Dhoma Amerikane ka organizuar një mëngjes pune me përfaqësuesin e WTTC, një organizatë globale jofitimprurëse që operon në sektorin e turizmit dhe udhëtimeve dhe anëtarëve potencial që përfaqësojnë këtë industri në vend. Takimi ka shërbyer si një network për të diskutuar jo vetëm bashkëpunime të mundshme në të ardhmen, por dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të turizmit. Pjesë e takimit kanë qënë dhe anëtarë të Bordit drejtues dhe Kryetarë të Komiteteve në AmCham. Drejtori Ekzekutiv i AmCham z. Neritan Mullaj ka vlerësuar takimin si një mundësi për të ndikuar pozitivisht në sektorin e turizmit për rritjen e partneritetit dhe investimeve në këtë sektor.
Gjatë prezantimit të WTTC, z. George Tziallas ka shpjeguar benefitet që ofrohen nga anëtarësimi në këtë organizatë globale të turizmit i cili përfaqësohet me rreth 200 CEO, Kryetarë dhe Presidentë të kompanive kryesore të udhëtimit dhe turizmit në botë. Organizata i promovon anëtarët e saj, përmes networkut, eventeve, Forumeve Globale dhe takimeve B2B duke i ndihmuar të zhvillojnë biznesin e tyre dhe në të njëjtën kohë të sjellin një impakt të qëndrueshëm në sektorin e turizmit.
Për WTTC sektori i turizmit dhe udhëtimeve ka dy histori Para Covid dhe Pas Covid. Rimëkëmbja pas efekteve negative të pandemisë, nuk është e lehtë, por zbatimi i strategjive afatgjatë që përfshijnë trajnimin e forcës punëtore sidomos menaxherët e rinj si dhe zhvillimi i një rrjeti global për të rritur partneritetet dhe investimet në këtë sektor, janë të nevojshme. Gjithashtu WTTC këshillon zhvillimin social-ekonomik për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen kulturore të këtij sektori, si dhe dixhitalizimin e tij në funksion të zhvillimit të produktit.
Anëtarët e Dhomës Amerikane e kanë mirëpritur prezantimin e z. Tziallas dhe kanë patur mjaft pyetje mbi forma e bashkëpunimit, kriteret dhe benefitet që vijnë nga anëtarësimi në këtë organizatë globale. Rëndësi e veçantë i është vënë fokusit të AmCham në të ardhmen dhe rolit të vet në nxitjen e zhvillimit dhe investimeve të sektorit të turizmit në Shqipëri dhe në Rajon.