Sot më datë 10 mars, 2021, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Enio Jaço zhvilloi Konferencën Vjetore për Mediat mbi zhvillimet që kanë ndikuar komunitetin e AmCham gjatë vitit 2020 e në vijim.
Presidenti Jaço u ndal në dy çështje gjatë fjalës së tij, sfidat dhe pritshmëritë nga efektet e Pandemisë si dhe Klima e Biznesit.
Në lidhje me sfidat e Pandemisë, Presidenti Jaço vlerësoi rezistencën dhe kontributin e anëtarëve të AmCham në aspektin social dhe ekonomik të vendit ndërsa solli vëmendjen e autoriteteve për mekanizma të reja mbështetëse ndaj komunitetit të biznesit.
“Bizneset e AmCham dëshmuan si asnjëherë më parë ndikimin e madh ekonomik dhe social, duke injektuar në ekonomi $3.1 Miliardë, shifër që është rritur në krahasim me 1 vit më parë – si rrjedhojë e një përqëndrimi të mëtejshëm të bizneseve rreth AmCham-it. Por pavarësisht rezistencës dhe përballjes, efekti ka qenë shumë i madh dhe e ka thelluar brishtësinë e ekonomisë. Si rrjedhojë, anëtarët e Dhomës Amerikane po përballen dhe do vijojnë të përballen me sfida që kërkojnë vëmëndje” u shpreh Presidenti i Dhomës Amerikane.
Presidenti Jaço veçoi tre çështje kryesore që kërkojnë adresim në lidhje me Pandeminë. Së pari, aksesin në financim dhe mundësia e të pasurit kapital të mjaftueshëm për operacionet e bizneseve si dhe rëndësinë e krijimit të fondeve dhe instrumentave alternative për financim. Së dyti, ai theksoi rëndësinë e ngritjes së infrastukturës mbështetëse, ligjore apo eko-sistemi i duhur për të mbështetur trendet ku ekonomia shqiptare është e papërgatitur. Së treti, Jaço theksoi se është e rëndësishme që sektori shtetëror të adaptohet dhe të vendosë në shërbim të bizneseve mjetet e duhura për këtë normalitet te ri.
Në lidhje me Klimën e Biznesit, Presidenti i Dhomës Amerikane shprehu shqetësimin për mungesën e shtuar të besimi nga komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe investitorët ndërsa përmendi rënien e perceptimit të biznesit në AmCham Business Index, e reflektuar edhe në raporte të tjera ndërkombëtare.
Jaço bëri të ditur se në javët në vijim, Dhoma Amerikane do t’i dorëzojë qeverisë një paketë me mbi 40 rekomandime, të cilat kanë si qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, krijimin e besimit tek investitorët dhe bizneset.
“Baza e kësaj pakete është rëndësia e krijimit të një strategjie për tërheqjen e investimeve që përfshin lehtësimin e procedurave dhe uljen e burokracisë, paketa të fuqishme incentivash dhe krijimin e një tregu gjithëpërfshirës ku ulen përqendrimet e tregut dhe monopolet”.
Presidenti Jaço vuri theksin tek krijimi i një programi me mekanizma konkretë që lufton korrupsionin, garancitë për respektimin e ligjit për Konsultimin Publik dhe rëndësia e modernizimit të sistemit të taksave, fuqizimi i eksporteve, ekonomisë digjitale dhe ri-orientimi i fuqisë punëtore.
Jaço theksoi se Dhoma Amerikane do të ndjekë implementimin e këtyre rekomandimeve përmes një mekanizmi konkret vlerësues mbi qëndrimin e politikanëve për secilën nga çështjet që prek klimën e biznesit. “AmCham do ndërmarrë një nismë serioze në lidhje me ndjekjen dhe implementimin e këtyre rekomandimeve një nga të cilat do jetë prezantimi gjatë vitit i një Pikëshënuesi ose Vlerësuesi për Politikanët dhe Deputetet mbi qendrimin e mbajtur ndaj legjislacionit të lidhur me këto qëndrime” tha Jaço.
Duke i’u përgjigjur interesit të gazetarëve, Presidenti i AmCham theksoi se, nëse adresohen mekanizmat e ndërtimit të besimit atëherë Oportunitetet për Rritjen Ekonomike do jenë të shumta. “Është mirë të ndërgjegjësohemi në lidhje me disa nga avantazhet që gjithmonë kemi pasur në rajon. Në të njëjtën kohë 2 potenciale të reja po bëhen realitet. Jemi në prag të hapjes së negociatave me BE – që do të thotë akses në rritje drejt tregjeve Perëndimore Europiane për produktet shqiptare dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë e cila ofron mundësi të shumta investimi” u shpreh Jaço.