AmCham përgatit rekomandimet mbi Draft Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027

AmCham përgatit rekomandimet mbi Draft Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027

Dhoma Amerikane i ka kushtuar një rëndësi të veçantë shqyrtimit te draft Strategjisë Afatmesme te te Ardhurave 2024-2027 dhe Planit te Veprimit te propozuar nga Ministria e Financave duke besuar se qëndrueshmëria e sistemit fiskal duhet mbështetur në politika tatimore të drejta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të minimizuar ndikimin negativ te bizneset.

Dhoma prej vitesh ka lobuar për hartimin e politikave që sjellin rritjen e të ardhurave buxhetore përmes rritjes se bazës së tatimpaguesve dhe jo nëpërmjet rritjes së normave tatimore, e shoqëruar kjo me hartimin e një politike efikase për luftën kundër informalitetit dhe zbatimin e saj në mënyrë të qëndrueshme.

Ndërsa ka përshëndetur synimin e qeverisë shqiptare për të ndryshuar skemën e tatimit të pagave duke rritur pragun e patatueshme dhe duke ndryshuar normat e progresivitetit (që sugjerojmë të realizohen që këtë vit), Dhoma propozon që rritja e pagës minimale për efekt të kontributeve të sigurimeve të mos shoqërohet me rritjen e pagës maksimale e cila aktualisht është shumë e lartë dhe krijon kosto shtesë per biznesin.

Nje çeshtje tjeter e rëndësishme është që ndryshimet e propozuara në lidhje me skemën e tatimit mbi të ardhurat e bizneseve të vogla duhen bërë sa më parë, pa pritur vitin 2027 për shkak se skema aktuale (e cila mbeti në fuqi edhe me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat) krijon shmangie tatimore nëpërmjet shkallëzimeve të xhiros dhe mbështet informalitetin (sipas të dhënave në draftin e Strategjisë, rreth 90% e bizneseve deklarojnë xhiro deri në 14 milion Lekë në vit).

Po kaq të rëndësishme për Dhomën Amerikane janë edhe ndryshimet ligjore në proces të cilat kanëimpakt në barrën fiskale, si projektligji për taksën mbi pasurinë e paluajtshme, projektligji mbi sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe projektligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit. Për të gjitha këto akte, Dhoma është angazhuar duke dërguar komentet dhe rekomandimet e veta dhe pret një proces konsultimi real, pasi anëtarët e Dhomës janë të shqetësuar për kostot e larta që rëndojnë mbi bizneset sidomos për tatimin mbi pasurinë.

Harmonizimi i sistemit tatimor me atë të vendeve të BE-së duke përfshirë incentivat, përjashtimet apo rimbursimet në fushën e TVSH dhe akcizave por edhe taksat mjedisore si ajo e karbonit apo e plastikes, të cilat janë të rregulluara në nivel evropian, do të ishte një zgjidhje përfundimtare në këtë drejtim.