacion ose informacion zyrtar të siguruar nga burime të huaja.
Neni 39 – pika 4
“4. QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse […] nuk do të ofrojnë shërbimet ndaj subjekteve raportuese […] si dhe do të ndryshojnë statusin e tyre nga ‘aktiv’ në ‘të pezulluar’ […] deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues […]”
Koment/Rekomandim AmCham:
Pezullimi i shërbimeve të QKB-së si pasojë e mospërditësimit të të dhënave mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në funksionimin normal të subjektit raportues dhe të rezultojë joproporcional, veçanërisht kur mospërputhja është formale, lidhet me dokumentacion që kërkon verifikim të mëtejshëm ose nuk cenon identifikimin e pronarit përfitues.
Për këtë arsye, sugjerojmë që kjo masë të zbatohet vetëm në rastet e shkeljeve të rënda ose të përsëritura dhe pasi subjektit t’i jetë dhënë mundësia për korrigjimin e shkeljes brenda një afati të arsyeshëm. Gjithashtu, rekomandojmë të parashikohet që pezullimi të mos pengojë regjistrimin e veprimeve që synojnë korrigjimin e shkeljes, ndryshimet e administratorëve, rritjen ose zvogëlimin e kapitalit, riorganizimet shoqërore, si dhe veprimet e tjera të detyrueshme sipas ligjit ose një vendimi gjyqësor.
Neni 41 – Procedura e regjistrimit të të dhënave të përgjithshme të subjekteve raportuese ekzistuese
Koment/Rekomandim AmCham:
Propozojmë që kjo dispozitë të zgjerohet dhe të parashikojë shprehimisht se subjekti raportues nuk duhet të paraqesë të dhëna apo dokumente që janë tashmë të disponueshme pranë një autoriteti publik dhe që mund të sigurohen nëpërmjet ndërveprimit elektronik ndërinstitucional, me qëllim shmangien e kërkesave të përsëritura për të njëjtin informacion.
Gjithashtu, sugjerojmë të parashikohet mundësia që, në rast të ndryshimit të të dhënave mbi pronësinë ose kontrollin, përditësimi i të dhënave të pronarit përfitues të kryhet automatikisht, pa qenë e nevojshme paraqitja e një aplikimi nga subjekti raportues, në rastet kur identifikimi i ndryshimit është teknikisht dhe lehtësisht i mundur nga Regjistri i Pronarëve Përfitues.
Neni 45 – Hyrja në fuqi
Koment/Rekomandim AmCham:
Projektligji parashikon hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit, ndërkohë që zbatimi i disa prej detyrimeve të reja lidhet me miratimin e akteve nënligjore përkatëse. Në këtë kuadër, vlerësojmë se është e nevojshme të parashikohet një periudhë tranzitore e përshtatshme për zbatimin e detyrimeve të reja, e lidhur me miratimin dhe hyrjen në fuqi të akteve nënligjore.
Gjithashtu, sugjerojmë të qartësohet shprehimisht vlefshmëria e regjistrimeve ekzistuese, si dhe mënyra e trajtimit të afateve, procedurave në proces dhe detyrimeve që lindin gjatë periudhës tranzitore, me qëllim garantimin e qartësisë dhe vijueshmërisë në zbatimin e kuadrit të ri ligjor.
Hartimi i akteve nënligjore dhe udhëzimeve të qarta për zbatimin e ligjit: Duke pasur parasysh kompleksitetin e detyrimeve të reja dhe problematikat e hasura në praktikën e deritanishme, AmCham vlerëson të rëndësishme që miratimi i ligjit të shoqërohet me një kuadër të plotë dhe të qartë nënligjor. Në veçanti, rekomandojmë hartimin nga QKB të një udhëzuesi praktik për subjektet raportuese, i cili të përfshijë shembuj konkretë të strukturave të pronësisë së drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, mënyrën e identifikimit dhe përllogaritjes së pronarëve përfitues, dokumentacionin minimal që konsiderohet i mjaftueshëm për përmbushjen e detyrimeve ligjore, si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rastet më komplekse.
Një qasje e tillë do të ndihmonte në sigurimin e një interpretimi dhe zbatimi sa më të njëtrajtshëm të ligjit nga subjektet raportuese dhe autoriteti administrues, duke reduktuar paqartësitë, kostot e përputhshmërisë, zgjatjen e procedurave dhe rrezikun e aplikimit të sanksioneve për shkak të interpretimeve të ndryshme.d
Përfundime
Në tërësi, AmCham vlerëson se projektligji duhet të ruajë një ekuilibër ndërmjet objektivit legjitim për rritjen e transparencës së pronësisë përfituese dhe nevojës për të garantuar që detyrimet e vendosura ndaj bizneseve dhe profesionistëve të jenë të qarta, proporcionale dhe të zbatueshme në praktikë.
