Dhoma Amerikane ka bashkuar forcat me Ministrinë e Drejtësisë për të punuar mbi një qëllim të përbashkët, atë të luftës kundër korrupsionit, si një formë që jep rezultatin e vet në klimën e biznesit dhe rritjen e investimeve. Duke e parë me syrin e një investitori të huaj, Presidenti i Dhomës Amerikane e metaforizoi situatën e zhvillimeve ekonomike në vend si një “gotë gjysëm plot” që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve për të çuar përpara këtë proces sfidues. “Indeksi është përmirësuar, shumë indikatorë me plus në të tregojnë se ka lëvizje që perceptohen si pozitive nga biznesi dhe ne do të bëjmë punën tonë si partner për të ndihmuar në zhvillimin e politikave që ndihmojnë në ndërtimin e një klime të qëndrueshme “ – tha Presidenti i AmCham Grant Van Cleve. Këtë e provon Indeksi i Biznesit i AmCham i prezantuar nga Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj, i cili ka shënuar një rritje pozitive duke arritur nivelin e 43.42 pikëve nga 41.43 që ishte një vit më parë.
Forumi mbi Antikorrupsionin prezantoi për audiencën e Dhomës Amerikane rrugën strategjike mbi të cilën Ministria e Drejtësisë po ndërton planet e saj kundër korrupsionit dhe strukturat që do ta ndihmojnë në këtë proces. Duket se biznesi dhe Ministria e Drejtësisë bashkohen tek statistika e ulët e rasteve të denoncimit dhe duhet punë për informimin e biznesit por dhe për ndërgjegjësimin e tij. “Një situatë korrupsioni është e vështirë për t’u denoncuar dhe ndodh që biznesi bashkëpunon në këtë situatë përfitimi të dyfishtë. Por ne besojmë se duke e ngritur diskutimin në nivelin e organizatave të biznesit, jo vetëm që flasim në parim për problemin dhe zgjidhjen e tij por dhe i bëjmë më të sigurtë bizneset për të denoncuar rastet abuzive” – u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse Adea Pirdeni, zv. Ministrja e Drejtësisë.
Albana Karapanço Kryetare e Komitetit Ligjor, Rregullator dhe IPR, ka moderuar një panel me ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Amerikane duke vendosur theksin në punën që bëhet përmes Komiteteve për të ndikuar në proceset ligjore që krijojnë një strukturë eficente për të luftuar format e korrupsionit. Një pamje më të detajuar të punës që bën Ministria, ka dhënë Rovena Pregja, Drejtore e Programit Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë e cila ka shpjeguar në detaje strategjinë që ka hartuar kjo Ministri ndërkohë që Edvin Simo, Drejtor i Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion ka informuar mbi mënyrën e denoncimit dhe raportimit të rasteve abuzive.
Duke e parë çështjen e korrupsionit nga këndvështrimi i një biznesi dhe juristi, Nënkryetari i Komitetit Ligjor, Rregullator dhe IPR, Ened Topi, ka vendosur theksin në faktin se duhet një unifikim i strukturave për të bërë një punë me eficentë në luftën kundër korrupsionit ku merr shumë vlerë dhe informimi koherent i biznesit.
Në diskutimin mes panelistëve, Adrian Shehu, Kryetar i Komitetit të Tregtisë dhe Investimeve ka theksuar se një gotë gjysëm plot merr vlerë nga shpresa për një pritshmëri më të mirë dhe duket se biznesi anëtar i Dhomës ka treguar nëpërmjet Indeksit të Biznesit se ka një perceptim pozitiv në rritje për klimën e biznesit duke e vlerësuar me 4.77 pikë. Kjo i referohet edhe rezultateve të Reformës në Drejtësi dhe vënies së rasteve korruptive përpara ligjit. Por ndërkaq është e nevojshme që institucionet të koordinohen me njëri tjetrin për të mos patur mbivendosje në punën e tyre dhe ti jepet më shumë hapësirë mendimit dhe komenteve që vijnë nga biznesi në zbatimin e praktikave që targetojnë zbatimin e ligjit.
