Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi dje Asamblenën e Përgjithshme të 20-të, ku festoi 20 – vjetorin e Themelimit të saj si dhe zgjodhi përmes votës elektronike strukturat e reja ekzekutive. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Financave, Znj. Anila Denaj, Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Znj. Yuri Kim, anëtarë të AmCham, përfaqësues të bizneseve amerikane, ndërkombëtare dhë shqiptare.
Presidenti i Dhomës, Amerikane, z.Enio Jaço foli për arritjet e Dhomës Amerikane në këto 20-vite si dhe bëri një bilanc të aktivitetit të AmCham për vitin që kaloi. Presidenti i AmCham theksoi rolin e rëndësishëm që Dhoma Amerikane ka luajtur këto vite, në mbrojtje të të drejtave të biznesit ndërsa prezantoi strategjinë e re të AmCham për reformimin e klimës së investimeve në vend.
Presidenti i AmCham vlerësoi si historike Marrëveshjen Ekonomike Shqipëri-SHBA duke e cilësuar si “një moment kthese në lidhje me Investimet Amerikane në Shqipëri. Në mesin e pasojave kritike të krizës së COVID 19, ky është një lajm i mirëpritur për ekonominë Shqiptare. Me bashkëpunimin e duhur mes aktorëve dhe përmbushjen e kritereve për Reformimin e Klimës së Biznesit, mundësitë për Shqipërinë do jenë më të prekshme se kurrë më parë”.
Nga ana e saj, Ministrja Denaj shprehu mbështetjen për përfaqësuesit e biznesit amerikan si dhe angazhimin e Qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më të favorshme për investitorët e huaj dhe vendas. “Klima e biznesit në Shqipëri është dhe duhet të jetë në fokus të gjithë institucioneve. Duke qenë këtu si përfaqësuese e Qeverisë, dua të theksoj angazhimin që përpjekja dhe puna për të përmirësuar klimën e biznesit nuk do të mungojë.” u shpreh Ministrja Denaj.
Ambasadorja e SHBA, në vendin tonë, Znj.Yuri vlerësoi rolin e Dhomës Amerikane në mbështetje të përmirësimit të klimës së biznesit si dhe rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor për thithjen e sa më shumë investimeve të huaja.
“Që kur kam ardhur, kam qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e sfidave me të cilat përballet komuniteti i biznesit dhe investitorët e huaj; të gjithë e dimë që shteti ligjor duhet të forcojë dhe përmirësojë integritetin e tij në mënyrë që investime të huaja direkte kuptimplota të vijnë në vend. Me siguri ka shumë punë për t’u bërë, por komuniteti i biznesit përmes Dhomës Amerikane duhet të punojë që të ndikojë në politikëbërësit për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit” u shpreh Ambasadorja, Znj. Yuri Kim.
Pas ceremonisë së 20-vjetorit, Asambleja vijoi punimet e zgjedhjes së strukturave të reja të saj. Për t’ju përshtatur kushteve të pandemisë dhe për të kufizuar mbledhjen e mbi 220 anëtarëve, Dhoma Amerikane aplikoi sistemin e votimit elektronik, Simply Voting, një sistem i mirënjohur për votimin e onlinë në mënyrë të fshehtë dhe sigurtë.
Përmes votës online, anëtarët e Dhomës Amerikane zgjodhën Zv.Presidenten e Bordit, Znj.Edlira Muka, nga Balfin Group, anëtarin e Bordit, z.Bledar Beta nga Philip Morris dhe Përgjegjësen e Thesarit, Znj Juela Isaj nga DDB.