Në këtë drejtim, konsiderojmë veçanërisht të rëndësishme:
- qartësimin e fushës së informacionit dhe dokumentacionit që duhet të depozitohet në regjistër, si dhe përcaktimin e kritereve të qarta për dokumentacionin e nevojshëm për identifikimin dhe verifikimin e pronarit përfitues;
- harmonizimin e afateve të regjistrimit, verifikimit dhe përditësimit në të gjitha dispozitat e projektligjit, duke marrë në konsideratë veçoritë e strukturave komplekse të pronësisë dhe rastet kur dokumentacioni duhet të sigurohet nga juridiksione të huaja;
- ndarjen e qartë të regjistrimit të personit juridik nga procedura e regjistrimit të pronarit përfitues, si dhe shmangien e mbivendosjeve ndërmjet detyrimeve të parashikuara në dispozita të ndryshme;
- përcaktimin e një metodologjie të qartë dhe uniforme për llogaritjen e pronësisë indirekte, përfshirë raportin ndërmjet interesit pronësor, të drejtave të votës dhe kritereve të kontrollit, si dhe sqarimin e pragjeve të ndryshme të parashikuara në projektligj;
- qartësimin e koncepteve dhe termave juridikë që mund të krijojnë paqartësi në interpretim, përfshirë konceptet e kontrollit, “ndikimit të konsiderueshëm”, ortakut/aksionarit të emëruar dhe drejtorit të emëruar;
- proporcionalitetin e detyrimeve, masave dhe sanksioneve, veçanërisht në lidhje me ndërprerjen e shërbimeve të QKB-së dhe pezullimin e statusit të subjektit raportues, duke marrë në konsideratë natyrën, rëndësinë dhe shkakun e shkeljes;
- përcaktimin e procedurave dhe garancive të qarta për ushtrimin e kompetencave të autoriteteve, përfshirë kërkesat për dokumentacion dhe inspektimet në terren, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e informacionit konfidencial dhe të të dhënave të palëve të treta;
- përcaktimin e kritereve objektive për interesin legjitim dhe aksesin në të dhënat e regjistrit, duke garantuar që aksesi të kufizohet në informacionin dhe qëllimin konkret për të cilin është kërkuar;
- qartësimin e regjimit të zbatueshëm për subjektet juridike të huaja, përfshirë rastet që aktivizojnë detyrimin për regjistrim, procedurën, afatet dhe njohjen e dokumentacionit ose regjistrimit ekuivalent në juridiksionin e origjinës;
- krijimin e një regjimi praktikisht të zbatueshëm për filialet e shoqërive të listuara, duke ruajtur koherencën me legjislacionin tregtar shqiptar;
- shmangien e kërkesave të përsëritura për informacion dhe dokumentacion që disponohet tashmë nga autoritetet publike, duke shfrytëzuar ndërveprimin elektronik ndërinstitucional dhe, kur është teknikisht e mundur, përditësimin automatik të të dhënave;
- qartësimin dhe harmonizimin e periudhave të ruajtjes së të dhënave, përfshirë trajtimin e tyre pas çregjistrimit të subjektit raportues;
- parashikimin e mekanizmave administrativë për korrigjimin e pasaktësive, përpara kalimit në procedura gjyqësore, kur korrigjimi mund të realizohet mbi bazën e dokumentacionit të qartë dhe të pakontestueshëm;
- parashikimin e një periudhe tranzitore të përshtatshme për zbatimin e detyrimeve të reja, të lidhur me miratimin e akteve nënligjore, duke qartësuar njëkohësisht vlefshmërinë e regjistrimeve ekzistuese dhe trajtimin e procedurave në proces;
- përshtatjen e plotë të dispozitave të transpozuara nga legjislacioni i Bashkimit Evropian me kuadrin ligjor dhe institucional dhe me statusin aktual të Republikës së Shqipërisë, duke eliminuar referencat që nuk janë drejtpërdrejt të zbatueshme në kontekstin shqiptar.
AmCham mbetet e gatshme për të vijuar dialogun dhe për të kontribuar në diskutimin teknik të dispozitave të projektligjit, me synim krijimin e një kuadri ligjor që garanton transparencën e nevojshme, sigurinë juridike dhe një zbatim të qëndrueshëm dhe efikas në praktikë.