Indeksi i Biznesit prodhon një indikator pozitiv për 2022
Indeksi i Biznesit të AmCham në 2022 u vlerësua 43.42 nga 100, duke u rritur me +1.99 pikë në raport me një vit më parë. Ky është viti i dytë që Indeksi i Biznesi shënon rritje të indeksit qëndror. Në harkun kohor të 11 vjetëve që hartohet ky Indeks, ka shfaqur një qëndrueshmëri të indikatorëve por në të njëjtën kohë nuk ka dhënë shenja të progreseve të forta e të shumëpritura për vetë faktin se Indeksi qëndror ka qënë gjithmonë nën vlerën e 50 pikëve nga 100 të mundëshme duke demostruar se është nën nivelin mesatar.
Shqetesimet kryesore të biznesit
Indeksi i rreshton indikatorët sipas nivelit të pikëve, duke filluar nga indikatorët me vlerën më të lartë tek ato me vlerësimin më të ulët duke “zbuluar” kështu dhe cilat janë shqetësimet më të forta. Në 2022 anëtarët kanë vlerësuar me notë të ulët këta indikatorë
- Gjetja e stafit të kualifikuar vendor,
- Monopoli dhe konkurrenca e pandershme,
- Ekonomia informale,
- Burokracia qeveritare
Qendra e shqetësimeve edhe këtë vit është bërë fuqia punëtore duke e vendosur për të dytin vit rradhazi në top listën e shqetësimeve të bizneseve të AmCham. “Gjetja e stafit të kualifikuar vendor” kryeson listën e çështjeve të perceptuara si problem nga anëtarët e Dhomës. Treguesi është ulur me (-1.40) pikë, duke zbritur në nivelin 23.06 pikëve. Rënie ka edhe treguesi “Ndryshimi total i punësimit”, i cili ka zbritur në 52.69 pikë nga 55.23 pikë duke shënuar rënie prej (-2.59).
Ecurinë ekonomike
Gjithnjë duke qëndruar tek indikatorët që nuk kanë mundur të japin ndikim pozitiv në Indeks dhe kanë reflektuar një pakënaqësi të biznesit anëtar, janë grupi indikatorëve që shprehin ecurinë ekonomike. Vetë ky indikator i mbështetur edhe nga indikatori i “Kërkesës për mallra e shërbime” apo “Investimet” ka shënuar ulje në raport me një vit më parë
“Ecuria e ekonomisë shqiptare” -1.05 pikë
“Kërkesa për mallra dhe shërbime” -0.39 pikë
“Investim i total” -0.45 pikë
Marrëdhëniet me institucionet, Indikatorë me përmirësim
Vlen të përmendet mes shifrave dhe ata indikatorë që kanë merituar vëmendjen pozitive të anketuarve duke e kaluar pragun e 50 pikëve.Biznesi duket më konfident në marrëdhëniet me institucionet me të cilat ka fluksin më të madh të punës
Marrëdhëniet me Tatimet +2.18 pikë
Marrëdhëniet me Doganat +0.75 pikë
Marëdhëniet me Ministritë +0.77 pikë
Niveli i Korrupsionit
“Niveli korrupsionit” ka shënuar një përmirësim prej 3.18 pikësh. Nuk është vetëm ky indikator por edhe të tjerë të lidhur me të që kanë reflektuar një rritje pozitive në perceptimin e anëtarëve. “Zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve” është vlerësuar me një rritje të lehtë +1.95, “Marrëdhënia me Gjykatat” ka një rritje prej (+0,12) “Prona Private” ka shënuar një rritje pozitive me (+2,23) dhe “Pronësisë Intelektuale me (+1,18) duke na treguar se këto parametra të klimës së biznesit kanë filluar të perceptohen pozitivisht.
https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2022/02/Guida_Antikorrupsioni_-EN.pdf